U.D i kryeprokurorit në Mitrovicë: Me tre prokurorë është e pamundur të përballohen seancat gjyqësore - Gazeta Express
string(100) "u-d-i-kryeprokurorit-ne-mitrovice-me-tre-prokurore-eshte-e-pamundur-te-perballohen-seancat-gjyqesore"

Lajme

Gazeta Express

29/04/2026 10:32

U.D i kryeprokurorit në Mitrovicë: Me tre prokurorë është e pamundur të përballohen seancat gjyqësore

Lajme

Gazeta Express

29/04/2026 10:32

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Njazi Rexha, ka deklaruar se mungesa e prokurorëve po ndikon drejtpërdrejt në përfaqësimin e lëndëve në gjykatë.

Në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, Rexha ka theksuar se gjatë vitit 2025 Prokuroria nuk ka qenë në situatë të favorshme në raport me gjykatën, për shkak të dallimit në numër mes gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Vitin 2025 nuk kemi qenë në situatë mirë në raport me gjykatën se numri i gjyqtarëve është më i madh në krahasim me numrin e prokurorëve. Kështu që në këtë aspekt edhe ne nganjëherë ju kemi bë pengesë për me mund me i zhvillu seancat gjyqësore”, ka thënë Rexha.

Ai ka bërë të ditur se në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatë funksionojnë katër deri në pesë gjyqtarë, ndërsa në Prokurori janë vetëm tre prokurorë.

“Në Departamentin e Krimeve të Rënda i kemi veç tre prokurorë. Mirëpo ,është për t’u theksu se para disa ditësh kam pranuar një e-mail nga kryetari i Gjykatës, me të cilën më informon se nga data 1 për 2026 do t’i ketë tre gjyqtarë në Deepartamentin e Krimeve të Rënda, që nënkupton se numri i përgjithshëm i tyre duhet me qenë shtatë apo tetë në raport me numrin e tre prokurorëve”, ka deklaruar ai.

Sipas Rexhës, me këtë numër aktual të prokurorëve është e pamundur të përballohet përfaqësimi i lëndëve brenda një kohe të arsyeshme.

“Tash me këtë numër sa ne e kemi në Departament të Krimeve të Rënda është e pamundur që të mund t’ju dalim në kohë të arsyeshme në përfaqësim të tyre në seancat gjyqësore. Mirëpo ne do të bëjmë përpjekje për aq sa kemi mundësi. Po kjo është e pamundur që me tre prokurorë t’i përmbyllin shqyrtimet gjyqësore për aq sa paraqitet nevoja prej gjykatës”, ka theksuar ai.

Rexha ka pranuar gjithashtu se shpesh ndodh që një prokuror të ftohet në disa seanca në të njëjtën kohë.

“Është e vërtetë ajo. Ne kemi këtu raste të shpeshta, mirëpo unë ashtu ju kam thënë prokurorëve të mi se mjafton që të marrim procesverbalin, të kemi një arsye dhe të arsyetohemi para gjyqtarit, sepse nuk mundem me u paraqit në një seancë gjyqësore për faktin se jemi zënë në një tjetër”, ka thënë ai./BetimipërDrejtësi/

Advertisement
Advertisement
Advertisement