Një sondazh i ri i realizuar nga Qendra për Mendim Politik Serb (NSPM) në muajin dhjetor, nxjerr në pah një tablo shqetësuese sa i përket orientimit të jashtëm të qytetarëve të Serbisë, ndërsa në planin e brendshëm politik nuk vërehen lëvizje të mëdha mes bllokut qeverisës dhe atij opozitar.
Sipas të dhënave, 35 për qind e të anketuarve do të votonin për SNS, ndërsa 41 për qind për listën e përbashkët të studentëve dhe opozitës. Rreth 23.5 për qind mbeten të pavendosur. Sondazhi është realizuar përmes intervistave telefonike në një mostër prej 1,500 qytetarësh, raporton Danas
Megjithatë, më shqetësuese paraqiten qëndrimet për çështjet e politikës së jashtme.
Vetëm rreth 10 për qind e qytetarëve mbështesin anëtarësimin e Serbisë në NATO, ndërsa 84 për qind janë kundër. Nga këta, vetëm 4.3 për qind deklarohen “plotësisht” pro. Kjo tregon për një refuzim të thellë të orientimit drejt Aleancës Veri-Atlantike.
Po aq problematike është edhe përqindja e lartë e qytetarëve që kundërshtojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Sipas sondazhit, vetëm 10.7 për qind janë pro sanksioneve, ndërsa 79 për qind janë kundër, çka dëshmon një mbështetje të konsiderueshme për Moskën në opinionin publik serb.
Sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian, edhe pse ekziston një shumicë relative pro, shifrat nuk konsiderohen bindëse. Vetëm 30.4 për qind janë plotësisht pro anëtarësimit, ndërsa 28.8 për qind plotësisht kundër. Kur përfshihen edhe ata që “kryesisht e mbështesin”, mbështetja totale arrin në 47.1 për qind, përballë 42.9 për qind kundër. Kjo tregon një shoqëri të thellësisht të ndarë dhe një mbështetje jo solide për integrimin evropian.
Në përzgjedhjen e vendeve më të afërta, Rusia renditet e para me 24.5 për qind, përpara Hungarisë, Gjermanisë dhe Kinës, ndonëse me një rënie krahasuar me sondazhet e mëparshme.