S'ka marrëveshje Kurti - Mustafa, lideri i LV-së takohet sot me sindikatat - Gazeta Express
string(70) "ska-marreveshje-kurti-mustafa-lideri-i-vv-se-takohet-sot-me-sindikatat"

S’ka marrëveshje Kurti – Mustafa, lideri i LV-së takohet sot me sindikatat

Gazeta Express

11/12/2019 10:52

Në ditën e parë të kthimit nga Gjermania, ku qëndroi për vizitë disaditore, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti nuk do të zhvillojë takim me të parin e LDK-së, Isa Mustafa, shkruan Gazeta Express

Kurti si kryeministër në ardhje, sot gjatë ditës ka të paraparë të presë në takim, kryetarët e tri sindikatave në Kosovë, Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) dhe Sindikatën e Policisë së Kosovës, që tash e disa ditë po kërkojnë që të mos zvarritet zbatimi i Ligjit për Paga.

Lexo Edhe:

Lideri i LV-së, ndërkaq, nuk do të shihet sot me kreun e LDK-së. Se nuk ka takim të paraparë deri më tani në mes të Mustafës e Kurtit e kanë konfirmuar nga të dy partitë.

Derisa marrëveshja nga të dy partitë u tha se do të përfundohet gjatë kësaj jave, Kurti e Mustafa ka gjasë që të takohen gjatë ditës së nesërme, ani pse ky informacion nuk është konfirmuar nga partitë.

Të hënën është bërë një javë nga takimi i fundit LV – LDK në nivel të liderëve, ku ishte thënë se do të finalizohet marrëveshja e koalicionit në mes të dy partive.

Hesapet mes dy partive ndryshuan kur Isa Mustafa ia prezantoi edhe një kusht tjetër Albin Kurtit, pasi që të dy liderët fillimisht zgjodhën ministritë që do t’i takojnë secilës.

Mustafa zgjodhi i pari MPB-në, ministri që kishte qenë premtim elektoral i LV-së, ai tha se me Kurtin duhet të merren vesh edhe për presidentin që do ta pasojë Hashim Thaçin, e që sipas kësaj marrëveshjeje duhet t’i takojë LDK-së.

Pikërisht ky kusht kishte qenë arsye se pse të hënën që lamë pas nuk u arrit marrëveshja e premtuar e koalicionit, që u tha se do të nënshkruhet 72 orë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Kjo “mosmarrëveshje” do të pasonte pastaj me akuza në distancë në mes të anëtarëve të të dy partive. U bë e ditur se as LV-ja e as LDK-ja nuk kanë hequr dorë nga kushtet e tyre. LDK-ja vazhdon të insistojë për presidentin, e LV-ja nuk do të bëjë pazare me këtë temë.

Deri tani dihet se Kurti i ka shkruar Mustafës, e të dy partitë po tentojnë të vazhdojnë bashkëpunimin. /GazetaExpress/