Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, beson se skuadra e tij do të marrë “drejtësi karmike” në stadiumin “Azteca” të dielën, plot katër dekada pas golit famëkeq “Dora e Zotit” të Diego Maradonës.
Ndërsa Anglia përgatitet të përballet me bashkëorganizatoren e Kupës së Botës 2026, Meksikën, në fazën e 1/16-ës së finales, Tuchel beson se lojtarët e tij mund të lënë pas fantazmat e vitit 1986 dhe të bëjnë paqe me stadiumin legjendar, përballë një atmosfere armiqësore të krijuar nga tifozët vendas.
Sipas “The Athletic”, tekniku gjerman mendon se Anglisë i “detyrohet” pak fat kur rikthehet në “Estadio Azteca” për përballjen me Meksikën të dielën.
Ky stadium zë një vend të veçantë në historinë e futbollit anglez, pasi aty u zhvillua çerekfinalja e Kupës së Botës 1986, ku Diego Maradona shënoi golin e famshëm me dorë, i njohur si “Dora e Zotit”, duke ndihmuar Argjentinën të fitonte 2-1.
Para ndeshjes së rëndësishme të fazës eliminatore, Tuchel tha se kujtimi i atij momenti do të shërbejë si motivim për skuadrën.
“Do të shpërblehemi. Do ta marrim mbrapsht. Është karma. Karma do të jetë në anën tonë. Do ta ndryshojmë historinë,” deklaroi ai.
Tuchel ishte vetëm 13 vjeç gjatë Kupës së Botës 1986, por kujtimet i ka ende të freskëta.
Duke folur për Maradonën, ai tha: “Ai shënoi dy gola kundër Anglisë: njëri pas një driblimi fantastik, ndërsa tjetri nuk do të pranohej kurrë me rregullat e sotme.”
Me fotografitë e Gary Linekerit dhe Peter Shiltonit të ekspozuara në qendrën stërvitore “St George’s Park”, trajneri dëshiron që skuadra e tij të shkruajë një kapitull të ri në histori.
“Ky është një moment i madh për të bërë paqe me këtë stadium dhe për ta kthyer historinë në favorin tonë,” shtoi ai.
Megjithatë, Tuchel pranoi se sfida ndaj Meksikës nuk do të jetë aspak e lehtë.
“Është një stadium ikonik. Është një ndeshje ikonike të luash kundër Meksikës në Meksikë. Do të kemi përballë një vend të tërë dhe energjinë e gjithë stadiumit në favor të tyre.”
Përveç peshës historike të këtij takimi, Anglia po përballet edhe me shqetësime fizike pas fitores 2-1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos në raundin e 32 skuadrave.
Skuadra angleze ishte pranë eliminimit të hershëm pasi pësoi gol që në minutën e shtatë, por Harry Kane shënoi dy herë në fund për të siguruar kualifikimin.
Tuchel konfirmoi gjithashtu se mesfushori Declan Rice luajti pavarësisht dhimbjeve të forta.
“E pyeta dhe ai më tha: ‘Mund ta bëj për ekipin, por kam dhimbje të tmerrshme’,” tregoi trajneri.
“Kur Declan të thotë se ka dhimbje të tmerrshme, atëherë e kupton se nuk mund të vazhdojë më. Ai ishte mirënjohës që e zëvendësuam, por pas ndeshjes më tha se nuk bëhet fjalë për ndonjë dëmtim serioz. Mendoj se do të rikuperohet. Është më shumë një dhimbje me origjinë nervore”, e mbylli ai./GazetaExpress/
Fluturime nga Baseli për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...