Rubio viziton Romën dhe Vatikanin, ndërsa lufta me Iranin tensionon raportet SHBA-Europë - Gazeta Express
string(87) "rubio-viziton-romen-dhe-vatikanin-ndersa-lufta-me-iranin-tensionon-raportet-shba-europe"

Lajme

Gazeta Express

05/05/2026 14:33

Rubio viziton Romën dhe Vatikanin, ndërsa lufta me Iranin tensionon raportet SHBA-Europë

Lajme

Gazeta Express

05/05/2026 14:33

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të vizitojë Romën dhe Vatikanin nga data 6 deri më 8 maj.

Zyrtarët e përshkruajnë këtë si përpjekje për të riparuar marrëdhëniet e tensionuara me partnerët kyç evropianë, në kohën kur lufta me Iranin po thellon përçarjet përtej Atlantikut.

Sipas një njoftimi të Departamentit të Shtetit, udhëtimi do të shërbejë “për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe”.

Rubio do të takohet me udhëheqjen e Selisë së Shenjtë për të diskutuar situatën në Lindjen e Mesme dhe interesat e ndërsjella në Hemisferën Perëndimore.

“Takimet me homologët italianë do të përqendrohen në interesat e përbashkëta të sigurisë dhe shtrirjen strategjike”, tha zëdhënësi Tommy Pigott më 4 maj.

Një ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, i cili foli për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, tha se koha e udhëtimit tregon për rëndësinë e tij.

“Udhëtimi i sekretarit Rubio është një hap i rëndësishëm në diplomaci”, tha ai, duke shtuar se fakti që vizita zhvillohet në këtë kohë, tregon se sa shumë rëndësi u kushton administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, marrëdhënieve me Italinë dhe Selinë e Shenjtë.

Vizita zhvillohet në një kohë të tensioneve në rritje midis Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë, si për shkak të konfliktit me Iranin, ashtu edhe për mosmarrëveshje më të gjera politike, përfshirë tregtinë dhe angazhimet ushtarake.

Lufta me Iranin vë në provë aleancat dhe marrëdhëniet personale

Analistët thonë se kjo vizitë është sa për menaxhimin e dëmeve, aq edhe për diplomaci.

“Lufta me Iranin po ushtron presion të jashtëzakonshëm mbi marrëdhëniet e presidentit Trump me aleatët evropianë”, thotë Charles Kupchan, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, për Radion Evropa e Lirë.

“Rubio po çon kamionë zjarrfikës, në përpjekje për të shuar flakët dhe për të kufizuar dëmet”, shton ai.

Trump, së voni, është përplasur me kryeministren italiane, Giorgia Meloni – dikur e konsideruar një aleate e ngushtë – si dhe me Papa Leonin, i cili ka qenë një kritik i zëshëm i sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael kundër Iranit.

“Trump i rriti edhe më tej tensionet, duke hyrë në një përplasje të hapur me Papën, duke dëmtuar mbështetjen e tij nga një bazë e rëndësishme elektorale në vend”, thotë Kupchan.

Trump e ka kritikuar publikisht Papën në prill, duke e quajtur atë “të tmerrshëm”.

Papa, në anën tjetër, ka vazhduar të dënojë luftën dhe politikat më të gjera të SHBA-së, përfshirë ato për migracionin.

Italia, megjithatë, është përpjekur të mbajë një qëndrim të kujdesshëm në konfliktin në Lindjen e Mesme.

Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, tha më 2 maj, pas një bisede që zhvilloi me homologun e tij iranian, se Roma po punon për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe për të rihapur negociatat, duke paralajmëruar se çdo program bërthamor i Iranit, do të ishte një “vijë e kuqe”.

Italia ka vënë në pah edhe pasojat më të gjera të konfliktit, përfshirë rreziqet për sigurinë ushqimore dhe stabilitetin në Afrikë, që burojnë nga ndërprerjet e vazhdueshme të qarkullimit në Ngushticën e Hormuzit.

Në mars, Italia refuzoi edhe t’u lejonte avionëve amerikanë që transportonin armë për luftën, të shfrytëzonin një bazë ajrore në Sicili, duke shkaktuar kritika nga administrata Trump.

Tërheqja e trupave rrit trysninë

Vizita e Rubios vjen pas njoftimit të Pentagonit se 5.000 trupa amerikane do të tërhiqen nga Gjermania – baza më e madhe ushtarake e SHBA-së në Evropë.

Trump ka kërcënuar me masa të ngjashme edhe ndaj Italisë dhe Spanjës.

Italia, aktualisht, strehon rreth 13.000 trupa amerikane në disa baza – çfarë e bën atë një partnere strategjike.

Tërheqja e trupave, e kombinuar me tensionet tregtare dhe mosmarrëveshjet publike për Iranin, ka rritur shqetësimet për të ardhmen e bashkëpunimit midis SHBA-së dhe Evropës për çështje të sigurisë.

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ka hedhur poshtë sugjerimet se Roma ka dështuar ta mbështesë Uashingtonin, veçanërisht në sigurinë detare, duke thënë se nuk e kupton arsyetimin pas kërcënimeve të SHBA-së për të reduktuar praninë e saj ushtarake.

Pavarësisht tensioneve, zyrtarët amerikanë thonë se misioni i Rubios do të përqendrohet në identifikimin e fushave të përbashkëta të dakordësisë.

“Konflikti me Iranin i ka nxjerrë në pah dallimet”, tha ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

“Sekretari Rubio, padyshim, do të përpiqet t’i theksojë pikat ku kemi interes të përbashkët… dhe të riafirmojë afërsinë tonë me Romën dhe Selinë e Shenjtë”, shtoi ai.

Nëse kjo përpjekje do të ketë sukses, mund të ndikojë jo vetëm në marrëdhëniet e SHBA-së me Romën dhe Selinë e Shenjtë, por edhe në përgjigjen më të gjerë të Perëndimit ndaj një prej konflikteve më të paparashikueshme të viteve të fundit./REL/

Advertisement
Advertisement
Advertisement