Testi i Deçanit - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

16/07/2021 10:45

Testi i Deçanit

OP/ED

Gazeta Express

16/07/2021 10:45

Helmimi i disa qindra qytetarëve ishte test për institucionet se si duhet vepruar në të tilla raste. Në Deçan institucionet qendrore reaguan vonë dhe ngathët. Nuk ka gjë më të rëndësishme se jeta e qytetarëve. Seminaret në Greqi jo se jo.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Nëse qeveria do të reagojë ashtu si reagoi për Deçanin edhe në raste të tjera në të ardhmen, atëherë mund të ndodh që qytetarët të pësojnë edhe më shumë në pritje të procedurave dhe vendimeve të ndonjë ministrie. Qytetarët kanë nisur të shfaqin shqetësime shëndetësore qysh të premten në mbrëmje, për të arritur brenda tri ditësh në rreth 1400 numri i atyre që kanë kërkuar ndihmën e mjekut. Por vetëm të martën në mesnatë, pra pas katër ditësh, Ministria e Shëndetësisë ka dërguar një kontigjent ilaçesh në Deçan, ndërkohë që ilaçe për trajtim ishte vështirë të gjendeshin dhe në barnatore.

Përveç mungesës së barnave kishte mungesë edhe të personelit shëndetësor, por edhe të shtretërve për t’iu ardhë në ndihmë të helmuarve. Për asnjë nga këto probleme ministria nuk dha zgjidhje.

Zyrtarë qeveritarë dhe të tjerë të Vetëvendosjes shprehen të bindur se reagimi institucional nuk ishte i vonshëm. Ministri Arben Vitia vizitoi tek të martën Deçanin, ndërkohë që rritej numri i qytetarëve që kishjin nevojë për ndihmë.

Zyrtarë të Vetëvendosjes gjatë këtyre ditëve dështimin për të reaguar me kohë e arsyetonin me faktin se ende nuk dihej shkaktari i helmimit të qytetarëve. Por, në situata të tilla kjo fare nuk është me rëndësi. E rëndësishme është që njerëzve t’iu ofrohet ndihma e nevojshme, ndërkohë që instuitucionet përkatëse hulumtojnë dhe gjejnë shkaktarët e helmimit.

Deçani është vetëm njëqind kilometra larg Prishtinës dhe është e pakuptueshme, e papranueshme që ndihma nga institucionet qendrore qytetarëve t’iu ofrohet me aq vonesë. Një deputet i Vetëvendosjes përmendte procedurat e nevojshme që duhet kaluar, në mënyrë që institucionet të veprojnë. Por në situatën alarmante çfarë ishte në Deçan institucionet janë ato që duhet të gjejnë zgjidhje. Nuk mjafton të thuhet “ne po e përcjellim situatën”, “situata është nën kontroll” ose “i kemi vënë të gjitha kapacitetet në dispozicion”, ndërkohë që në terren me ditë të tëra nuk arrin kurrfarë ndihme.

* * *

Në një vend normal, me qeveritarë të përgjegjshëm, në situata të tilla reagohet menjëherë. Ndërkaq, komunikimi me qytetarët, me publikun në një situatë të tillë krize duhet të jetë në nivelin më të lartë.

Në rastin e Deçanit ndodhi krejt ndryshe. Ministria e Shëndetësisë nuk mbajti asnjë konferencë për media, për të njoftuar qytetarët çfarë po ndodh, aq më shumë në situatën kur ende nuk dihet saktë se çfarë e shkaktoi helmimin. Në fakt, zyrtarë qeveritarë më tepër ishin të fokusuar se si të arsyetohen për vonesën në reagim, sesa si t’i qasen një situatë të rëndë e me të panjohura.

Në gjithë këtë pështjellim nuk munguan edhe përpjekjet e partive politike për të përfituar, respektivisht për të përhapur teori konspiracioni, ndërkohë që institucionet edhe nuk e kanë thënë fjalën e tyre përfundimtare.

Është e pandershme dhe aspak etike për këdoqoftë që përpiqet të përfitojë në të tilla fatkeqësi. Siç është e pandershme dhe aspak profesionale për këdoqoftë që përpiqet të arsyetojë neglizhencën institucionale dhe mosreagimin në kohë.

Në gjithë këtë situatë, Albin Kurti “nuk e prishi tymin e duhanit”. Ai vazhdoi të qëndrojë në Greqi, si pjesëmarrës në një a dy seminarë, ndërkohë që nuk denjoi të kthehet për t’u gjendur afër qytetarëve, kryeministër i të cilëve është.

Plot ironi gërditëse është dëgjuar këto ditë, sidomos nga ata që përkrahin Kurtin pa rezervë, madje edhe duke thënë se po të kthehej Kurti e të shkonte në Deçan, qytetarët do të shëroheshin automatikisht.

Shumë shqetësuese kjo mënyrë e të menduarit e të gjithë atyre që përpiqen ta arsyetojnë mungesën e kryeministrit në një situatë krize. Përveç ndihmës së shpejtë institucionale për qytetarët, rëndësi të madhe ka edhe simbolika, qoftë edhe e një vizite për t’iu gjendur pranë të sëmurëve. Nëse Kurti dhe përkrahësit e zjarrtë të tij konsiderojnë se qëndrimi njëjavor në Greqi është më i rëndësishëm se përkujdesja për disa qindra njerëz që kërkuan ndihmë mjekësore, atëherë diçka nuk është në rregull. Në fakt, shumëçka nuk është në rregull. Vetëm mund të supozojmë se si do të ishte sjellë Vetëvendosje në një situatë të ngjashme po të ishte në opozitë dhe po që se reagimi institucional do të ishte kaq i ngathët e kryeministri për një javë jashtë vendit.

* * *

Situatat e krizës si kjo në Deçan shoqërohen me thashetheme dhe konspiracione. Në këtë mënyrë shkaktohet panik në mesin e qytetarëve. Andaj, është e nevojshme që ndihma e nevojshme të përcillet me deklarime te matura e të përgjegjshme nga të gjitha palët. Përndryshe, gjërat mund të eskalojnë dhe më pas është e vështirë të vihen nën kontroll. Deçani ishte test i mirë për të gjithë.