Zgjaten hetimet me gjashtë muaj për Ilir Metën. Vendimi iu komunikua sot avokatit të ish- Presidentit të Republikës, Kujtim Cakrani, i cili pretendon se ky akt është në kundërshtim të plotë me ligjin.
“Thonë se nuk janë mbledhur provat për të dhe e mbajnë në burg Presidentin e Republikës. Nuk janë mbledhur prova, nuk ka asnjë fakt pse mbahet dhe është absurde që presidenti qëndron në paraburgim. Presidentit i është komunikuar akuza, afati mbaron nesër, teksa SPAK e ka shtyrë me 6 muaj, erdha dhe më dhanë vendimin sot. Problemi qëndron pse mbahet presidenti ende në paraburgim, ai nuk është kundër hetimit dhe procesit, por pse mbahet?”, tha avokati.
Mbajtjen në qeli të klientit të tij, Cakrani e konsideron inkuizicion, ndaj ekipi mbrojtës po përgatitet për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
“Thonë se po presin provat, presin një akt ekspertimi për ish-vjehrrën e tij, se ça lidhje ka Meta me ish-vjehrrën. Ne nuk jemi kundër hetimit, të hetojë gjithë ditën SPAK. Por kjo është kërkesa, tani jemi njohur me këtë vendim. Padyshim që do e kundërshtojmë. Ne do i pasqyrojmë edhe më vonë, do e vijojmë betejën deri në Strasburg. Po përgatiten edhe materialet për Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Cakrani.
Prokuroria e Posaçme SPAK e akuzon ish- presidentin e vendit dhe ish- gruan e tij, Monika Kryemadhin për Korrupsion, Pastrim Parash e fshehje të tyre.
Sotir Kllapi, prokurori i çështjes, pretendon se Ilir Meta kur ka shërbyer si ministër energjitike, në vend që të monitoronte mbledhjen e borxhit të prapambetur të faturave të energjisë në dëm të kompanisë CEZ, në fakt përdori pushtetin që shlyerja të bëhej përmes shoqërisë DIA që nuk i përmbushte kriteret e domosdoshme ligjore për të kryer një shërbim të tillë.
aaaaa