Teksa Vladimir Putin sulmon Ukrainën, duke thënë se po e denacifikon, Aleksandër Vuçiq mbështet në heshtje fashizmin e liderit rus. Asgjë e jashtëzakonshme për një ish-ministër të regjimit të Millosheviqit, që nuk ka shprehur as një grimë keqardhje për krimet e kryera në Kosovë. Lojëra të liga fashistësh
Shkruan: Imer Mushkolaj
“Çmilitarizimi dhe denacifikimi” i Ukrainës u dhanë si arsye nga presidenti rus Vladimir Putin për nisjen e pushtimit të shtetit fqinj. Pra Putin, i cili sulmoi një shtet të pavarur, duke e bombarduar dhe duke vrarë qindra civilë që në ditët e para, zgjodhi të jep leksione thua se është antifashisti më i madh ndërkohë që qasja e tij, jo vetëm tash ndaj Ukrainës, nuk dallon fort nga ajo e liderit fashist gjerman 80 vjet më parë.
Ndërkohë që bota po dënon agresionin rus, por nuk ka një përgjigje të fortë dhe të duhur nga BE, NATO e SHBA, Putin po avancon në qëllimin e tij për ta shkatërruar Ukrainën. Dhe, në gjithë këtë solidaritet me ukrainasit dhe kundër veprimit të shtetit rus, ekzistojnë veç dy shtete në kontinentin e vjetër që mendojnë ndryshe: Bjellorusia e Lukashenkos dhe Rusia e Vuçiqit.
Që nga vitti 1999 Serbia vajton se një pjesë e territorit – sipas perspektivës së saj – iu paska marrë me zor nga Perëndimi dhe iu paska dhënë shqiptarëve. Pra, më shumë se dy dekada Serbia flet për cenim sovraniteti e integriteti territorial, duke mos marrë as përgjegjësinë më të vogël për krimet e tmerrshme të kryera në Kosovë. Por tash, kur aleati i Vuçiqit, Putin, cenon integritetin dhe sovranitetin e një shteti tjetër, siç është Ukraina, Serbia hesht dhe nuk shpreh aq keqardhjen më të vogël për jetët e humbura nga agresioni rus. Qasje kjo që edhe mund të arsyetohet, nëse merret parasysh se vjen nga një udhëheqas shtetëror si presidenti serb, i cili vetë ishte pjesë e pushtetit fashist që shkaktoi mijëra viktima dhe shumë shkatërime në Ballkan.
Që nga viti 1999 Serbia vajton bombardimet e NATO’s, sidomos në Beograd. Por tash, kur Putin urdhëron forcat ushtarake që të bombardojnë qytete në Ukrainë, Serbia sërish hesht. Vuçiç, një politikan kalkulant të cilit deri tash i ka ecur mirë si me Rusinë, ashtu edhe me Perëndimin, nuk gjen asnjë arsye të njerëzishme që të deklarohet për tmerrin që po shkakton Putini në Ukrainë.
* * *
Duke njohur pavarësinë e dy rajoneve ukrainase dhe duke sulmuar ushtarakisht Ukrainën, Putin po përpiqet të arsyetohet se nuk bëhet fjalë për okupim të një shteti jetër, por për një “ndihmë miqësore” popullit ukrainas që jeton në lindje të vendit. Por, qëllimi i veprimeve të tilla është i qartë: mbajtja me dhunë e Ukrainës në sferën ruse të ndikimit. Kësaj i ka ndihmuar edhe qasja e mefshtë e BE’së dhe NATO’s, që kan qenë të lëkundura për të ardhmen e këtij vendi. Vetë presidenti ukrainas bëri të ditur se asnjë nga liderët e 27 shteteve të BE’së nuk i ka dhënë përgjigje të qartë lidhur me anëtarësimin e vendit të tij në aleancën veriatlantike.
Mosdënimi në mënyrë të qartë i agresionit rus në Ukrainë e vendos Serbinë përfundimisht në anën tjetër. Ky qëndrim do të duhej të ishte sinjal i qartë për BE’në se me çfarë shteti
“demokratik” ka të bëjë. Por, do të duhej të ishte tregues i qartë edhe për vendet tjera të rajonit. Heshtja e Serbisë, sado e turpshme të duket, është më tepër se kaq. Është rreshtim i pastër krah fashizmit të Putinit.
Serbia është e varur nga Rusia jo vetëm sa i përket gazit të aranzhuar me çmim të volitshëm, por edhe nga fuqia e shtetit që i shërben si mburojë në organizma të tjerë, siç është Këshilli i Sigurimit i OKB’së. Një arsye tjetër pse Vuçiq hesht ose jep deklarata sa për sy e faqe në lidhje me agresionin rus në Ukrainë janë edhe zgjedhjet e 3 prillit. Marrë parasysh se një pjesë e madhe e trupit votues në Serbi është proruse, Vuçiq i bën llogaritë duke pasur parasysh këtë situatë dhe dëmin që mund t’ia shkaktojë çfarëdo deklarate “e papërshtatshme”.
* * *
Gjithë këtë situatë të re, në të cilën haptazi po shihet pafuqia e europianëve për t’i dalë në pritë Putinit agresor, Kosova duhet të dijë si të gjendet. Dialogun po e zhvillon me Serbinë, e udhëhequr nga Vuçiq që mbështet fashizmin e Putinit. Pas kësaj qasje të presidentit serb, Kosova duhet të rishqyrtojë qasjen e vet, duke analizuar sa dhe si ia vlen të negociohet me të? Çdo lëshim pe – qoftë edhe sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve të prillit në territorin e Kosovës – do ta ketë çmimin e vet. Andaj, Kosova duhet të insistojë që ta forcojë pozicionin e vet, pavarësisht se për BE’në Vuçiq është një demokrat. Megjithatë, ai është veç një fashist i vogël.