Sulmi ndaj aktivistit të VV’së nga Policia dhe truprojat e Presidentit, reagon Policia - Gazeta Express
string(84) "sulmi-ndaj-aktivistit-te-vvse-nga-policia-dhe-truprojat-e-presidentit-reagon-policia"

Sulmi ndaj aktivistit të VV’së nga Policia dhe truprojat e Presidentit, reagon Policia

Gazeta Express

04/06/2020 16:05

Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim lidhur me arrestimin e një qytetari pranë Kuvendit të Kosovës nga truproja e Presidentit Hashim Thaçi dhe Policia për shkak se e quajti Thaçin “hajn”, derisa ky po mbante konferencë në oborrin e Kuvendit.

Policia thotë se aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje është arrestuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike, ndërsa shton se atij i është ofruar trajtimi mjekësor dhe avokati.

Lexo Edhe:

“Referuar rastit të ndodhur me 03.06.2020 afër Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku është ndaluar një person për ‘prishje të rendit dhe qetësisë publike’, Policia e Kosovës lidhur me këtë rast i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimeve ligjore që ka”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Personit të shoqëruar në stacionin policor i është ofruar trajtimi mjekësor si dhe sipas detyrës zyrtare i është caktuar avokati mbrojtës”.

Në media është publikuar videoja kur truprojat e Presidentit kalojnë rrethojat për ta zënë personin që bënte thirrje nga jashtë oborrit, e të cilin më pas e arrestuan. Policia thotë se Inspektorat Policor tashmë po merret me sjelljen e zyrtarëve policorë.

“Njëkohësisht lidhur me veprimet e zyrtarëve policorë, sipas dispozitave të parapara ligjore është informuar Inspektorati Policor, për trajtim dhe kompetencë të mëtejme të rastit. Policia e Kosovës bashkëpunon ngushtë me institucionet e drejtësisë dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe mbetet e përkushtuar në respektimin e të drejtave të njeriut në zbatim të detyrave dhe autorizimeve ligjore”, përfundon njoftimi.