Vela i reagon Komitetit Olimpik të Serbisë, ua kujton që do të vijnë në Kosovë për Lojërat Mesdhetare - Gazeta Express
string(100) "vela-i-reagon-komitetit-olimpik-te-serbise-ua-kujton-qe-do-te-vijne-ne-kosove-per-lojerat-mesdhetare"

Vela i reagon Komitetit Olimpik të Serbisë, ua kujton që do të vijnë në Kosovë për Lojërat Mesdhetare

Lajme

Gazeta Express

09/09/2023 15:16

Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) dje vendosi që Kosova të bëjë organizimin e Lojërave Mesdhetare për vitin 2030 – “Prishtina 2030”.

Nga 66 delegatë sa ishin të pranishëm dje në Heraklion të Greqisë, 55 votuan pro Kosovës, tetë kundër dhe tre abstenuan.

Lexo Edhe:

Siç pritej, për këtë vendim erdhi kundërshtimi nga Serbia.

Komiteti Olimpik i Serbisë tha se ky vendim ishte skandaloz, derisa përmendën edhe praninë e kryeministrit Kurti kur u mbajt votimi.

“Në Kuvendin e sotëm pa lajmërim paraprak për delegatët është paraqitur dhe ka folur Albin Kurti. Komiteti Olimpik i Serbisë ka reaguar ashpër dhe insistoi që vendimi për pritjen e MI 2030 të merret pas Lojërave Olimpike të vitit 2024, gjë që është praktikë në këto raste. Kryesia e ICMI-së refuzoi ta votojë këtë propozim të Serbisë dhe kështu delegatët i vuri para një fakti të kryer. Pavarësisht se kandidatët e tjerë u tërhoqën dhe përkundër presionit të madh për të marrë vendimin unanimisht, organizimi i Lojërave Mesdhetare u dha, por me kundërshtim të fortë nga përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Serbisë, me 8 vota kundër. Komiteti Olimpik i Serbisë dënon ashpër këtë lloj ndërhyrje të politikës në sport”, thuhej mes tjerash në reagimin e Komitetit Olimpik të Serbisë.

Për këtë ka reaguar shefi i stafit të Presidencës, Blerim Vela, i cili ndërroi tekstin e një slogani nacionalist që ishte shfaqur së fundi në Serbi kundër Kosovës: “Kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë”.

“Kur sportistët serbë garojnë në Lojërat Mesdhetare në Kosovë”, ishte teksti i modifikuar nga Vela për t’ia kujtuar Komitetit Olimpik të Serbisë që lojëtarët e tyre do të vijnë në Kosovë për këto lojëra.

“Mendoj se ka më shumë kuptim të thuhet: “Kur sportistët serbë garojnë në Lojërat Mesdhetare në Kosovë”. Në vend të thirrjes shoviniste për luftë të lyer me sprej nëpër Serbi!”, ka shkruar Vela në X, duke shpërndarë reagimin e Komitetit serb.

Pasi Kosova fitoi kandidaturën për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, kryeministri Albin Kurti e cilësoi këtë “ngjarja më e madhe sportive e mbajtur në Republikën tonë”.

“Ia dolëm! Faleminderit shumë. Ky është një lajm i madh për Kosovën dhe një arritje e jashtëzakonshme për të gjithë ne. Shpreh mirënjohjen time të përzemërt për të gjithë ata që kanë mbështetur vizionin tonë për të ardhmen e vendit dhe të gjithë rajonit të Mesdheut. E vlerësojmë me gjithë zemër mundësinë që na është dhënë që të bëjmë bashkë në vendin tonë, në Kosovë 26 shtetet anëtare nga tre kontinentet”, ka shkruar Kurti. /Express/