Një zjarr i madh përfshiu një lokal në Bangkok vonë të dielën, duke vrarë të paktën 28 persona dhe duke lënë 25 të tjerë në gjendje kritike, shkruan BBC.
Zjarri shpërtheu pranë skenës së lokalit në distriktin e njohur Chatuchak, më pas u përhap me shpejtësi, duke ndërprerë energjinë elektrike dhe duke mbushur ambientin me tym, thanë dëshmitarët.
Pamjet e publikuara në internet tregojnë klientë të tmerruar duke bërtitur ndërsa iknin – disa me rrobat në flakë – përmes hyrjes së përfshirë nga zjarri të lokalit Rong Beer Na Lat Phrao.
Zjarrfikësit, të cilët mbërritën në vendngjarje pak pas mesnatës, e shuan shpejt zjarrin. Ata gjetën trupat e shumicës së viktimave në një banjo, ku duket se kishin kërkuar strehim.
“Shumica e njerëzve që humbën jetën u gjetën në tualete. Kur shpërtheu zjarri, ata u kapën nga paniku. Nuk kishte drita”, tha shefi i Policisë Kombëtare, Kitrat Panphet.
Kaew-udon Poungppany, 24 vjeç, nga Laosi, me lot në sy përshkroi përpjekjen për të arritur te vëllai i tij më i vogël, i cili nuk mbijetoi.
“Mora një fikës zjarri dhe e spërkata derën… por nuk munda të shkoja më tej. Dëgjova njerëz duke bërtitur”, u tha ai gazetarëve.
Një e mbijetuar arriti të shpëtonte vetëm pak sekonda pasi kishte dalë jashtë për të pirë një cigare, raportoi agjencia e lajmeve Reuters. “Pati një shpërthim – një shpërthim shumë i shpejtë… Nuk kishte asnjë mënyrë për të dalë”, tha 41-vjeçarja Usa Tadsree.
Ajo përshkroi se si pa ekipet e shpëtimit duke nxjerrë trupin e një shoqeje me të cilën vetëm pak minuta më parë po pinte dhe po shijonte muzikën.
“E humba fare kontrollin”, tha ajo. “Dukej sikur ishte në gjumë”.
Hetimet paraprake nga departamenti i menaxhimit të fatkeqësive në Bangkok sugjerojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një qark i shkurtër elektrik në një kondicioner, megjithëse ende nuk është dhënë një shkak zyrtar.
Autoritetet kanë premtuar hetim të plotë.
Kjo nuk është hera e parë që një incident i tillë ndodh në Tajlandë.
Pavarësisht premtimeve zyrtare për përmirësimin e standardeve të sigurisë kundër zjarrit dhe atyre elektrike pas incidenteve të mëparshme, ato shpesh vazhdojnë të zbatohen dobët.