Manchester United po punon me ritëm të shpejtë për ta finalizuar largimin përfundimtar të Marcus Rashfordit, para se skuadra të nisë fazën vendimtare të përgatitjeve për sezonin e ri.
“Djajtë e Kuq” duan që e ardhmja e sulmuesit anglez të zgjidhet para udhëtimit të ekipit të parë drejt kampit stërvitor në Dublin, në fillim të muajit gusht.
Sipas raportimeve në Angli, United ka vendosur si objektiv që transferimi i Rashfordit të kryhet para udhëtimit në Irlandë, pas miqësores ndaj Paris Saint-Germain në Gothenburg. Klubi dëshiron një ndarje të pastër me 28-vjeçarin dhe nuk dëshiron që situata e tij të mbetet e hapur gjatë fazës përgatitore.

Një tjetër arsye për urgjencën është kalendari i lojtarëve që kanë qenë të angazhuar në Botëror. United pret që futbollistët e përfshirë në turne të rikthehen në detyrat me klubin rreth datës 9 gusht, gjë që e ngushton edhe më shumë hapësirën për të gjetur zgjidhje.
Rashford, nga ana e tij, e ka bërë të qartë se dëshiron një kapitull të ri larg “Old Trafford”. Ai kishte kërkuar që e ardhmja e tij të zgjidhej para nisjes së Botërorit, por në mungesë të një marrëveshjeje, vendosi ta shtynte çështjen deri pas përfundimit të angazhimeve me Anglinë.
“Kam qenë shumë i qartë me të gjithë para Botërorit. Doja që transferimi të kryhej më herët. Nëse jo, atëherë doja që të priste deri pas turneut. Dua të jem plotësisht i përqendruar në këtë moment. Po luftojmë për diçka të veçantë”, ka deklaruar Rashford.
Sulmuesi pati një periudhë të suksesshme huazimi te Barcelona, ku shënoi 14 gola dhe ndihmoi katalanasit ta mbronin titullin në La Liga. Megjithatë, transferimi i përhershëm në “Camp Nou” nuk u realizua.
Barcelona kishte opsion për ta blerë Rashfordin për 26 milionë paundë, por klauzola skadoi më 15 qershor. Klubi katalanas vendosi të shpenzonte 70 milionë paundë për Anthony Gordon, duke mbyllur praktikisht derën për anglezin.
Tottenham është përmendur si një nga klubet e interesuara, por Rashford besohet se dëshiron një skuadër që luan në Ligën e Kampionëve. Forma e tij gjatë huazimit në Spanjë ia riktheu vendin në kombëtaren e Anglisë dhe tregoi se ai ende mund të konkurrojë në nivelin më të lartë evropian.

United, ndërkohë, ka ndryshuar qëndrim për të ardhmen e lojtarit. Klubi nuk dëshiron më një tjetër huazim dhe këmbëngul vetëm për shitje përfundimtare.
Pas vendimit për ta lejuar Andre Onanan të kalojë te Trabzonspor në formë huazimi për sezonin 2026/27, drejtuesit në “Old Trafford” po synojnë të krijojnë të ardhura përmes shitjeve të përhershme. Një shembull është largimi i Rasmus Hojlundit te Napoli për 38 milionë paundë.
United tashmë po përgatitet edhe për jetën pa Rashfordin. Në listën e emrave që po shqyrtohen si zëvendësues është edhe anësori i West Hamit, Crysencio Summerville.
Për momentin, presioni është i madh mbi klubin dhe lojtarin. United dëshiron fonde dhe qartësi para fazës përgatitore, ndërsa Rashford kërkon një ambient të ri ku mund të jetë sërish protagonist.
Afati i fillimit të gushtit shihet si pikë kyçe. Nëse nuk gjendet marrëveshje deri atëherë, Manchester United rrezikon ta nisë përgatitjen me një çështje të pazgjidhur dhe me një lojtar që e ka bërë të qartë se e sheh të ardhmen larg “Old Trafford”. /GazetaExpress/