Një test i ri gjaku, i zhvilluar nga studiues në Oregon Health & Science University, mund të identifikojë kancerin e pankreasit edhe kur nuk shfaq simptoma, me një saktësi prej 97%, duke rritur shpresat për diagnostikim shumë më të hershëm të kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.
Kanceri i pankreasit mbetet ndër më të vështirët për t’u diagnostikuar dhe trajtuar. Ai shpesh zbulohet në faza të avancuara, kur mundësitë e trajtimit janë të kufizuara. Aktualisht, vetëm rreth 10% e pacientëve jetojnë më shumë se pesë vite pas diagnostikimit, ndërsa mbi gjysma humbin jetën brenda tre muajve nga momenti i zbulimit të sëmundjes.
Teknika e re bazohet në analizën e mostrave të gjakut, ku përmes impulseve të vogla elektrike në një mikroçip identifikohen grimca të lëshuara nga tumoret. Këto grimca bëhen të dukshme përmes një procesi që i bën të “ndriçojnë”, duke lehtësuar identifikimin e shenjave të kancerit.
Në studim u analizuan mostra nga 36 persona, përfshirë pacientë me kancer pankreatik dhe individë me sëmundje jo-kanceroze si pankreatiti. Testi u realizua në mënyrë të verbër, pa dijeninë e studiuesve mbi përkatësinë e mostrave, dhe arriti të identifikojë saktë rastet me kancer në 97% të tyre.
Kjo metodë rezulton më e saktë se biopsitë tradicionale të pankreasit, të cilat përmes procedurave invazive arrijnë një saktësi rreth 79%.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se do të duhen rreth pesë vite para se kjo teknologji të përdoret gjerësisht në praktikën klinike.
Aktualisht nuk ekzistojnë teste efektive për zbulimin e hershëm të këtij kanceri dhe rreth 80% e pacientëve diagnostikohen vetëm pasi sëmundja është përhapur. Kanceri i pankreasit përparon në mënyrë agresive, duke prekur organe të tjera si mëlçia dhe mushkëritë, dhe shpesh çon në dështim të organeve.
Simptomat më të zakonshme përfshijnë zverdhje të lëkurës dhe syve (verdhëz), humbje peshe, lodhje, temperaturë të lartë dhe probleme me tretjen, por këto zakonisht shfaqen në faza të vona.
Zbulimi i hershëm konsiderohet kyç për rritjen e mundësive të mbijetesës, dhe ky test i ri mund të përbëjë një hap të rëndësishëm drejt kësaj objektive. /GazetaExpress/