Trajneri gjerman Tonda Eckert ka përjetuar armiqësi serioze pas skandalit të spiunazhit te klubi anglez i kategorisë së dytë, Southampton.
Në një intervistë të detajuar për “kicker”, trajneri foli për pasojat e skandalit që i kushtoi klubit mundësinë për t’u ngjitur në Premier League në fund të sezonit të kaluar dhe për të cilin ai mori përgjegjësinë.
I pyetur drejtpërdrejt nga “kicker” nëse kishte marrë kërcënime me vdekje, Eckert u përgjigj pa hezitim:
“Po, situata nuk mund të menaxhohej më pa përfshirjen e policisë. Nuk dua të hyj në detaje, por mund të them vetëm kaq: më këshilluan të mos e drejtoja më vetë makinën, por të ulesha në sediljen e pasme. Kjo ishte shumë e vështirë.”
33-vjeçari Eckert, i cili pothuajse e shndërroi Southamptonin nga një skuadër që luftonte për mbijetesë në një pretendente për promovim në Premier League dhe që u lejua të vazhdonte detyrën pavarësisht skandalit të njohur si “Spygate”, shtoi:
“Ishte një situatë për të cilën asnjë kurs trajnerësh nuk të përgatit. Askush nuk të mëson si të reagosh kur, për arsye sigurie, të thonë papritur se duhet të ulesh në sediljen e pasme të makinës. Siç thashë, ishte shumë e vështirë.”
Ai tregoi gjithashtu se kishte marrë mbështetje të madhe nga bota e futbollit.
“Pas vendimit të EFL-së (për përjashtimin e Southamptonit nga ‘play-off’-i, shën. red.), mora shumë mesazhe, përfshirë nga trajnerë në Angli dhe Bundesliga. Madje edhe nga kolegë të njohur me të cilët nuk kisha pasur më parë asnjë kontakt personal”, zbuloi ai në intervistën për “kicker”.
Sipas tij, kjo mbështetje ishte një ngushëllim në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë.
Southampton u përjashtua nga “play-off”-i i EFL-së në muajin maj, pak para finales vendimtare për promovim ndaj Hull Cityt.
Një anëtar i stafit të analizës së klubit u kap duke filmuar fshehurazi stërvitjen e Middlesbrough, ndërsa ishte i fshehur pas një peme. Kjo është e ndaluar nga rregulloret e English Football League gjatë 72 orëve para një ndeshjeje, ndërsa Southampton u shpall fajtor për tri shkelje të tilla.
EFL reagoi ashpër. Përveç përjashtimit nga “play-off”-i, klubi u dënua edhe me zbritjen e katër pikëve për sezonin 2026/27 në kategorinë e dytë angleze.
Eckert, i cili vazhdon të jetë trajner i Southamptonit pavarësisht skandalit, është ende në pritje të vendimit për akuzat e ngritura nga Federata Angleze e Futbollit (FA), ku një pezullim personal mbetet një mundësi reale. Në qershor ai kishte kërkuar publikisht falje ndaj stafit, lojtarëve dhe tifozëve për incidentet.
Eckert shpjegoi për “kicker” se arsyeja pse stafi i tij kishte filmuar stërvitjen e kundërshtarëve ishte mosnjohja e rregulloreve të EFL-së.
“Jo, nuk i njihja rregullat. Por unë e autorizova atë veprim, prandaj përgjegjësia e plotë bie mbi mua. Veçanërisht në Angli, shumë përgjegjësi përqendrohen te roli i trajnerit. Vendimi ishte i gabuar dhe pati pasoja të mëdha për lojtarët, tifozët dhe klubin”, tha Eckert.
Ai shtoi se në fillim kishte shkuar në Angli si trajner i ekipit U21 dhe vetëm në nëntor kishte marrë drejtimin e ekipit të parë.
“Në atë kohë kisha një kuptim ndryshe për vëzhgimin e kundërshtarëve në ambiente publike. Edhe pse trajnerët e Championship-it trajnohen çdo verë për rregulloret, nuk kishte një trajnim të tillë për trajnerët e U21 ose më vonë për mua si trajner i përkohshëm. Megjithatë, rregullat ishin të disponueshme dhe ishte detyra ime t’i njihja. Gjatë verës e korrigjova këtë mangësi”, përfundoi Eckert./GazetaExpress/