Shteti dorëzohet para Covid-it - Gazeta Express
string(30) "shteti-dorezohet-para-covid-it"

Lajme

Gazeta Express

26/08/2021 16:36

Shteti dorëzohet para Covid-it

Lajme

Gazeta Express

26/08/2021 16:36

Varianti Delta ka gjunjëzuar shtetin e Kosovës. 18 vdekje sot, rreth 100 brenda një jave, në mesin e tyre edhe 20-30 vjeçarë. Këto nuk janë veç statistika. Janë të dashurit dhe familjarët e shumëkujt, që papritmas u gjenden në spital e nuk dolën të gjallë nga aty. Situatën e jashtëzakonshme, kryeministri Kurti po e përjeton më shumë se zakonshëm nëpër galeri arti. Në këtë luftë, Qeveria ka dezertuar.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Për Arben Vitinë, pritjet ishin të mëdha. Një mjek, figurë urbane e pëlqyer nga masa, në krye të Shëndetësisë kosovare, tingëllonte si diçka shumë e mirë për t’u besuar.

Me mjekun në krye, sistemi nuk nisi shërimin. Larg kësaj. Situata është e jashtëzakonshme, vetëm se autoritetet nuk janë të interesuar ta shohin si të tillë. Dhjetëra të vdekur, mijëra të infektuar cdo ditë nga Covid-19.

Duhet të pritet me muaj për insulinë, derisa spitalet të furnizohen. Qytetarët duhet të gjejnë oksigjen nëpër pompa të benzinës, ashtu që familjarët e vet të marrin frymë pak më gjatë. Spitalët janë mbushur me të infektuar.

Vitia veçse e ka braktisur shëndetësinë. Ai e ka shpallur kandidaturën për kryetar të Prishtinës. Zgjedhjet mbahen pas më shumë se një muaji dhe ai tashmë e ka nisur fushatën.

Pushtetarët akoma jetojnë në opozitë. Kërkojnë nga gazetarët dhe shoqëria civile të reagohet për ish-pushtetet. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, protestoi para ministrisë qe e drejton vetë. Marshi protestues që u mbajt sot kërkonte që vrasjet e grave të trajtoheshin si urgjencë kombëtare. Haxhiu nuk ofron ndonjë zgjidhje. Shkruan ankesa në rrjete sociale.

Gjashtë muaj prej Qeverisë Kurti II, qeveritarët dhe militantët akoma duan që pushtetin ta trajtojnë si fillestarë. Militantët dhe zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kërkojnë që të pritet pak, pasi pushteti veç sa u mor.

Vdekjet nga Covid-19 nuk po presin. 18 qytetarët të Republikës së Kosovës kanë vdekur sot. Rreth 100 gjatë kësaj jave. Ministria e Shëndetësisë i publikon si statistika ditore.

Qeveria nuk i përmend këto vdekje. Duket sikur viktimat e Covidit janë më pak viktima se të tjerët.

Të martën, kryeministri Kurti mbajti fjalim në varrimin e 18-vjecarës, Marigona Osmani, që u torturua deri në vdekje nga partneri i saj, Dardan Krivaqa.

Një pulmolog nga Gjakova ia ka kujtuar Kurtit se te varret po shkojnë shumë qytetarë të tjerë, të shtrirë në spitalin ku ai punon.

“Në dhomën time është një heshtje e madhe, pasi shumë shokë dhe shoqet më kanë humbur betejën me Covid. Një natë vonë bisedonim rreth mesnate se kur do iknim nga këto do takoheshim dhe do të pimë kafe gjithë, së bashku, dhe për të përqafuar njëri me tjetrin që ia dolëm mbanë Covidit, por për fat të keq duhet të shkoj me lule tek varri aty ku ti po zgjedh debatet i dashur kryeministër”, ka shkruar ai.

Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë e kanë takuar sot kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn. Me të, sic njofton zyra e Kryeministrit, folën për ngjarjet kulturore që do të mbahen në dy kryeqytetet.

“U bisedua edhe për ngjarjet kulturore që do të mbahen në kryeqytetet e të dy shteteve vitin e ardhshëm. Prishtina do të jetë nikoqire e biennales “Manifesta”, ndërsa kryeqyteti shqiptar i aktiviteteve të “Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”.

Dje Qeveria e Kurtit ka vendosur që stafit mjekësor t’ua japë si shtesa 10 për qindëshin e pagave të tyre, që i bie se nisin prej 60 eurosh.

Sindikatat e mjekëve që s’janë ndaluar që 16 muaj e kanë konsideruar vendimin e Kurtit ofendues dhe skandaloz.

Në mesin e gjithë kësaj situate, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, mori vendim që mësimi të fillojë më 1 shtator dhe fëmijët të shkojnë fizikisht në shkolla.

Për 60 eurot e mjekëve dhe për fillimin e mësimit në këtë gjendje, Qeveria mori kritika.

Kritikuesit e Kurtit akoma përballen me sulme virtuale dhe linçime të militantëve të LVV-së. Grupi “meKryeministrin” në Facebook qëndron si bajraktar i gjithë këtyre.

Publicistja Kimete Berisha, e cila e kishte përkrahur Kurtin për t’i fituar zgjedhjet, tash kur po e kritikon qeverisjen e tij, është një nga targetët e militantëve të Facebookut.

Ajo dje ka thënë se Vitia është përgjegjës kryesor për situatën me pandeminë, ndërsa ka kritikuar edhe Nagavcin që do që t’i kthejë fëmijët nëpër shkolla.

“Sot do të duhej të shpallej gjendje e jashtëzakonshme në Kosovë, ndërsa vendi duket i braktisur dhe absolutisht jashtë kontrolli!”, ka shkruar Berisha.

Aktivitetet e fundit, kryeministri Kurti në rrjetet sociale i ka në galeri dhe në stadium futbolli.

Për Presidenten Vjosa Osmani nuk di kush gjë. Ajo po vazhdon në botën e saj. Sot, pak para se të publikohej numri i vdekjeve dhe rasteve me Covid, ajo përkujtoi Shën Terezën në 111 vjetorin e lindjës. /Express/