Tifozët japonezë rrezikojnë ndëshkim nga FIFA - Gazeta Express
string(45) "tifozet-japoneze-rrezikojne-ndeshkim-nga-fifa"

Futboll

Gazeta Express

24/06/2026 10:59

Tifozët japonezë rrezikojnë ndëshkim nga FIFA

Futboll

Gazeta Express

24/06/2026 10:59

Tifozët e një kombëtareje në Kupën e Botës rrezikojnë të përballen me masa disiplinore, pasi dyshohet se kanë shkelur protokollin e rreptë të FIFA-s.

Para nisjes së Botërorit 2026, FIFA kishte bërë të qartë në rregulloret e saj se çdo simbol politik, ofendues apo diskriminues është i ndaluar brenda stadiumeve. Kjo përfshin flamuj, pankarta, slogane dhe veshje që mund të shkaktojnë polemika.

Një shembull i kësaj qasjeje ishte vendimi i FIFA-s për ta detyruar Haitin të ndryshonte dizajnin e fanellës për turneun, pasi në versionin fillestar ishte paraqitur Beteja e Vertières, një ngjarje historike e vitit 1803 që lidhet me pavarësinë e Haitit nga Franca.

Megjithatë, gjatë ndeshjes Japoni–Tunizi, në tribuna u pa një flamur i njohur si “Rising Sun”, duke shkaktuar reagime të ashpra në vende si Kina dhe Koreja e Jugut.

Ky flamur konsiderohet gjerësisht si simbol i agresionit ushtarak dhe sundimit kolonial japonez, pasi është përdorur nga Ushtria Perandorake Japoneze para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për shumë vende aziatike, përfshirë Kinën, Korenë e Jugut dhe Filipinet, ai mbetet një kujtim i dhimbshëm i periudhës së luftës dhe pushtimit.

Përdorimi i këtij simboli në ngjarje sportive ndërkombëtare ka shkaktuar vazhdimisht polemika. Sipas raportimeve, tifozë japonezë kishin tentuar ta fusnin këtë flamur edhe në stadiumet e Kupës së Botës 2022 në Katar, por stafi i sigurisë kishte ndërhyrë menjëherë dhe ua kishte ndaluar përdorimin.

Pas shfaqjes së flamurit në ndeshjen ndaj Tunizisë, profesori Seong-Deok Seo nga Universiteti Sungshin Women’s ka paraqitur ankesë zyrtare në FIFA.

Ai e quajti të papranueshme shfaqjen e flamurit në një turne që synon të bashkojë njerëz nga kombe dhe kultura të ndryshme.

“Është për keqardhje që masa të tilla nuk janë marrë në këtë Botëror. Flamuri Rising Sun nuk duhet të shfaqet në Kupën e Botës, një ngjarje që ka për qëllim bashkimin e njerëzve pa dallim kombësie apo race”, deklaroi ai.

Sipas tij, ky simbol u rikujton tifozëve aziatikë dhimbjet e luftës dhe FIFA duhet të veprojë për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të ngjashme.

“FIFA duhet t’i ndalojë tifozët japonezë që ta sjellin flamurin Rising Sun në stadiume dhe të marrë masa të menjëhershme që raste të tilla të mos përsëriten. Ky incident duhet të shërbejë edhe për të informuar më shumë tifozët e futbollit në botë për problemet historike që lidhen me këtë simbol”, shtoi Seo.

Tani mbetet të shihet nëse FIFA do të hapë procedurë disiplinore apo do të ndërmarrë masa parandaluese për ndeshjet e ardhshme. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement