Pas talljes publike nga Atletico Madridi ndaj Barcelonës për interesimin ndaj sulmuesit Julian Alvarezit, klubi katalanas ka reaguar.
“Los Colchoneros” kishin deklaruar se nuk kishin marrë asnjë ofertë për Alvarezin, duke kundërshtuar raportimet e mediave dhe duke theksuar se sulmuesi nuk është në shitje, ndërsa ka një klauzolë lirimi prej 500 milionë eurosh.
Të premten u raportua gjerësisht se Barcelona kishte dërguar një ofertë prej 100 milionë eurosh si hap i parë për transferimin e Alvarezit.
Megjithatë, po atë ditë, Atletico reagoi në rrjetet sociale duke tallur këto raportime dhe duke mohuar ekzistencën e ndonjë oferte zyrtare.
Tani, sipas “MD”, Barcelona ka konfirmuar se një ofertë prej 100 milionë eurosh është dërguar të premten.
Sipas burimeve të klubit të cilësuara si “me besueshmëri maksimale”, oferta është dërguar te drejtori sportiv i Atletico Madridit, Mateu Alemany.
Barcelona raportohet se nuk dëshiron të hyjë në një përplasje publike me Atletico Madridin, pasi frikësohet nga një reagim i mëtejshëm nga madrilenët.
Reagimi i Atleticos në rrjetet sociale nuk është pritur mirë në “Camp Nou”, por qëllimi i katalanasve është të vazhdojnë negociatat në mënyrë të qetë dhe profesionale, pa e komplikuar situatën.
Duke marrë parasysh qëndrimin publik të Atletico Madridit, do të ishte surprizë e madhe nëse ata do të pranonin të negocionin për një shitje të Alvarezit.
Logjikisht, nëse klubi ka dalë me deklarata kaq të forta, do të thotë se ekziston bindja që argjentinasi nuk do t’i bashkohet Barcelonës.
Barcelona ndërkohë e ka identifikuar Alvarezin si objektivin kryesor për pozicionin e sulmuesit qendror, por njëkohësisht ka një kufi financiar që është e gatshme të paguajë, përpara se të kalojë te alternativa të tjera në merkato./GazetaExpress/