Këshilli Drejtues i Sindikatës së Bashkuar të Mjekëve në këto momente është duke mbajtur mbledhje ku po diskutohet rreth asaj se a do t’i bashkohen mjekët kosovarë grevës për ta kundështuar pezullimin e Ligjit të Pagave.
Vendimi pritet të merret pas orës 12:00.
Se Këshilli Drejtues është mbledhur për të diskutuar rreth mundësisë për grevë e ka konfirmuar për Express, kreur i Sindikatës së Mjekëve, Blerim Syla.
“Jemi në këshill. Po diskutojmë rreth çështjes për grevën”, ka thënë Syla.
E ndërkohë, të premten që e lamë pas, që nga ora 07:00 e deri në orën 15:00 institucionet shëndetësore mbajtën grevë pas pezullimit të Ligjit për Paga deri më 30 mars 2020, nga Gjykata Kushtetuese.
Grevën e kundërshtoi Kolegjiumi Profesional i Kirurgëve duke e quajtur të pakuptimtë këtë grevë.
Ndërkohë është paralajmëruar se të hënën do të mbahet takimi i të gjithë mjekëve për të vendosur për hapat që do të ndërmerren në ditët në vijim.
Ndërsa Kirurgët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk i janë bashkuar grevës së organizuar nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë.
Këtë e ka bërë të ditur kirurgu Arbër Morina, i njohur si një nga organizatorët e grevave të mëhershme të kirurgëve.
“Kolegjiumi profesional i kirurgëve sot merr vendim të njëzëshëm: nuk ka asnjë lloj greve, puna vazhdohet normalisht”, thuhet në njoftimin e Morinës. /Express/