Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti e ka vlerësuar pozitivisht pikën e marrë ndaj Marokut në debutimin e Kupës së Botës 2026, duke theksuar se shmangia e humbjes ishte shumë e rëndësishme për gjendjen psikologjike të ekipit.
Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë të Grupit C, trajneri italian e pranoi se skuadra e tij nuk e zhvilloi paraqitjen më të mirë, por nënvizoi se një disfatë në start të turneut mund të kishte pasoja negative në moralin e lojtarëve.
“Ka qenë një ndeshje e vështirë. Maroku luajti shumë mirë dhe na vuri në vështirësi. Është e rëndësishme që nuk humbëm, sepse një humbje në ndeshjen e parë mund të ndikojë te besimi dhe morali i skuadrës”, deklaroi Ancelotti pas takimit, përcjell “Gazeta Express”.
“Ne nuk luajtëm mirë. Ishim të paekuilibruar dhe humbëm shumë topa. Duhet të bëjmë më mirë. Nuk jam i zhgënjyer nga rezultati, por as i kënaqur. Ky është vetëm fillimi i turneut”, shtoi “Don Carlo”.
Brazili mbeti në disavantazh pas golit të Ismael Saibarit në minutën e 21-të, por reagoi shpejt falë Vinicius Junior, i cili e realizoi golin e barazimit me një goditje spektakolare nga distanca.
Ancelotti e vlerësoi karakterin e treguar nga futbollistët e tij pas golit të pësuar dhe theksoi se skuadra duhet të nxjerrë mësime nga kjo sfidë për të qenë më konkurruese në vazhdim të turneut.
Sipas trajnerit italian, faza e grupeve është një maratonë dhe jo një sprint, ndaj është e rëndësishme të ruhet qetësia dhe të mos krijohet panik pas një rezultati që nuk ishte ai i dëshiruari.
Ancelotti nënvizoi se Botërori nuk fitohet në ndeshjen e parë dhe paralajmëroi se mund të ketë ndryshime në formacion për sfidat e ardhshme.
Brazili do ta kërkojë fitoren e parë në Botërorin 2026 në sfidën e radhës ndaj Haitit, ndërsa synon ta marrë kontrollin e Grupit C dhe ta sigurojë kualifikimin në fazën eliminatore. /Gazeta Express