Prodhuesit e automjeteve argumentojnë se këto sisteme mund të zvogëlojnë aksidentet e shkaktuara nga pakujdesia, një ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në trafik.
Nga 7 korriku 2026, të gjitha veturat e reja të shitura në Zvicër do të jenë të pajisura me kamera që monitorojnë vazhdimisht shoferin. Masa vjen si pjesë e rregulloreve të reja evropiane të sigurisë rrugore (GSR2), të cilat Zvicra po i harmonizon me standardet e Bashkimit Evropian.
Sistemi i ri, i njohur si Driver Monitoring System (DMS), përdor një kamerë infra të kuqe të vendosur përballë shoferit. Teknologjia analizon lëvizjet e syve, drejtimin e shikimit, frekuencën e pulitjes dhe shenjat e lodhjes, si gogësitja. Nëse sistemi vlerëson se shoferi është i shpërqendruar ose i përgjumur, ai lëshon paralajmërime vizuale dhe zanore, transmeton albinfo.ch.
Rregullat e reja përfshijnë edhe teknologji të tjera sigurie, si:
sinjalizimin emergjent me drita frenimi që pulsojnë gjatë frenimeve të forta;
sisteme më të avancuara të frenimit automatik;
regjistrues të të dhënave të aksidenteve (“kutitë e zeza” të automjeteve).
Prodhuesit e automjeteve argumentojnë se këto sisteme mund të zvogëlojnë aksidentet e shkaktuara nga pakujdesia, një ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në trafik. Megjithatë, kritikët shprehin shqetësime për privatësinë, duke paralajmëruar se makinat moderne po shndërrohen gjithnjë e më shumë në mjete mbikëqyrjeje. Disa sisteme madje mund të kufizojnë përdorimin e ekranit multimedial nëse vlerësojnë se shoferi po humb shumë kohë duke naviguar në menu.