Gjuetarë të pasur që paguanin për të qëlluar njerëz gjatë rrethimit të Sarajevo në vitet 1990 garonin mes tyre për të parë kush mund të vriste gratë më të bukura. Ky detaj tronditës i shtohet raportimeve në zhvillim për “Sarajevo Safari”, në të cilin evropianët dyshohet se paguanin shuma të mëdha për t’u bashkuar me snajperë serbë që qëllonin banorët e bllokuar në qytetin boshnjak midis viteve 1992 dhe 1995.
Të shtënat gjatë rrethimit, në të cilin u vranë 11,500 persona, u hetuan nga një dokumentar në vitin 2022 dhe më pas nga një gazetar italian Ezio Gavazzeni, i cili ka nxitur një hetim nga prokuroria ndaj snajperëve, në mesin e të cilëve dyshohet se kishte italianë, spanjollë, gjermanë dhe britanikë.
Mirëpo në librin e ri “Pay and Shoot”, nga gazetari investigativ kroat Domagoj Margetic, ka shkuar më tej. Gazeta e famshme britanike “The Times”, ka sjell fragmente nga libri i gazetarit Margetiq, i cili ka ngritur si çështje ‘Sarajevo Safarin’, ka publikuar një libër me dokumente që thotë se ia ka dhënë një oficer i inteligjencës boshnjake që kishte hetuar “safarin” përpara se të vritej në vitin 1996. Sipas mediumit britanik pos pahgesave të majme që ofroheshin për vrasje të ndryshme, një garë e madhe bëhej edhe për vrasjen e grave të bukura gjatë rrethimit të Sarajvës.
Dosjet e mbajtura nga oficeri, Nedzad Ugljen, tregojnë se gjuetarët paguanin 80,000 marka (rreth 35,000 paund në atë kohë) te ndërmjetësit serbë për të vrarë burra ose gra të moshës së mesme, 95,000 marka për të qëlluar gra të reja dhe 110,000 marka për të qëlluar gra shtatzëna nga pozicionet e tyre në një kodër mbi qytet.
Në shkurt të këtij viti, Prokuroria e Milanos ka nisur hetime ndaj një shtetasi italian në moshë të shtyrë, në kuadër të një çështjeje që lidhet me dyshimet për “turizëm snajperësh” në Sarajevë gjatë viteve ’90.
Lajmi u konfirmua nga dy burime të informuara për rrjedhën e hetimeve.
Sipas burimeve, i dyshuari është një ish-shofer kamioni, rreth 80 vjeç, që banon pranë qytetit verior italian Pordenone. Ai është personi i parë që identifikohet zyrtarisht në hetimin e hapur vitin e kaluar, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.
Hetimi fokusohet në dyshimet se disa shtetas të huaj ishin paguar për të qëlluar me armë zjarri ndaj civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës, në kohën e luftës në Bosnje e Hercegovinë. Burri italian, emri i të cilit nuk është bërë publik, përballet me disa akuza për vrasje me paramendim, të cilat rëndohen nga motive të ulëta, thanë burimet.
Nuk është ende e qartë nëse ai dyshohet se ka marrë pjesë drejtpërdrejt në vrasje apo nëse ka ndihmuar në transport dhe mbështetje logjistike për persona të tjerë të përfshirë. Aktualisht, ai ndodhet në liri dhe është thirrur nga prokurorët për t’u marrë në pyetje më 9 shkurt.
Gjatë rrethimit të Sarajevës, nga viti 1992 deri në vitin 1995, rreth 11 mijë civilë humbën jetën si pasojë e granatimeve dhe zjarrit të snajperëve nga pozicionet e ushtrisë serbe të Bosnjës në kodrat përreth qytetit.
Hetimi në Itali u hap pas një kallëzimi të dorëzuar nga gazetari italian Ezio Gavazzeni, i cili ngriti dyshime se disa italianë dhe shtetas të tjerë të huaj kishin paguar pjesëtarë të forcave serbe të Bosnjës për t’u lejuar atyre të qëllonin mbi civilët, në atë që disa e kanë quajtur “turizëm snajperësh”.
Gavazzeni ka deklaruar se u nxit të hetonte këto pretendime pasi pa dokumentarin “Sarajevo Safari”, të realizuar nga regjisori slloven Miran Zupanic. Sipas tij, persona të pasur nga jashtë paguanin shuma të konsiderueshme parash për të marrë pjesë në këtë aktivitet. Ai shtoi se të përfshirët mblidheshin fillimisht në qytetin italian të Triestes, përpara se të udhëtonin drejt Beogradit dhe më pas të shoqëroheshin nga ushtarë serbë të Bosnjës deri në zonat kodrinore pranë Sarajevës.