Vevizmi - Gazeta Express
string(7) "vevizmi"

Vevizmi

OP/ED

Gazeta Express

13/02/2023 13:47

(Vetë)vendosja e vevistëve në krye të bordeve dhe institucioneve të tjera do të vazhdojë edhe më tej. Ashtu siç pata konsideruar në lidhje me PDK-në vite e vite më parë, edhe Vetëvendosje do të vazhdojë me vevizimin e vendit deri te birat e mbrame të gjirizit.

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

1.

Termi vevizëm – dhe derivatet e të tjera të mundshme – vjen nga shkurtesa VV, e cila, nga ana e saj, vjen nga Vetëvendosje, emri i një lëvizjeje politike. Vevizmi nënkupton besimin në ideologjinë e kësaj lëvizjeje dhe, më tej, tregon qëllimin që ta kthejë gjithë shoqërinë në gjirin e vet. Secila nga përpjekjet, hapat, aktivitetet, arritjet nënkuptojnë vevizimin, që është pra një rrjedhë, vijimësi.

2.

Vetë vevizmi, në kohën sa nuk ishte në ethet e larta të luftës për pushtet, kishte përdorur një term të njohur të rëndomtë për ta përshkruar tendencën dhe praktikën e partive në pushtet që të vënë nën kontrollin e tyre gjithë atë që arrinin ose që shpresonin të arrinin. Ishin më shumë se një parti dhe në të vërtetë s’është se karakterizoheshin nga ndonjë ideologji e fortë, njëra (LDK) kishte përgjithësisht një aurë të pretenduar intelektualizmi e akademizmi, përmes së cilës mundohej të vinte nën udhë rivalët, të tjerat, partitë e dala nga lufta (PDK e AAK), kishin në përgjithësi një tipar prej banditizmi të rëndomtë, me anë të të cilit vinin nën udhë përnjëmend rivalët. Termi i saktë që ishte përdor nga vevistët në këtë rast ishte «kapje». «Kapje e shtetit», më tej. S’kishte ku të shkonte më mirë, pra më saktë.

3.

Një prej strategjive të luftës, në rrafshin vertikal, natyrisht ishte edhe mohimi i të arriturës dhe kundërshtimi a priori i të gjitha proceseve në duart e të tjerëve, rivalëve politikë.

Nga ana tjetër, vevistët, pra aktivistët në rrafshin horizontal, të trajnuar, urdhëruar, nuk linin gjë pa përçmuar, sharë, fyer, poshtëruar dhe përdhosur.

4.

Ardhja në pushtet, siç edhe pritej, i hapi rrugë vevizimit të vendit. Parashikimi logjik është se ky vevizim, sado i lartë që të jetë, nuk do të jetë ai i ëndërruar dhe kërkuar nga vetë vevizmi. Do të shijohet për aq sa do të jenë në pushtet, persona e grupe do të përfitojnë për aq kohë sa do të lejohen nga ata të radhës që do të delegohen t’i zëvendësojnë.

Vevizimi i parë ndodhi me bordet e ndryshme të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike. Kjo në të vërtetë nuk është tjetër veçse një shpërblim dhe rehatim banditeskt i vevistëve, diçka që e kemi parë me vite e vite të tëra, me pushtet e tjera, në atë që, siç e thamë, pothuajse njëzëri ishte quajtur «kapje e shtetit».

Ky vevizim vazhdoi pastaj edhe me zgjedhjen e kryetarit të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës dhe në fund edhe me zgjedhjen e vetë drejtorit të këtij transmetuesi publik. Dy vevistë të dëshmuar më shumë në krye të betejës së gjatë të vevizimit.

Së fundmi, vevizimi i pritur tashmë ishte ai i (vetë)vendosjes së vevistit në krye të bordit të bankës Qëndrore të Kosovës.  

5.

Vevizmi, në përgjigje të akuzave për vevizim, është mjaftuar të arsyetohet duke u thirrur te “profesionalizmi” dhe gjoja integriteti i vevistit. Ana tjetër e arsyetimit banditesk të mëparshëm që arsyetonin nepotizmin duke u thirrur te “vlerat familjare”.

S’do mend (vetë)vendosja e vevistëve në krye të bordeve dhe institucioneve të tjera do të vazhdojë edhe më tej. Ashtu siç pata konsideruar në lidhje me PDK-në vite e vite më parë, edhe Vetëvendosje do të vazhdojë me vevizimin e vendit deri te birat e mbrame të gjirizit.

Ky vevizim e bën pra partinë në pushtet, Vetëvendosjen, një parti thjesht banditeske, siç ishin ato para saj, të cilat i kishte luftuar në emër të disa parimeve si përgjegjësia, drejtësia, barazia, etj.

6.

Dehja nga fitorja e VV-së në të vërtetë edhe mund t’i ketë kaluar vetë VV-së, por ai mahmurllëk topitës vazhdon t’i mbajë të mbërthyer vevefilët. Siç është e pritshme, ata janë të zëshëm, të kudogjendshëm dhe të papërtueshëm. Janë nën hijen e vevelogëve, por nuk ndihen aspak inferiorë ndaj tyre, sado që ata mund të kenë për ta vetëm atë simpatinë e budallait.