Presioni ndaj Gianni Infantinos për të mbetur president i FIFA-s po rritet gjithnjë e më shumë, ndërsa raportimet tregojnë se ekzistojnë tri mënyra për largimin e tij nga posti.
Më herët gjatë kësaj jave, bota e futbollit u trondit pasi Infantino prezantoi planin për të “ftuar palë të treta të bëjnë investime minoritare, pa kontroll”, në një degë të re të FIFA-s të quajtur FIFA Forward Enterprise (FFE).
Kompania amerikane “Thrive Capital”, në pronësi të Joshua Kushner, dhëndrit të Donald Trumpit, ishte përmendur si investitori kryesor në projektin me të cilin FIFA synonte të siguronte 20 miliardë dollarë investime.
Të gjitha 211 federatat anëtare të FIFA-s kishin afat deri më 19 shtator për ta mbështetur propozimin, duke përfituar deri në 30.1 milionë funte secila. Megjithatë, shumica e federatave u bashkuan kundër idesë së Infantinos.
UEFA reagoi ashpër të enjten (30 korrik), duke paralajmëruar bojkotimin e Kupës së Botës nëse plani do të zbatohej. Të njëjtin qëndrim e morën edhe CONCACAF dhe AFC.
Këshilltari i lartë i Infantinos, Carlos Cordeiro, dha dorëheqje pas publikimit të një deklarate të fortë, duke e cilësuar projektin si “një marrëveshje të keqe për futbollin”.
Edhe drejtori operativ i FIFA-s, Kevin Lamour, thuhet se kërcënoi me dorëheqje, pasi u ndje “i mashtruar” nga 56-vjeçari. Si pasojë e reagimit të madh global, Infantino u detyrua të tërhiqte planin për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës në orët e para të së shtunës (1 gusht).
Pas kësaj tërheqjeje, UEFA ishte ndër organizatat e para që reagoi, duke deklaruar se kishte humbur besimin te presidenti i FIFA-s dhe duke e cilësuar planin si “një marrëveshje e pistë, e bërë prapa dyerve të mbyllura”.
Edhe Federata Angleze e Futbollit (FA) kërkoi një “rishikim të plotë të udhëheqjes së FIFA-s” përmes një deklarate në platformën X, ndërsa zërat për largimin e Infantinos vazhdojnë të shtohen.
Të shtunën, ish-kryetari i FA-së, David Bernstein, u shpreh i shqetësuar se Infantino mund të mbetet në detyrë nëse vazhdon të ketë mbështetjen e federatave kombëtare.
“Në një organizatë normale, nëse një drejtues detyrohet të tërhiqet për një çështje të kësaj përmase, me shumë gjasë do të largohej nga posti. Por FIFA nuk është një organizatë normale. Nëse ai ka mbështetjen e mjaftueshme të federatave kombëtare, do të vazhdojë në detyrë”, tha Bernstein.
Sipas korrespondentit të “Sky News” për sportin, Rob Harris, pas kritikave publike për projektin FFE, lëvizjet për ta larguar Infantinon “po përshpejtohen”, ndërsa ekzistojnë tri mënyra të mundshme për shkarkimin e tij.
Votë mosbesimi është opsioni i parë. Sipas statutit të FIFA-s, 20 për qind e anëtarëve të saj (43 federata) mund të kërkojnë mbledhjen e një Kongresi të jashtëzakonshëm të FIFA-s, i cili duhet të mbahet brenda tre muajve. Në këtë kongres mund të kërkohet që në rend dite të përfshihet votimi për shkarkimin e presidentit.
Shkarkimi nga organet ekzekutive është mundësia e dytë. Komiteti i Etikës i FIFA-s mund të hetojë presidentin nëse paraqiten ankesa zyrtare për shkelje të kodit etik. Ky komitet mund të vendosë sanksione, përfshirë ndalimin afatgjatë nga aktivitetet futbollistike. Megjithatë, sipas raportimeve, aktualisht nuk ka prova të qarta për shkelje etike, ndaj ky skenar konsiderohet pak i mundshëm.
Humbja në zgjedhje është mënyra e tretë. Infantino do të kandidojë për rizgjedhje në mars të vitit të ardhshëm dhe mund të largohet nga posti nëse Kongresi i FIFA-s zgjedh një kandidat tjetër.
Ngjarjet rreth të ardhmes së Infantinos pritet të zhvillohen me ritëm të shpejtë, ndërsa gjithnjë e më shumë shtohen zërat se mandati i tij gati dhjetëvjeçar në krye të FIFA-s mund të jetë drejt fundit./GazetaExpress/