Oda Ekonomike i kërkon veprime urgjente Qeverisë për përfshirjen e Kosovës në projektet rajonale të gazit - Gazeta Express
string(105) "oda-ekonomike-i-kerkon-veprime-urgjente-qeverise-per-perfshirjen-e-kosoves-ne-projektet-rajonale-te-gazit"

Lajme

Gazeta Express

29/04/2026 11:12

Oda Ekonomike i kërkon veprime urgjente Qeverisë për përfshirjen e Kosovës në projektet rajonale të gazit

Lajme

Gazeta Express

29/04/2026 11:12

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë “hapa të menjëhershëm” për përfshirjen e vendit në projektet rajonale të gazit natyror “në një kohë kur rajoni po hyn në një fazë të rëndësishme të transformimit energjetik”.

“Zhvillimet e fundit në rajon – përfshirë marrëveshjen ndërmjet Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kroacisë për lidhje me terminalin LNG në Krk, si dhe marrëveshjen e re në Shqipëri për gazin e lëngshëm natyror, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – dëshmojnë qartë se Ballkani Perëndimor po ripozicionohet në hartën energjetike të Evropës. Në këtë kontekst, mungesa e Kosovës në këto iniciativa paraqet rrezik serioz për sigurinë energjetike dhe konkurrueshmërinë ekonomike të vendit”, tha Oda Ekonomike.

Ndërkaq, kreu i saj, Lulzim Rafuna, tha se Kosova nuk ka luksin të mbetet anash, ndërsa rajoni po ndërton infrastrukturën e së ardhmes energjetike me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Përfshirja në këto projekte është jetike për sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve strategjike”, tha ai.

OEK thekson se përfshirja e Kosovës në këto projekte duhet të bëhet në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Europian dhe me mbështetjen e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë, duke garantuar transparencë dhe procese të hapura konkurruese.

Oda Ekonomike e Kosovës u bën thirrje institucioneve vendore “që të intensifikojnë dialogun me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që Kosova të sigurojë një rol aktiv në këtë moment kyç për të ardhmen energjetike të rajonit”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement