Si ndodhi tentim vrasja ditën e 26 marsit në Kolovicë që rezultoi më pas me dy viktima, zbardhet edhe versioni i Fitim Dodës - Gazeta Express
string(123) "si-ndodhi-tentim-vrasja-diten-e-26-marsit-ne-kolovice-qe-rezultoi-me-pas-me-dy-viktima-zbardhet-edhe-versioni-i-fitim-dodes"

Lajme

Gazeta Express

25/04/2024 13:18

Si ndodhi tentim vrasja ditën e 26 marsit në Kolovicë që rezultoi më pas me dy viktima, zbardhet edhe versioni i Fitim Dodës

Lajme

Gazeta Express

25/04/2024 13:18

Më 26 mars 2024, rreth orës 13:53, në lagjen Kolovicë të Prishtinës, Policia do merrte informacion për të shtëna më armë, ku i plagosur kishte mbetur Naim Berisha. Por, kjo ngjarje nuk do përfundonte me kaq, pasi në orët e mbrëmjes të po asaj dite do vriteshin dy persona, njëri prej tyre grua, qytetare e rastit e cila ndërroi jetë një ditë më pas në QKUK.

Por si filloi gjithçka, dhe çfarë dëshmuan në Polici dhe para gjykatës të përfshirët në këtë rast, bëhet e ditur në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi” për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj, të dyshuarit Fitim Doda, i njohur me nofkën “Cuc Avalla”.

Lexo Edhe:

Në vendim thuhet se në ngjarjen e paradites, nga kamerat e siguruara nga Policia, thuhet se një veturë “Golf”, pronë e E.H., (tani më i ndjeri pasi ai do vritej në mbrëmje),  ndalon në udhëkryq, hapet dera e pasagjerit djathtas dhe dera e pasagjerit majtas, dhe nga kjo veturë në drejtim të anës së djathtë shihen të shtëna më armë, e që në prezencë ishin edhe dy gra duke lëvizur.

Nga dëshmia e Naim Berisha në Polici, i cili ishte i plagosur në krah, thuhet se dy persona që sipas tij ishin Fitim Doda dhe Arijan Sijarina, kanë hapur xhamin dhe kanë filluar të gjuajnë 10-11 herë në drejtim të tij më armë të gjata “AK47”. Ai kishte deklaruar se të dyshuarit i njeh pasi i kishte në lagje.

Por Berisha, tashme bashkë me vëllain e tij Ahmet Berisha, janë të dyshuar dhe në kërkim nga Policia për vrasjen e rëndë që ndodhi në mbrëmjen e 26 marsit. Të dy dyshohen se kanë vrarë E.H. 30-vjeçar dhe një Z.G, një grua 48-vjeçare e cila nuk ishte e përfshirë në rast, por ishte në veturë afër shtëpisë së saj. Ajo pas plagëve të marra kishte ndërruar jetë në QKUK një ditë pas ngjarjes.

Në tentim vrasjen e rëndë, përveç Dodës dhe Sijarinës i cili gjendet ende në arrati, Policia thotë se kishte edhe persona tjerë në veturë, pasi kishte tre shishe, një shkrepës dhe gjësende tjera që dëshmojnë një gjë të tillë. Por, kjo thuhet se do ekzaminohet dhe hetohet në vazhdim.

Tutje, në vendim thuhet se  mbrojtësi i të dyshuari Fitim Doda, avokati Bekim Kelani, para gjykatës ka thënë se i mbrojturi i tij është vetë dorëzuar, ndërsa ka treguar edhe versionin e të dyshuarit Doda për rastin.

“I mbrojturi im gjatë dhënies se deklaratës në Polici e ka pranuar në tërësi veprimet e veta ku ka deklaruar se pasi i është zënë prita nga i dyshuari Naim Berisha ku i njëjti ja ka drejtuar armën dhe ky në veprimin e vetë për zbrazjen e ndonjë rreziku ka shtënë me armë në drejtim të tokës gjashtë apo shtatë herë dhe i njëjti nuk i ka kryer këto vepra që i vihen në barrë”, është shprehur avokati Kelani.

Ndërkaq, i dyshuari Doda para gjykatës ka thënë që i vjen keq për rastin dhe i premton gjykatës se do t’i përgjigjet të gjitha ftesave të gjykatës dhe Prokurorisë.

“Cuc Avalla”, dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, “Asgjësimi apo Dëmtimi i pasurisë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, Medie Bytyçi vlerësoi se ka bazë ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin Doda, pasi i njëjti ishte larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së veprës penale. Kjo edhe e ka bindur gjykatën se Doda në të ardhmen nuk do të jetë i gatshëm të bashkëpunojë dhe t’i përgjigjet thirrjeve të autoriteteve të drejtësisë.

Në vendim thuhet se me lënien në liri, i pandehuri mund të arratiset apo të pengojë zhvillimin e suksesshëm të procedurës së mëtutjeshme.

Më tej, në vendim thuhet se nga ngjarja kritike (26 mars 2024) deri më (24 prill 2024) kur edhe është vetëdorëzuar, i dyshuari pretendon se ka qenë në arrati në Serbi dhe se atje ka kaluar përmes rrugëve ilegale (malore).

“…e tani duke shtuar edhe faktin notor se me heqjen e kufizimit të lirisë së lëvizjes (liberalizimit) i pandehuri lehtazi mund të largohet nga Kosova, konsiderojmë se me lënien në liri i njëjti mund të arratiset dhe të jetë i paarritshëm për organet e ndjekjes, duke e vështirësuar zbatimin e procedurës penale në kohë të arsyeshme”, thuhet në vendim.

Po ashtu, thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se me lënien në liri, Doda mund t’i fsheh, ndryshojë apo falsifikojë provat apo të ndikojë në dëshmitarë potencial, për të dhënë deklaratë në favor të tij.

E kjo thuhet duke marrë për bazë faktin se Doda ka pretenduar se veprimet sulmuese i ka ndërmarrë kinse pas sulmit i cili fakt gjykata thekson se është i pambështetur në prova. Gjithashtu, thuhet se ka pranuar se ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të të dëmtuarit, i cili pretendim është në kundërshtim me provat tjera materiale.

Andaj, thuhet se fakti se në arrati është edhe i pandehuri Arijan Sijarina, e që Policia është në proces të veprimeve hetimore dhe identifikimit edhe të personave tjerë të mundshëm që ishin në veturë me të pandehurit, identitetin e të cilëve i pandehuri e ka të njohur dhe se Policia është në fazën e grumbullimit të provave tjera dhe se nuk është gjetur ende arma e përdorur në ditën kritike, e të cilën i pandehuri pretendon se e ka hedhur me qëllim të fshehjes, përmbushen kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.

Sipas vendimit, është marrë parasysh edhe pesha e veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, si dhe nuk është përjashtuar e kaluara kriminale e të pandehurit.

Në vendim thuhet se sipas evidencës mbi dënimet penale, rezulton se ishte shpallur fajtor edhe për gjashtë raste, për të cilat ka aktgjykime të plotfuqishme.

“…në shumicën e tyre është shpall fajtor për vepra penale që lidhen me narkotikë dhe me armë e për të cilat i është shqiptuar vazhdimisht dënim me gjobë ose me kusht, por që tek i njëjti nuk është arritur qëllimi i dënimit”, thuhet në vendim.

Prandaj, gjykata vlerësoi me lënien në liri mund të përsëritet vepra penale ose të kryhet vepër e natyrës së njëjtë apo të ngjashme apo përfundimi i veprës së mbetur në tentative, pasi këtu i dëmtuari Naim Berisha (i dyshuar për vepër tjetër penale) ndodhet në arrati, e nëse has në të njëjtin, i pandehuri mund ta përfundojë veprën e mbetur në tentativë.

Më tej, thuhet se është marrë për bazë edhe konflikti në të cilin kanë qenë të pandehurit, i cili ka avancuar me përdorim të armës, e që kjo tregon rrezikun potencial për përfundimin e veprës penale.

 

Sipas Gjykatës, pretendimet e mbrojtësit të Dodës, avokatit Bekim Kelani përballë provave të Prokurorisë janë të paqëndrueshme dhe të paargumentuara në raport me shkresat e lëndës. Ndërsa, thuhet se janë vlerësuar edhe pretendimet e të pandehurit dhe avokatit të tij që të aplikohen masa më të buta sesa ajo e paraburgimit, por që gjykata i ka vlerësuar si të pamjaftueshme