Sot zgjedhjet presidenciale në Iran, pritet fitorja e gjykatësit "vrasës" - Gazeta Express
string(70) "sot-zgjedhjet-presidenciale-ne-iran-pritet-fitorja-e-gjykatesit-vrases"

Lajme

Gazeta Express

18/06/2021 9:02

Sot zgjedhjet presidenciale në Iran, pritet fitorja e gjykatësit “vrasës”

Lajme

Gazeta Express

18/06/2021 9:02

Iranianët filluan të votojnë të premten në mëngjes në zgjedhjet presidenciale që pritet të fitohen nga një gjykatës besnik ndaj udhëheqësve fetarë, ndonëse pritet që procesi të injorohet nga një pjesë e madhe e popullsisë për shkak të pakënaqësisë me vështirësitë ekonomike dhe pushtetin e rreptë.

Me paqartësitë rreth përpjekjeve të Iranit për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 dhe rritjen e varfërisë pas disa vjetëve nën sanksionet amerikane, analistët po i shohin këto zgjedhje si referendum për menaxhimin e një vargu krizash nga pushteti.

Lexo Edhe:

“Secila votë vlen. Ejani dhe votoni dhe zgjidheni presidentin tuaj. Kjo është e rëndësishme për të ardhmen e vendit tuaj”, deklaroi lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, pasi e futi fletëvotimin e tij në kuti në kryeqytetin Teheran, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Khamenei, jep deklaratë pasi e hedh votën në kuti (Foto: Reuters)

Televizioni shtetëror shfaqi pamje me radhë të gjata të njerëzve duke pritur në qendrat e votimit. Mbi 59 milionë njerëz kanë të drejtë vote. Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 19 e 30, por kjo mund të shtyhet për dy orë. Rezultatet pritet të dalin në mesditën e së shtunës.

Ebrahim Raisi, aleat i ngushtë i Khameneit, është favorit për t’u bërë pasardhës i presidentit të deritashëm, Hassan Rouhani. Rouhani nuk ka të drejtë me kushtetutë që të fitojë mandat të tretë.

“Sfida kryesore e Raisit do të jetë ekonomia. Shpërthimi i protestave do të jetë i pashmangshëm, nëse ai dështon që ta shërojë dhimbjen ekonomike të kombit”, tha një zyrtar qeveritar.

Kush është Ebrahim Raisi?

Ebrahimi Raisi, 60 vjeç, është klerik iranian. Emri i tij është lidhur me masakrimin e mijëra të burgosurve politikë në vitet e tetëdhjeta.

Ai garoi në zgjedhjet presidenciale të Iranit në vitin 2017, por e humbi garën ndaj politikanit më të moderuar, Hassan Rohani, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Kësaj radhe, klerikët udhëheqës iranianë po akuzohen se po ia shtrojnë rrugën Raisit në zgjedhjet presidenciale të 18 qershorit duke diskualifikuar nga pjesëmarrja shumë kandidatë të moderuar dhe reformistë.

“Do t’ua presim gishtat, jo, do t’ua presim duart të korruptuarve”, dëgjohet duke thënë Raisi në një video. Shefi i sistemit gjyqësor të Iranit njihet për gjuhën e ashpër që e përdor. Ai cilësohet si një ndër kandidatët me gjasat më të mëdha për t’i fituar zgjedhjet presidenciale.

Aktivisti politik, Iraj Mesdaghi, thotë se Raisi njihet si vrasës. “Khamenei qëllimisht po hedhë kripë në plagë të vjetra. Raisi është vrasës i njohur. Edhe në fushatën e vitit 2017, Rohani tha se vrasjet janë gjithçka që ka bërë Raisi.”

Si gjykatës, Raisi ka dënuar me vdekje mijëra kundërshtarë dhe të burgosur politikë gjatë ekzekutimeve masive të viteve të tetëdhjeta. Ai u ngrit shpejt në sistemin e drejtësisë pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.

“Ai dhe ekipi i tij, i njohur si Skuadra Haghghani, u futën në sistemin gjyqësor me qëllim të mënjanimit të kundërshtarëve. Ata dëshironin që ta lehtësonin procesin e ndjekjes penale pa procedurat e duhura”, thotë Mohammad Javad Akbarin, hulumtues iranian i fesë.

Raisi ishte vendosur në listën e të sanksionuarve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për vrasjet në vitet e tetëdhjeta. Besohet se ai vlerësohet lart nga ushtria iraniane dhe nga lideri suprem, Ayatollah Khamenei, i cili më 2019 e emëroi shef të sistemit të drejtësisë./Gazeta Express