Ta mbështesim Kurtin dhe qeverinë për t'u shëruar nga kjo sëmundje - Gazeta Express
string(65) "ta-mbeshtesim-kurtin-dhe-qeverine-per-tu-sheruar-nga-kjo-semundje"

Berat Buzhala

13/03/2020 19:01

Ta mbështesim Kurtin dhe qeverinë për t’u shëruar nga kjo sëmundje

Berat Buzhala

13/03/2020 19:01

Për shkak të kësaj situate të jashtëzakonshme, që ndodh njëherë në 100 vjet, ne si medium mendojmë që tash nuk është koha për një luftë të brendshme politike. Kosova është një shtet i varfër dhe me resurse të limituara. Prandaj, për ta përballuar këtë gjendje, që ka mundësi që të rëndohet edhe më tepër, është vetëm një mundësi: Nëse të gjithë ne bëhemi bashkë, si politikë, si media dhe si shoqëri civile.

Tashmë po e shihni situatën më të fundit në vend. Kosova as nuk është e as nuk do të duhej të ishte karantinë. Asnjë virus e asnjë sëmundje nuk njeh etni, religjion, racë dhe gjeografi. Në kohë krizash dhe fatkeqësish të gjithë jemi vëllezër. Të gjithë e kemi vec një qëllim: të shpëtojmë sa më shumë. Dhe kjo gjë shumë më lehtë thuhet se sa bëhet. Në një shkrim të tij në The New York Times, kolumnisti me renome botërore David Brooks, në mes të tjerash tha: Luftërat i bëjnë bashkë njerëzit, shkojnë pas njëri tjetërit, kurse epidemitë dhe pandemitë i ndajnë njerëzit, secili ikë prej secilit. Ikë fqiu prej fqiut, kushëriri prej kushëririt, e ka mundësi ikë edhe vëllai prej vëllait. E tillë është natyra njerëzore.

Lexo Edhe:

Pra, në një datë dhe në një ditë mjaft simbolike për të gjithë supersticiozet, të premten me 13, ekspertët mjekësor të Kosovës i identifikuan dy rastet e para me virusin Covid 19, që në gjuhë më të përgjithësuar po quhet vetëm si coronavirus. Është një i moshuar 77 vjecar nga rrethi i Vitisë, i cili mendohet që ka ardhur në Kosovë para tri ditësh nga Italia dhe një shtetase, gjithashtu italiane, e moshës 20 vjecare. Ka gjasa reale që numri faktik është më i madh se sa dy, mirëpo për momentin ne i dimë zyrtarisht dy.

Siç është bërë e ditur tash disa herë nga ekspertët e mjekësisë, brenda këtij lajmi të keq, këtij vrasësi serik, mund të gjendet edhe ndonjë lajm i mirë. Ai i kursen fëmijët, kurse në mesin e të dy gjinive, ai i godet burrat më shumë se sa gratë. Viktimat kryesore janë prindërit dhe gjyshërit tanë, si dhe ata që kanë probleme kronike shëndetësore. Tek tuk, jashtë statistikave normale, del edhe ndonjë rast kur viktima mund të janë persona të moshës së mesme pa asnjë problem kronik, por këto janë raste të rralla. Kurrë mos e harroni, se shumë prej nesh ka mundësi që do të prekemi prej këtij virusi, ai do të largohet prej nesh, kurse ne nuk do të shfaqim asnjë simptom, ose vetëm ndonjë të lehtë. Janë mbi 80 per qind të të prekurëve që situatën e kalojnë duke u trajtuar në shtëpi. Sido që të jetë, kur epidemia shtrihet masovikisht në shkallë të vendit, kur i prekë mbi 50 për qind të popullatës, shifra prej 20 për qind nuk është e vogël, ndonëse, sipas ekspertëve amerikanë, nëse tretmani është i duhur dhe me kohë, me fatalitet përfundojnë vetëm rreth 1 per qind të të prekurëve.

Në këtë situatë, Gazeta Express dhe T7 janë mobilizuar si kurrë më parë për të kryer punën në mënyrë të saktë, pa panik, pa ekzagjerime dhe pa neglizhime. Në mënyrë profesionale. Për t’u përballur me këtë problem shumica dërrmuese e stafit tashmë janë duke u marrë vetëm me këtë cështje. Në anën tjetër, një pjesë e stafit, intensivisht është duke përkthyer dhe botuar në Gazetë Express shkrime të mediave botërore me besueshmëri të lartë, për cdo gjë që ndodh në pjesët e tjera të planetit, qoftë për mënyrën e përhapjes së virusit, ose për mënyrën e trajtimit të tij.

Për shkak të kësaj situate të jashtëzakonshme, që ndodh njëherë në 100 vjet, ne si medium mendojmë që tash nuk është koha për një luftë të brendshme politike. Kosova është një shtet i varfër dhe me resurse të limituara. Prandaj, për ta përballuar këtë gjendje, që ka mundësi që të rëndohet edhe më tepër, është vetëm një mundësi: Nëse të gjithë ne bëhemi bashkë, si politikë, si media dhe si shoqëri civile.

Në javët e kaluara Kosova ishte futur në një situatë të tendosur politike, për shkak të heqjes ose jo të taksës ndaj mallrave serbe. Për shkak të pandemisë, kjo betejë duhet të shtyhet për një kohë tjetër më të përshtatshme. Kryeministrin Kurti nuk do ta pengonte asgjë që ta hiqte taksën edhe tash, mirëpo edhe nëse vendos që këtë temë ta trajtojë  me kokëfortësi, askush nuk duhet të shkojë pas kokës së tij. Shteti dhe shoqëria duhet të rreshtohen pas tij, e ai duhet të tregohet bashkëpunues me të gjithë të tjerët. Kjo nuk është koha e volitshme për të rrëzuar kryeministra. Kjo është koha e vetme e duhur për t’u bërë bashkë. Ne mund t’i dalim në krye kësaj sëmundje nëse të gjithë do të shtyejmë në një drejtim. Do të kemi kohë për thika pas dhe prapa shpinës. Do të kemi kohë për bërryla dhe ndërskambca. Mirëpo kurrë nuk do të kemi kohë që ta kthejmë kokën mbrapa për ta trajtuar më mirë sëmundjen. Tash janë të rëndësishme orët dhe minutat. Sa më shumë që bashkëpunojmë, aq më shumë do të mund ta parandalojmë përhapjen e saj. Mungesa e vëmendjes dhe koncentrimit është aleatja më e madhe e sëmundjes më të rëndë të këtij shekulli.

Deri më tash duket që qeveria është duke e bërë punën e saj në mënyrë të duhur. Ministrat si Vitija, Bajrami apo Abdixhiku janë kompetent dhe serioz për t’u përballur me problemin. Këta duhet të na drejtojnë tash e tutje që të shërohemi prej kësaj sëmundje. Lojërat normale politike i vazhdojmë kur ta kalojmë këtë lumë.