Vrraga e Agimit - Gazeta Express
string(15) "vrraga-e-agimit"

OP/ED

Gazeta Express

03/12/2020 10:41

Vrraga e Agimit

OP/ED

Gazeta Express

03/12/2020 10:41

Shkarkimi nga Albin Kurti mund të mos ia ketë “lanë shejë” Agim Veliut, por humbja në Podujevë i ka shkaktuar vrragë të thellë atij dhe LDK’së. Arroganca e lidershipit të partisë dhe interesat e ngushta personale në njërën anë, si dhe qeverisja e papërgjegjshme në anën tjetër, po e çojnë LDK’në drejt stërkeqjes dhe dështimit.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Kur Albin Kurti e shkarkoi Agim Veliun nga posti i ministrit, ai në mënyrë cinike tha: “As shejë s’ma ka lanë”. Pak muaj më pas, Veliut duket t’i ketë lënë jo shenjë, por vrragë goditja që mori në zgjedhjet lokale në Podujevë.

Pas dy dekadash në qeverisje, Lidhja Demokratike e Kosovës humbi bastionin kryesor në vend. Për njëzet vjet vota e qytetarëve llapjanë për këtë parti nuk ishte vënë në dyshim. Për njëzet vjet Agim Veliu e LDK kanë bërë çfarë kanë dashur në Llap. Për njëzet vjet Veliu është imponuar politikisht duke u mbëshetur në votat e llapjanëve. Këto vota e kanë bërë kryetar komune, dy herë ministër e nënkryetar partie. Këto vota ia kanë kthyer fuqinë politike në arrogancë, por që ka përfunduar fundjavën e kaluar.

Humbja në Podujevë nuk është vetëm humbje e kandidatit të partisë për kryetar komune, as e Veliut si kryetar dege. Humbja në Podujevë është humbje e madhe e krejt LDK’së dhe është sinjal i qartë se kah po shkon kjo parti. Më saktësisht, është sinjal i qartë se kah po e çon lidershipi partinë.

Po ashtu, humbja e LDK’së në Podujevë nuk mund të shihet as analizohet vetëm si akt, por duhet parë e analizuar si proces, si rezultat i qasjes së lidershipit partiak vite me radhë.

Humbja e LDK’së në Podujevë duhet parë si ndëshkim për politikat dhe veprimet e mbrapshta të partisë, përkatësisht lidershipit të saj, e jo si reagim emocional e as të beftë të qytetarëve. Humbja e LDK’së në Podujevë i faturohet ekskluzivisht kreut të partisë, qasjes arrogante, lojës me votat e elektoratit dhe përdhosjes së vullnetit të tij. Për të gjitha këto ka aq shumë argumente, sa që përpjekjet e zyrtarëve partiakë për t’i mohuar ose mos i pranuar si shkaqe reale janë sa cinike, aq keqdashëse.

* * *

Parimisht bastionet partiake janë të dëmshme – pa marrë parasysh në cilat komuna ekzistojnë dhe cilave parti iu takojnë. Bastionet i bëjnë kryetarët dembelë, arrogantë dhe të papërgjegjshëm. Në këso situatash, partitë politike konsiderojnë se qytetarët ua kanë votën borxh, u janë borxhli për t’i mbajtur e mirëmbajtur në pushtet. Një qasje e tillë ka ekzistuar edhe në Podujevë. Vetëm se kësaj situate ia kanë ndihmuar edhe gjëra të tjera më të rëndësishme. Ia kanë ndihmuar veprimet e papërgjegjshme të lidershipit të LDK’së.

Si mund të ndodhte ndryshe në Podujevë, në një situatë kur në zgjedhjet e kaluara nacionale elektorati votoi LDK’në në emër të ndryshimit, bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje, por kjo votë nuk shkoi në vend. Ose, shkoi shkurt, aq shkurt sa Agim Veliu, për interesa dhe inate të tij personale, u bë shkak që koalicioni të prishet.

Si mund të ndodhte ndryshe në Podujevë, kur Veliu me të vetët zgjodhi ta rrëzojë qeverinë, në të cilën bënin pjesë, në mes të një krize pandemie, për të krijuar një koalicion të ri që tash gjashtë muaj është bllokuar në punën e vet, duke dëmtuar rëndë qytetarët pa pasur mundësi ta çojë përpara as ligjin për rimëkëmbje ekonomike.

Si mund të ndodhte ndryshe në Podujevë, kur për ambiciet politike të Veliut, pra, për ta akomoduar atë në qeveri, komuna shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe në Podujevë, sepse fryma negative kundër lidershipit të LDK’së po rritet çdo ditë. Mjafton të konstatohet se atë që e vunë në zgjedhjet e kaluara kandidate për kryeministre, sot LDK e ka shkarkuar nga pozitat që mbante. Ndërkohë që në krye të partisë gjenden të njëjtët njerëz, të cilët vazhdimisht humbin në zgjedhje nacionale e lokale, por asnjëherë nuk japin llogari as marrin përgjegjësi.

* * *

Duhet ta kesh tepruar përnjëmend me papërgjegjësi e keqqeverisje, që të pësosh debakël në bastionin më të madh të partisë. Duhet të kesh keqpërdorur vullnetin e qytetarëve, që ata të kthehen kundër kaq rreptë.

Dhe Podujeva duket të jetë veç fillimi i një stërkeqjeje më të madhe, të partisë dikur më të madhe. Të partisë që me lehtësi shkel parime e premtime, vetëm për të përmbushur apetite të njerëzve të rëndësishëm të saj. Të njerëzve që mund të zgjohen një mëngjes pa fuqinë e dikurshme. Sepse elektorati i LDK’së duket se nuk duron më t’i tjetërsohet vullneti i vet. Nuk duron më që të votojë për Vjosa Osmanin, e ta fitojnë Agim Veliun e Avdullah Hotin. Nuk duron më që Isa Mustafa t’ia marrë votat duke premtuar “kurrë me PDK’në”, e ta lusë më pas PDK’në për të qeverisur bashkë.