Të “vrasësh” Albinin e arkivës - Gazeta Express
string(28) "te-vrasesh-albinin-e-arkives"

Të “vrasësh” Albinin e arkivës

OP/ED

Gazeta Express

30/03/2023 10:12

Po të ishte në opozitë, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje do ta kundërshtonin marrëveshjen me Serbinë, të cilën tashmë e kanë pranuar. Do të organizonin edhe protesta. Por, tash në qeveri është një tjetër Albin. Ai i opozitës gjendet veç në arkivë.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Kryeministri Albin Kurti u shfaq fort nervoz dhe i pasigurt në intervistën në “Debat Plus”. I atillë çfarë njerëzit nuk janë mësuar ta shohin. Me bagazhin e dy vjetëve qeverisje dhe një marrëveshjeje të pajtua me Serbinë, krijohej përshtypja se ai në çdo moment do të dilte nga studio televizive, në të cilën herën e fundit kishte qenë para më shumë se dy vjetësh.

Kurti nuk dukej rehat – dhe nuk kishte si të dukej. I duhej të arsyetonte gjithçka që kishte thënë në të kaluarën në raport me Serbinë dhe procesin e dialogut. Më me dëshirë, ai nuk do të merrej fare me deklararat e veta publike gjatë kohës sa ka qenë në opozitë. Me dëshirë do ta zhdukte arkivin.

Teksa arsyetonte marëveshjen e fundit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai përpiqej të dërgonte mesazhin se ajo ishte e mirë jo pse vërtet ishte e tillë, por për shkak se e kishte nënshkruar ai. Po të ishte në opozitë, do ta kritikonte. I bindur jam se partia e tij do të organizonte edhe protesta kundër edhe një “akti tradhtie” që nuk përmban në vete njohje reciproke.

Disa herë Kurti përmendi se tash ai është kryeministër i Republikës së Kosovës, duke lënë të nënkuptohet se ato që i ka thënë e bërë sa ka qenë në opozitë kanë qenë tjetër gjë dhe se tash ka të tjera përgjegjësi.

Parimisht mund të ketë të drejtë. Por a nuk ishte vetë Kurti ai, i cili dikur thoshte se nuk do të hyjë fare në dialog pa i përmbushur Serbia paraprakisht disa kushte karshi Kosovës? A nuk është Kurti ai që thoshte se Asociacioni (Zajednica) i komunave me shumicë serbe kishte vdekur? Mund të përmenden dhjetëra, në mos qindra deklarata të ngjashme të tij. Marrëveshjet fort të kritikuara me Serbinë të vitit 2013 dhe 20145 tash po dalin të mos jenë edhe aq të këqia. Për më tepër qëndrojnë si referencë në dokumentin e fundit europian.

Janë të kota përpjekjet për të dhënë të tjera shpjegime, nga ato që tashmë secili dhe secila i di, sa i përket marrëveshjes me Serbnë. Ajo përmban një lloj autononie për serbët në Kosovë, pavarësisht se mund të maskohet më të tjera emërtime, si “vetëmenaxhim”.

* * *

Kur bëhet fjalë për vetëmenaxhimin, Albin Kurti nuk u tregua fort i suksesshëm në menaxhimin e vetes në intervistë as sa i përket dy vjetëve qeverisje. Duke përmendur numra e shifra, ai e paraqiti qeverinë e tij si të suksesshme. Por, po të krahasohen punët që janë bërë me atë çfarë përmban programi qeverisës, dallimi është jashtëzakonisht i madh.

Miliona euro të bllokuara dhe të painvestuara në projekte tregojnë më së miri qasjen e qeverisë së Kurtit, që lëvdohet me shpërndarje parash në formë ndihmash për qytetarët, por që ka dështuar të krijojë politikë punësimi. Ai “qeni tapall” në QKUK është sinonim i gjendjes në sistemin shëndetësor, që nuk po ndryshon për të mirë. Sa për arsimin mjafton të thuhet se nga 160 çerdhet e premtuara për katër vjet, kanë nisur të ndërtohen vetëm katër.

Të gjithë e dinë që Albin Kurti dhe qeveria e tij nuk kanë shkop magjik, që t’i zgjidhin të gjitha problemet. Por, nuk janë fajtorë qytetarët që presin zgjidhje. Përgjegjës është Kurti dhe të tjerët në Vetëvendoje, të cilët premtonin zgjidhje për gjithçka, sipas logjikës “ata që kanë qenë në pushtet kanë bërë gjithçka keq, ne do të bëjmë gjithçka mirë dhe nuk do të jemi si ata”.

Kurti do të duhej të ishte i vetëdishëm për mundësitë dhe sfidat që do t’i ketë në qeverisje dhe ta kursente veten nga diskursi absolutist. Nëse ai prt që gazetarët nuk do ta përballin me të kaluarën e vet, atëherë e ka gabim. Nëse ai pret që Kurti kryeministër nuk do të ballafaqohet me Kurtin opozitar, e ka gabim sërish. Thellë thellë, atij vetë i mungon Albini i arkivës. Albini i pushtetit sikur s’po i bie tamam.