Të paktën 42 persona janë vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur në lindje të Chad, pas përleshjeve mes grupeve rivale etnike që nisën nga një mosmarrëveshje për një pus uji, bëjnë të ditur autoritetet.
Konflikti ndodhi në provincën Wadi Fira, ku fillimisht përfshinte dy familje, por më pas u përshkallëzua në sulme hakmarrëse që u përhapën në një zonë të gjerë. Si pasojë, disa fshatra janë djegur plotësisht raporton BBC.
Qeveria e Chad njoftoi se një delegacion i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Limane Mahamat është dërguar në zonë, ndërsa situata thuhet se tashmë është vënë nën kontroll.
Përplasjet e tilla janë të shpeshta në këtë vend të Afrikës Qendrore, ku tensionet mes fermerëve dhe barinjve, si dhe ndarjet etnike, kanë krijuar konflikte të vazhdueshme. Shpesh ato nxiten nga konkurrenca për burime jetike si uji dhe tokat për kullotë.
Situata është përkeqësuar edhe më tej nga ardhja e refugjatëve që ikin nga lufta civile në Sudan, duke rritur presionin mbi burimet dhe sigurinë në zonat kufitare.
Autoritetet kanë deklaruar se po marrin masa për të parandaluar që konflikti në Sudan të destabilizojë më tej rajonin kufitar.