“Të parin në shesh do ta varja Halil Matoshin” - Gazeta Express
string(44) "te-parin-ne-shesh-do-ta-varja-halil-matoshin"

“Të parin në shesh do ta varja Halil Matoshin”

OP/ED

Gazeta Express

24/12/2022 16:41

Një rrëfim personal për banalitetin e të keqës, që e përfaqëson injoranti Fehmi Berisha dhe bashkëinjorantët si ai, të cilët nuk kanë asnjë dije racionale për ideogjinë e së keqes…

Nga Halil Matoshi

Lexo Edhe:

Në një draft të shkruar për një debat rreth Eichmann-it në Jerusalem, në Kolegjin Hofstra në vitin 1964, Hannah Arendt theksoi sefte se banaliteti i të keqës do të thotë: “Pa rrënjë”, jo e rrënjosur në “motive të liga” ose “nxitje” ose forcë “tundimi” (natyra njerëzore) ose ‘E keqe qofsh e mira ime: Richard III’ etj.”

A mund të bëjë dikush të keqen pa qenë i keq?

Kjo ishte pyetja e çuditshme me të cilën u ndesh filozofja Arendt kur raportoi për The New Yorker në vitin 1961 mbi gjyqin për krime lufte të Adolph Eichmann, operativit nazist, përgjegjës për organizimin e transportit të miliona hebrejve dhe të tjerëve në kampe të ndryshme përqendrimi në mbështetje të zgjidhjes përfundimtare të problemit hebreak.

Pse e vrau Zoti Merso -personazhi i Albert Csmus-it te “I huaji”, arabin dhe a mund të sqarohet nga këndi i të “ligës pa rrënjë”, siç e interpretoi filozofja Hannah Arendt, banalitetin e të keqës.

Dhe a bëri këto të liga Enver Hoxha nga mosdija e thellë filozofike për idelogjinë e së keqës?

Për “Sulltanin e kuq” të Tiranës nuk ka më çfarë të zbulohet. Dihen të gjitha. Ai u bë komunist rastësisht dhe diktator mizor domosdoshmënisht.

Dihet poashtu që nuk ka marrë pjesë në asnjë betejë partizane dhe e ka urrejtur shqiptarin verior si “malok” e reaksionar!

Në çfarëdo rrethane, po të mos ishte shtetndërtimi kosovar hibrid, kosovar e perendimor, ky shkrim nuk do të shkruhej kurrë, sepse komunistët stalinistë e kanë aplikuar me përpikmëni doktrinën hegeliane të përplasjës së dy fushave të tensionit duke justifikuar dhunën për arritjën e qëllimit më të lartë!

Alen Bezanson, një ndër filozofët e politologët më të shquar bashkëkohorë francezë, në librin e tij “Fatkeqësitë e shekullit”, nazizmin hitlerian dhe komunizmin i quan në një masë të barabartë – sisteme kriminale. Që të dy, në të njëjtën masë, lejuan krimet masive dhe gjenocidin. Që të dy sistemet vranë miliona njerëz.

Komunizmi, që krijoi çarjen më të madhe në historinë e shqiptarëve, tashmë, nën dritën e arkivave, dokumentave e studimeve të reja, nuk ka pikë dyshimi se u krijua, themelua dhe u organizua sipas një plani të detajuar të Partisë Komuniste Jugosllave, nëpërmjet emisarëve të saj, para së gjithash, të Miladin Popović-i dhe Dušan Mugoša-s.

“Nën urdhrat, miratimet dhe tutelën e komunistëve jugosllavë, u formua e ashtuquajtura Parti Komuniste Shqiptare (PKSH), e cila vuri në jetë, deri në mishërim të plotë, planin e aneksimit të Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore dhe kontrollin e pushtetit politik dhe ekonomik mbi Shqipërinë, përmes të zgjedhurit dhe të nënshtruarit të tyre, Enver Hoxhës. Kontrolli i pushtetit të komunistëve jugosllavë mbi luftën, Miladinit dhe Dušanit, nëpërmjet Enver Hoxhës dhe ultraekstremistëve të majtë me sens antikombëtar (Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ramadan Çitaku, Koçi Xoxe e Liri Gega), i dha kthesë tragjike dy përpjekjeve serioze të nacionalistëve shqiptarë dhe krahut të moderuar me sens kombëtar (Mustafa Gjinishi, Sejfulla Malëshova, Koço Tashko, e Ymer Dishnica) për krijimin e një fronti të përbashkët të çlirimit nga pushtuesi fashist dhe prosperitetin e Shqipërisë.”

(Nga Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist, Tiranë, 2012.)

Sëkëndejmi është provuar e faktuar se enverizmi ishte krahu terrorist i Partisë Komuniste shqiptare.

Po t’ishin pyetur enveristët, me të cilët na duhej të bashkëpunonim në vitet ‘90 sepse, kundër mizorive serbiane, ne ishim të gatshëm të bashkëpunonim edhe me djallin, nuk kisha arritur kurrë të bëhem pjesë e rezistencës antifashiste, kur Slobodan Milošević u betua në Shën Viton, në fushën e mlliave, që do të na arrestonte e do të na vriste, rastësusht si njerëz e domosdoshmërisht si shqiptarë etnikë, duke e zbatuar projektin e tij ‘Etničko čišćenja’ (spastrim etnik.)

Dhe po, më arrestuan më 1990 me një dyzinë “parlamentarësh të rinj”, duke na kercēnuar se do të na bënin një gjyq legjendar ku “do t’i hanim” nga 20-vjet burgim për shoq.

Porse Jugosllavia hoqi grahmat e saj të fundit e ne “u nxorrëm” mrekullisht!?

Po të mos të shpërbëhej shteti federal i Titos, ndoshta nuk do ta kisha fatin e Visar Zhitit, të dal i gjallë nga ferri e të dëshmoja për strukturën e fundbotshme.

Më 1999 më morrēn peng lufte dhe më katandisën në kampin e përqëndrimit ‘Zabela’, porse ndërkohë (pas rreth një viti) fashizmi u godit në Beograd e Milošević u arrestua dhe për të dytën herë shpëtova mrekullisht, gjallë!?

‘Voždi’ Milošević kur serbëve kosovarë u shkarkoi armë me kamionë, disa i mbushën plemet e tyre me armë e shpirtërat me urrejtje.

Në anën tjetër, enveristët paranojakë, po të mos ishte Kosova nën kontrollin perëndimor, do ta kishin kombinuar komunizmin orthodoks me polpotizmin, duke ia ndajshtuar mujshinë poshtëruese shqiptare.

Qe vetëm pak të dhëna nga kronika enveriste që e përkufizojnë këtë mekanizëm terrorist që u kombinua mirë me mujshinë egërshane shqiptare.

Pasi ia prenë këmbët me sopatë, Dom Lazër Shabto u pushkatua, Papa Josif Papamihali u mbyt në baltën e kënetës së Maliqit, At Serafin Koda vdiq, pasi hetuesi e mbyti me thonj në fyt e Maria Tuci u mbyll në thes me një mace dhe e qëllonin me shkop.

Janë këto dëshmi të dokumentuara, rrënqethëse e të denja për në Mesjetë. Ata kosovarë që janë çmistu të thonë së janë dy Envera, i miri i Kosovës dhe ai i keqi i Shqipërisë, duhet të ndiejnë trazimin: Nuk janë dy Envera. Është një mendje kriminale.

Po të mos shkapërderdhej sistemi që e mirëmbante këtë strukturë inferno – komunizmi – dhe po të ekzistonte mundësia e udhëtimit në kohë, ksokohe, teenegerat e Prishtinës do të bënin selfie me Iphone 14 plus, me një të varur në prapavijë, në blirin para Komiteti, në sheshin kryesor të Prishtinës, nga ku më 1 prill 1981 fliste Hydajet Hyseni se komunizmi i tyre ishte më i bukur!

Kurse unë me gati tërë klasën e katërt të shkollës ‘Miladin Popović’ (koinçidencë?) dëgjojshim poshtë tij, duke e besuar!?

Sot, të njëjtat turma që brohorisnin në Letanc të Podujevës “Rrnoftë Halil Matoshi” më 1990, kishin me britë “Poshtë tradhtari H.M!”

Janë po ata, vetëm se më të shtyrë në moshë e më të rrjedhur nga mendja.

Sepse turmave, në secilën epokë, u duhet një tabelë për qitje, një mur turpi. Dhe për këtë kujdesën ideologët terroristë, duke e fabrikuar një armik kujdestar. Që tregimi për “kuzhinat serbe” të jetë poaq i besueshëm. Po të ishin enveristët më me shumë jetë, dikush do të shikonte pas perdeve me frikë, tek arrestohet fqinji i parë, e dikush do të përshëndetej me grusht para një armiku që ishte antifashist më 1990.

Secila kohë i ka do njerëz që turmave u pëlqejnë tek luhatën n’ litar.

Dhe ashiqare do tjerë që s’guxojnë të afrohen për t’i zbritur nga litari.

Megjithatë, unë kam kaluar nepër strukturat “e banalitetit të së keqes” që, Giorgio Agamben i përshkruan si biopolitikë, hapësira për jetë të zhveshur, sëkëndejmi nuk e kritikoj komunizmin enverian nga prizmi i ideologjisë antienveriste por nga brenda, sepse banalitetin e të keqës e kam ndie në nerv, e kam parë me sy dhe shpaguar me lëkurë!

Me më shumë fat e zgjatim në kohë të hijeve futë, të komunistëve enveristë, zdralanave morracakë dhe më shumë ndihmë nga vëllëzërit e tyre për nga armët, jugosllavët zhugana me titovka, e më ma pak fat për mua, sot teeneger-at e Prishtinës do të bënin selfie me një trup të varur në sheshin Nëna Terezë…

Banaliteti i të keqës i F. Berishës është pa rrënjë. Në këtë sens Enveri është si Eichmann-i!?

Por jo, banaliteti i së keqës si koncept është i rrënjosur thellë në mendjën kriminale.

Dhe i përsëritshëm.