Sot përurohet shtatorja e Majlinda Kelmendit - Gazeta Express
string(44) "sot-perurohet-shtatorja-e-majlinda-kelmendit"

Sot përurohet shtatorja e Majlinda Kelmendit

Gazeta Express

28/02/2020 8:12

Shtatorja e kampiones Olimpike kosovare, Majlinda Kelmendi, do të përurohet sot, të premten, në vendlindjen e saj, në Pejë.

Përurimin e shtatores do ta bëjë presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, i cili ishte i pranishëm edhe në ceremoninë e Laureatëve 2019, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës të enjten, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Majlinda është sportistja e vetme e Kosovës me medalje Olimpike. Ajo fitoi të artën në kategorinë -52 kg të xhudos në Lojërat Olimpike RIO 2016.

Trajneri i saj, Driton Kuka, e kishte konfirmuar në korrik të vitit të kaluar, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se Federata Botërore e Xhudos ka vendosur t’i ndërtojë statujë Majlinda Kelmendit.

Kuka kishte thënë se “artistët më të njohur në botë janë ftuar për ta punuar statujën e bronztë për Kampionen tonë Olimpike!”.

Përkundër që kjo statujë u ndërtua nga Federata Botërore e Xhudos, Kuka bëri të ditur se ajo do të vendoset në Kosovë dhe kërkoi sugjerime për lokacionin e saktë.

Pikërisht lokacioni ishte bërë problemi kryesor në këtë çështje, pasi që Driton Kuka thoshte se Komuna e Prishtinës s’i ka kthyer atij përgjigje qysh nga vera për lokacionin e statujës së Majlinda Kelmendit. Më vonë u vendos që ajo shtatore të ngrihet në Pejë. /Gazeta Express/