Starmer jep sinjal për pushim zyrtar nëse Anglia fiton Botërorin - Gazeta Express
string(64) "starmer-jep-sinjal-per-pushim-zyrtar-nese-anglia-fiton-boterorin"

Futboll

Gazeta Express

09/07/2026 9:59

Starmer jep sinjal për pushim zyrtar nëse Anglia fiton Botërorin

Futboll

Gazeta Express

09/07/2026 9:59

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka dhënë sinjalin më të fortë deri më tani se Britania e Madhe mund të ketë një ditë pushimi zyrtar nëse Anglia shpallet kampione e botës.

Kombëtarja angleze ka arritur në çerekfinale të Kupës së Botës 2026, ku do të përballet me Norvegjinë e Erling Haalandit. Skuadra e Thomas Tuchel siguroi kualifikimin pas një fitoreje të vështirë 3-2 ndaj Meksikës në stadiumin “Azteca”, ndërsa Norvegjia bëri befasinë duke eliminuar Brazilin në New Jersey.

Anglia ka ende rrugë të gjatë përpara për ta kthyer futbollin “në shtëpi” dhe për t’i shtuar fanellës yllin e dytë, por besimi në vend po rritet gjithnjë e më shumë.

Deri më tani, Starmer kishte qenë i rezervuar ndaj thirrjeve për shpalljen e një dite pushimi për sukseset e kombëtareve angleze, madje edhe pas triumfeve të njëpasnjëshme të Lionesses në Kampionatin Evropian për femra.

Ai gjithashtu nuk pranoi kërkesat që tifozëve t’u jepej pushim për ta ndjekur ndeshjen ndaj Meksikës, e cila nisi në orën 01:00 sipas kohës britanike. Megjithatë, qeveria lejoi pub-et në Angli dhe Uells të qëndronin të hapura deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Tani, kryeministri në largim duket se ka zbutur qëndrimin e tij.

Duke folur me gazetarët gjatë samitit të NATO-s, Starmer u pyet për mundësinë e një “bank holiday” në rast triumfi të Anglisë në Botëror.

“Nuk dua ta prish fatin, por më pyesni sërish nëse arrijmë në finale”, deklaroi ai.

Starmer e cilësoi fitoren ndaj Meksikës si “një nga paraqitjet më të mira të Anglisë” që ka parë ndonjëherë. Ai konfirmoi gjithashtu se nuk kishte ndjekur shembullin e Donald Trumpit për të kërkuar anulimin e kartonit të kuq të Jarell Quansah.

Shembulli më i afërt vjen nga Skocia. Në qershor, Skocia u shpërblye me një ditë pushimi zyrtar për ndeshjen hapëse historike ndaj Haitit në Botëror, pas miratimit nga Mbreti Charles. Ideja ishte propozuar nga kryeministri skocez John Swinney, për të shënuar rikthimin e Skocisë në Kupën e Botës pas 28 vitesh.

Finalja e Botërorit 2026 do të zhvillohet më 19 korrik në “MetLife Stadium”, në New Jersey. Nëse Anglia arrin deri aty, Starmer pritet të jetë i pranishëm në stadium, ashtu siç ishte edhe në finalen e Euro 2024 në Berlin.

Sipas raportimeve në mediat britanike, data më e mundshme për një pushim shtesë zyrtar është e premtja, 24 korrik. Kjo do t’i jepte kohë skuadrës të kthehej nga Shtetet e Bashkuara dhe, në rast fitoreje, të pritej me paradë dhe festime madhështore.

Starmer, tifoz i njohur i Arsenalit, pritet të zëvendësohet në post nga ish-kryetari i Manchesterit të Madh, Andy Burnham. Megjithatë, dorëzimi i detyrës mund të shtyhet nëse Anglia shkon deri në finale dhe shkruan historinë.

Nëse “Tre Luanët” kalojnë Norvegjinë, në gjysmëfinale do të përballen me fituesin e çiftit Argjentinë – Zvicër, më 15 korrik në Atlanta.

Në anën tjetër të shortit, Franca, Maroku, Spanja dhe Belgjika janë kundërshtarët e mundshëm të Anglisë në finalen e madhe.

Për momentin, gjithçka mbetet e kushtëzuar nga fusha. Por mes tifozëve anglezë, ëndrra për titullin botëror dhe për një ditë feste kombëtare tashmë ka marrë formë. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement