Gjykata Supreme i ka refuzuar si të pabazuara pesë ankesat e paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilat kishin të bënin me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Këto aktgjykime tani i hapin rrugën certifikimit të rezultateve, e më pas formimit të institucioneve, duke nisur nga konstituimi i Kuvendit.
Supremja bëri të ditur se vendimet e PZAP-së janë marrë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndërsa asnjë nga ankesat nuk është mbështetur me prova bindëse që do të arsyetonin ndërhyrjen në rezultatet zgjedhore.
Lidhur me ankesën e paraqitur nga Lista Serbe, e cila u ankua se një subjekt rival politik kishte siguruar një mandat në Kuvend duke marrë vota “në komuna dhe vendvotime me shumicë shqiptare”, Supremja tha se pretendimet ishin “të pabazuara”.
“Gjykata gjithashtu konstaton se ankuesi nuk ka paraqitur prova konkrete që do të dëshmonin manipulim të votave ose ndonjë parregullsi tjetër zgjedhore që do të ndikonte në rezultatin zgjedhor. Pretendimet e paraqitura mbështeteshin në supozime dhe krahasime statistikore, të cilat, sipas Gjykatës, nuk përbëjnë bazë ligjore për ndërhyrje në rezultatin zgjedhor. Po ashtu, Gjykata vlerëson se vetë subjekti politik që kishte fituar mandatin e kontestuar është subjekt i regjistruar për përfaqësimin e komunitetit serb, prandaj nuk mund të konsiderohet se është cenuar mekanizmi kushtetues i vendeve të garantuara”, thuhet në njoftim.
Gjykata refuzoi edhe dy ankesat e kandidates së Nova Demokratska Stranka (NDS), Emilija Rexhepi, e cila kërkonte anulimin ose verifikimin e votave mbi bazën e strukturës etnike të vendbanimeve, me arsyetimin se legjislacioni zgjedhor nuk e lidh vlefshmërinë e votës me përkatësinë etnike të votuesit dhe se nuk ka bazë kushtetuese apo ligjore për kategorizimin e votave sipas etnisë.
“Gjykata vlerëson se pretendimet e ankueses mbështeten në interpretime statistikore dhe demografike, të cilat nuk përbëjnë bazë ligjore për të vënë në dyshim vlefshmërinë e votave apo rezultatin zgjedhor. Legjislacioni zgjedhor i Republikës së Kosovës nuk parashikon strukturën etnike të popullsisë si kriter për vlerësimin e ligjshmërisë së votimit apo të rezultateve zgjedhore”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Gjykata hodhi poshtë edhe ankesën e kandidatit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili kërkonte rinumërimin e plotë të votave preferenciale të kandidatëve të partisë së tij. Sipas vendimit, raporti i KQZ-së për rinumërimin e 185 vendvotimeve nuk dëshmonte parregullsi sistematike, ndërsa korrigjimet e evidentuara ishin sporadike dhe nuk cenonin besueshmërinë e rezultatit përfundimtar.
“Gjykata Supreme vlerëson se ankuesi nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme që do të arsyetonin rinumërimin e plotë, ndërsa raporti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e 185 vendvotimeve nuk përbënte bazë të mjaftueshme për një masë të tillë. Gjykata vlerëson se korrigjimet e evidentuara apo të pasqyruara në raport, nuk krijojnë një bazë objektive për të konkluduar se procesi i numërimit është karakterizuar nga parregullsi sistematike. Natyra dhe shpërndarja e këtyre korrigjimeve tregojnë se ato kanë qenë sporadike dhe nuk kanë arritur një intensitet të tillë që do të cenonte besueshmërinë e rezultatit përfundimtar apo integritetin e procesit të numërimit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu u refuzua edhe ankesa e kandidatit tjetër të PDK-së, Qëndrim Kryeziu, i cili pretendonte se raporti i KQZ-së dëshmonte një defekt sistematik në procesin e numërimit dhe kërkonte rinumërim të plotë të votave preferenciale si dhe pezullimin e certifikimit të rezultateve.
“Nga shqyrtimi i shkresave të lëndës, Gjykata Supreme konstatoi se PZAP kishte shqyrtuar në mënyrë të rregullt pretendimet e ankuesit dhe kishte arritur në përfundimin se ankesa ishte e pabazuar. Gjykata vlerëson se pretendimet e paraqitura mbështeteshin në të njëjtat të dhëna dhe rezultate të rinumërimit që kishin qenë objekt i shqyrtimit edhe më parë, ndërsa raporti i KQZ-së nuk provonte ekzistencën e parregullsive sistematike që do të impononin rinumërim të plotë të votave. Gjithashtu, u vlerësua se rinumërimi i 185 vendvotimeve ishte realizuar në kuadër të mekanizmave të kontrollit të paraparë me legjislacionin zgjedhor dhe jo si pasojë e konstatimit të parregullsive sistematike në procesin e numërimit. Ndaj, Gjykata Supreme vlerëson se vendimet e PZAP-së janë marrë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe se pretendimet ankimore nuk janë mbështetur me prova bindëse që do të justifikonin ndërhyrjen në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.