Si të martohesh me shqiptare nëse je i huaj? - Gazeta Express
string(43) "si-te-martohesh-me-shqiptare-nese-je-i-huaj"

Gazeta Express

01/11/2020 21:00

Si të martohesh me shqiptare nëse je i huaj?

Gazeta Express

01/11/2020 21:00

Fletudhëzim për fatkeqit, që nuk kanë pasur fatin të linden shqiptarë ose për ata që i ka dënuar zoti dhe i ka krijuar gabimisht si pjesëtar të një kombi të dorës së dytë

Lis Bukuroca

Lexo Edhe:

1. Djali i huaj, që dëshiron të martohen me shqiptare, duhet të dërgojë si shkues te Kryetari i Republikës së Kosovës ambasadorin e vendit të vet. Nëse shteti i dhëndrit nuk e ka njohur Kosovën, atëherë martesa nuk është e lejueshme, sepse cenohet interesi nacional dhe nusja poshtëron rëndë patriotizmin dhe krenarinë e qytetarëve dhe të laperave të vendit.

Nëse kunatat i kanë bërë nuses shqiptare sehire dhe ajo është e bindur se duhet të shpërfillet sedra dhe krenaria e popullit, atëherë Ministri i Punëve të Brendshme lëshon një Fletëmallkim, me të cilën prindërve dhe vëllezërve të nuses, u ndalon ta marrin atë n’ t’pame deri në fund të jetës. Disi si Doruntinën!

2. Nëse dhëndri jonë i jashtëm ka respektuar pikë për pikë procedurën e paraparë me rregullat tona tribale dhe fisnike, Presidenti, pas negociatave me ambasadorin dhe shqyrtim e lëndës, dërgon te familja e saj Ministrin e Drejtësisë ku shqyrtohet kërkesa. Nëse familja pajtohet, por Kryetari jo dhe ata martohen, kurorëzimi do të konsiderohet vepër penale sepse cenon në mënyrë të vrazhdë dinjitetin e Presidentit dhe të zyrës së tij!

Në raste të tilla, bashkëshortësia shpallet ilegale, çifti lëçitet dhe i ndalohet hyrja në Kosovë. Tre muaj më vonë, nusja shpallet rob i huaj, për të ruajtur fytyrën e pastër të popullit.

Nëse Ministri i Punëve të Jashtme e konsideron të nevojshme, atëherë ai organizon me AKI-në një skuadër të veteranëve të pasluftës , e cila e kthen bijën tonë në gjini, domethënë në gjirin e ngrohtë familjar. Një javë më vonë, Kuvendi vendos ta martojë atë me ndonjë veteran vejan të dekoruar dhe me certifikatë, por origjinal, bio-shqiptar, i pastër dhe atdhetar, që do të jetë së paku njëzet vjet më i plak se nusja!

Kjo bëhet për ta dëmshpërblyer popullin nga nënçmimet, për t’u dhënë një mësim bijave tjera dhe për ta shpërblyer një atdhetar të madh, që me shumë mund pas vitit 2000 arriti të bëhet patriot i diplomuar!

Përjashtime

Nëse shteti i dhëndrit ka refuzuar njohjen e Republikës sonë, atëherë populli u lejon martesën atyre dyve vetëm në katër raste:

a. Raca e pastër dardane mban një referendum dhe vendos se a lejohet martesa me një njeri, që nuk ka prejardhjen nga pellazgët. Nëse 75% vendosin PËR, bashkëshortësia konsiderohet e drejtë, sepse ka vendosur populli atdhetar.

b. Ambasadori i shtetit të dhëndrit për fejesë premton njohjen e republikës dhe gjatë dasmës, bëhet zyrtarisht shkëmbimin e ambasadorëve.

c. Dhurata. Me dhuratë nënkuptohet kjo: dhëndri i jep disa mijëra euro Presidentit. Zakonisht ai i refuzon sepse urren korrupsionin, por detyrë e dhëndrit është, të provojë seriozisht, disa herë. Nëse kalohet me sukses kampi i ekselencës presidencia-le, atëherë me dhurata provohet te Ministri i Drejtësisë. Do të jetë shumë e mundur se ky i refuzon, nëse po, atëherë ato lekë i dhurohen prindit të nuses, i cili thotë: „Mos bre burrë mos u harxhit“, dhe sipas traditës, i refuzon së paku tri herë. Dhëndëri duhet të informohet se refuzimi nuk është refuzim, por taktikë, që domethënë: „lutëm më shumë, se nuk jam fukare!“ Nëse i ati i nuses refuzon tri herë, dhëndri i ardhshëm duhet ta lusë gjashtë herë dhe mundësia e fundit, nëse dështohet me të lartpërmendurat:

d. Kombet e Bashkuara vendosin se a bën një bijë pellazge të poshtërohet aq shumë dhe të martohet me një të huaj! Dhe, kryesisht: a mund të përbuzet dhe të njolloset aq shumë populli dardan! Pasi të merret vendimi i formës së prerë nga miqtë ndërkombëtarë, Qeveria dhe populli, e respekton atë si dëshirë të zotit dhe thotë:“U kanë kismet!“