Vetërrënimi - Gazeta Express
string(11) "veterrenimi"

Vetërrënimi

Gazeta Express

18/05/2020 18:04

Që të mos rrënohej teatri sot, do të duhej të mbrohej dje. Akti është fundi formal i vënë në praktikë për të cilin dje ishin mbyllur hesapet. Kështu që, për t’i ikur rrënimit të së kaluarës, qoftë trashëgimisë kulturore, apo asaj historike, duhet që njëherë e mirë ta rrënojmë nga kokat tona mendësinë e provincializmit, ku ajo që s’më prek, rrjedhimisht edhe nuk më përket mua

Shkruan: Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Ka kohë që shoqëria shqiptare në përgjithësi është shndërruar në një hapësirë të madhe ku për çdo ditë luhet teatër. Me apo pa dëshirë, jemi të përfshirë pothuajse secili në këtë lojë. Jemi të verbuar nga politika dhe, duke ngarendur pas saj, kemi harruar se ka edhe gjëra të tjera, madje shumë më të rëndësishme sesa ajo. Gjithçka që kemi ia kemi lënë në dorë një hapësire vëzhgimi, e cila mirëmbahet nga politika. Dhe kur në një moment të caktuar politika vepron, ne zgjohemi si të harlisur, sikur i fjeturi që zhgjohet nga një ëndërr e frikshme. Fillojmë të bërtasim atëherë kur gjërat pothuajse kanë marrë rrugën e pakthim. Epo, kështu ndodh kur për gjëra shumë serioze, të cilat prekin direkt jetën tone, marrim vendime duke e përjashtuar arsyen. Në emër të një të kundërte, të një të keqeje vendosim, por pa e shqyrtuar se pse dhe a duhet ta vendosim atë që po vendosim? Pra, ka kohë që inati, urrejtja na e përcaktojnë edhe jetën tonë. Nëse secili ia shtrojmë disa pyetje vetes si: pse jetojmë keq?, ose pse qeverisemi keq? Pse kemi politikanë të këqij? Pse kemi kaq pak kulturë dhe kaq shumë injorancë?, e shumë pse të ngjashme, atëherë do të fillojmë ta kuptojmë fillin. E vërteta është se kjo gjendje e keqe nuk ka pikur nga qielli. Në fakt, e vërteta është në mesin tonë dhe për më tepër ne jemi ata që shpesherë e kemi toleruar dhe ndihmuar, po ashtu. George Steiner thoshte se kur njeriu qëndron gjatë afër së keqës, një ditë fillon dhe joshet prej saj dhe, nisur nga kjo, shoqëria shqiptare për shumë dekada ka bashkëjetuar me të keqen dhe si rrjedhim edhe është joshur nga ajo.

Sikur në Shqipëri me rënien e komunizmit, ashtu edhe në Kosovë, që nga çlirimi, kemi ndërtuar rrëfime të paqena dhe jemi bërë robër të tyre. Si shoqëria shqiptare, edhe ajo kosovare, me t’u çliruar nga masat shtrënguese dhe daljes në liri, filluan të sillen me një armiqësi ndaj të kaluarës dhe me një shpërdorim ndaj së ardhmes. Ajo që ishte dje duhej asgjësuar dhe e gjithë e ardhmja do të ndërtohet nën diktatin e atij pezmi, pezm i cili na ndjek edhe sot e kësaj dite. Të katandisur në një mynxyrë të tillë, jetën që kemi jetuar dikur, përveç që e urrejmë, edhe mundohemi ta zhdukim, sikur të mos ketë ekzistuar asnjëherë. Kurse, aty ku na konvenon e idealizojmë deri në bastardim. Mbase historinë e kemi ose për t’u mburrur, ose për ta luftuar. Jemi ushtarë që  përpiqemi ta ndërtojmë të tashmen duke e luftuar të kaluarën, qoftë edhe atëherë kur e marrim në mbrojtje. Bashkëjetesën nën komunizëm, si në Shqipëri edhe nën Jugosllavi, mundohemi ta shlyejmë nga kujtesa kolektive. Në Kosovë ka mbetur fare pak trashëgimi nga ajo kohë, jo për t’u mburrur, assesi, por për ta shenjuar njëherë dhe një kohë. Do të duhej të mësohemi se e kaluara edhe kur ishte e keqe për ne, brutale madje, duhet ruajtur, duhet memorizuar, sepse vetëm kështu mund të ecë një shoqëri përpara.

Në një spastrim të tillë kulturor është edhe rasti i fundit me Teatrin Kombëtar të Tiranës. Është e njëjta mendësi, e cila nuk e duron të kaluarën. E djeshmja është ankthi ynë që nuk na lënë të ecim përpara, sepse edhe individi edhe shoqëritë zhvillimin e masin me të djeshmen. Sivjet kemi një buxhet më të madh se vitin e shkuar. Sot jam më mirë se dje. Reportori i sivjetshëm në teatrin tonë të rrënuar është më i pasur sesa ai i shkuari. Epo, ky është ankthi për politikanët që na udhëheqin, sepse ata nuk dëshirojnë të krahasohen me të djeshmit dhe kjo mund të shpjegohet se ata duke pasur frikë nga ky krahasim, fillojnë e rrënojnë çdo gjë që i takon së shkuarës dhe krijojnë imazhin se çdo gjë ka filluar nga sot dhe me ta. Harrojnë se kështu bënin edhe paraardhësit e tyre. Edhe ata më mizorët, mizorisht ishin sjellë me të shkuarën (sic!). Prandaj, mund të ndryshojnë në metodë, por jo në qasje. Mirëpo, shtrohet pyetja, pse kaq shumë dëshirë për rrënim? Pse i gjithë ky vullnet për rrënim? Mbase, kjo lidhet për marrje ose mbajtje të pushtetit. Pra, është mirëmbajtja e pushtetit. Secila klasë politike që ka ardhur në pushtet për këto tri dekada, e ka paraqitur vetën si shpëtimtare. Madje edhe zgjedhjet kur fitohen nga partitë paraqiten si çlirim. Kështu, kishin ardhur edhe komunistët dikur, në emër të çlirimit. Kështu kanë ardhur edhe këta të sotshmit, vetëm se në emër të demokracisë. Madje në emër të demokracisë edhe rrënojnë dhe kanë rrënuar jo vetëm të kaluarën, por për çdo ditë rrënojnë edhe të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

Në të dy shtetet tona ne jetojmë keq dhe jo pse jemi të varfër, ose se jemi të paaftë. Jetojmë keq, sepse jemi të korruptuar. Politika ka arritur që përmes sistemit të saj ta korruptojë pothuajse secilin person direkt, ose indirekt. Demokracia është bërë mekanizmi i cili e mirëmban këtë mënyrë korruptive të të qeverisurit. Politikanët që ne i zgjedhim tash e 30 vjet, demokracinë nuk e kanë si qëllim për zhvillimin e shoqërisë dhe shtetit, por mjet për zhvatje të pushtetit. Demokracia si qëllim politik nuk i levërdisë një politike të tillë, sepse po u bë demokracia qëllimi i politikës, atëherë konjukturat zhvatëse politike do ta kishin të vështirë të mbijetonin. Përderisa, demokracia përdoret si mjet nga politika për qëllime pushteti dhe përderisa ne si qytetarë zgjedhim politikanë zhvatës recidivistë, atëherë nuk e kemi thënë të gjithë të vërtetën nëse vetëm të parët i konsiderojmë fajtorë. Prandaj, nëse të parët nuk fillojnë të ndryshojnë për të mirë të shtetit dhe shoqërisë, atëherë ne qytetarët kur ta ushtrojmë të drejtën tonë demokratike, duhet ta bëjmë këtë jo për ndonjë përfitim personal momental, por për një të tashme më të mirë dhe për një të nesërme më të sigurt. Nëse vazhdojmë ne e sillemi sot ashtu siç jemi sjellë dje, pra duke legjitimuar, e rilegjitimuar zhvatës të mirëqenies sonë, atëherë nuk jemi vetëm hisedarë në faj, por ndoshta edhe fajtorë kujdestarë.

Që të mos rrënohej teatri sot, do të duhej të mbrohej dje. Akti është fundi formal i vënë në praktikë për të cilin dje ishin mbyllur hesapet. Kështu që, për t’i ikur rrënimit të së kaluarës, qoftë trashëgimisë kulturore, apo asaj historike, duhet që njëherë e mirë ta rrënojmë nga kokat tona mendësinë e provincializmit, ku ajo që s’më prek, rrjedhimisht edhe nuk më përket mua. Ti ose unë mund të mos jemi futur asnjëherë në atë teatër, mund të mos kemi ndjekur as edhe një shfaqje dhe, ç’është e vërteta, një teatër nuk lidhet as me ty dhe as me mua. Një teatër, përveç që është trashëgimi kulturore e një shoqërie, e një shteti, ndër të tjera është edhe trashëgimi kulturore e gjithë njerëzimit. Dhe po nuk filluam që kulturën dhe trashëgiminë që vjen prej saj ta perceptojmë me këso thjerrëza, atëherë do të mund të vijë një ditë kur të mos mbetet askush të na e qaj hallin, as ty, as mua.