Anësori i kombëtares së Kosovës dhe Juventusit, Edon Zhegrova, nuk ka arritur të dëshmojë vlerën e tij në sezonin e parë në Torino, por të paktën ka krijuar një lidhje të fortë me tifozët.
27-vjeçari kishte ndërtuar një reputacion të madh gjatë periudhës së tij trevjeçare te Lille, duke u shfaqur si një nga lojtarët më emocionues në Ligue 1.
Verën e kaluar, drejtori ekzekutiv i Juventusit, Damien Comolli, ishte i kënaqur që siguroi shërbimet e kosovarit me një çmim të ulët, duke arritur një marrëveshje prej 15 milionë eurosh me klubin francez.
Megjithatë, Zhegrova vinte pas një dëmtimi serioz dhe këtë sezon ka pasur vështirësi për të rikthyer formën e tij më të mirë.
Të dielën, Juventusi priti Hellas Veronën në “Allianz Stadium” në Torino dhe, si zakonisht, Zhegrova e nisi ndeshjen nga stoli.
Luciano Spalletti vendosi ta aktivizojë në 10 minutat e fundit të kohës së rregullt, kur Francisco Conceição filloi të lodhej.
Pavarësisht minutave të kufizuara në fushë, reprezentuesi i Kosovës pati ndikim pozitiv.
Ai arriti të kalojë kundërshtarët disa herë falë driblimeve të bukura, dërgoi krosime cilësore në zonë dhe ishte pranë golit të fitores me një goditje të ulët në shtyllën e parë, por pritja me majat e gishtave e Lorenzo Montipòs e devijoi topin në shtyllë, duke i ruajtur një pikë mysafirëve.
Sipas “JuventusNews24”, paraqitja e mirë e shkurtër e Zhegrovës nuk kaloi pa u vënë re, sidomos në “Curva Sud”, ku ai është mjaft i pëlqyer.
Siç shpjegon raportimi i këtij mediumi, ultrasit e Juventusit treguan vlerësimin e tyre për ish-lojtarin e Lilles, i cili ua ktheu nderin pas ndeshjes.
Raporti zbulon se Zhegrova ishte i vetmi lojtar i Juventusit që shkoi drejt “Curva Sud” për t’ia dhënë fanellën njërit prej tifozëve.
Megjithatë, pavarësisht mbështetjes së tifozëve, e ardhmja e tij në Torino mbetet e pasigurt, pasi statistikat tregojnë një sezon të parë të dobët në futbollin italian.
Zhegrova ka startuar në vetëm ndeshje në të gjitha garat, në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Pafosit.
Praktikisht, sulmuesi ende nuk ka bërë debutimin si titullar në Serie A, pasi të gjitha 16 paraqitjet e tij në kampionat kanë ardhur nga stoli.
Për më tepër, ai ende nuk ka kontribuar direkt në gol (zero gola, zero asistime)./GazetaExpress/