Shuarja e "Këngëtares së Shekullit", kush ishte Nexhmije Pagarusha - Gazeta Express
string(63) "shuarja-e-kengetares-se-shekullit-kush-ishte-nexhmije-pagarusha"

Gazeta Express

07/02/2020 11:08

Shuarja e “Këngëtares së Shekullit”, kush ishte Nexhmije Pagarusha

Gazeta Express

07/02/2020 11:08

Bilbili i muzikës shqipe ka vdekur në moshën 86-vjeçare.

Ajo njihet si ndër këngëtaret shqiptare me zërin më të veçantë dhe më të fuqishëm që kemi pasur deri sot.

Lexo Edhe:

Inspirim për shumë gjenerata pas saj, Nexhmije Pagarusha është lindur më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë afër Malishevës.

Shpesh e quajtur si “Mbretëresha e Muzikës Shqiptare”, artistja është bërë e njohur si këngëtare në Shqipëri dhe vendet fqinje për vokalin e saj të veçantë prej sopranoje, përcjell Gazeta Express.

Pagarusha ka përfunduar tre vjet të shkollës së muzikës në Beograd, për këndim solo dhe ka filluar karrierën e saj si këngëtare në vitin 1948 në Radio Prishtina.

Karriera e saj muzikore zgjati për 40 vjet, falë kontrastit në zhanret e muzikës që ka performuar, duke kënduar muzikë folklorike në mënyrë perfekte, e njësoj edhe atë klasike, sidomos opera.

Nexhmije Pagarusha nga admiruesit dhe kritikët e muzikës quhet edhe ‘Bilbili i Kosovës’, ‘Mbretëreshë e Muzikës Shqipe’ e ‘Zonja Flutur’.

Derisa në Kosovë e mori titullin “Këngëtarja e Shekullit”, ajo kishte popullaritet dhe në vendet e ndryshme evropiane, ku mbante edhe koncerte sidomos me ansamblin e njohur “Shota”, në vendet si Maqedoni, Bosnjë, Bullgari e madje edhe në Izrael.

Kënga e saj më e njohur është “Baresha”, e kompozuar nga bashkëshorti i saj, Rexho Mulliqi, me tekst të Rifat Kukajt. Me këtë këngë ajo performoi në shumë festivale dhe fitoi shumë çmime.

Këngëtarja e përfundoi karrierën e saj muzikore në vitin 1984, me një koncert të madh në Sarajevë.

Disa nga këngët e saj më të njohura janë “Ani mori nuse”, “Mora testin”, “Kur më shkon si zog n’hava”. /Gazeta Express/