Shtetformimi maqedonas dhe ingjinjeringu politik ndaj shqiptarëve - Gazeta Express
string(65) "shtetformimi-maqedonas-dhe-ingjinjeringu-politik-ndaj-shqiptareve"

Maqedoni

Gazeta Express

25/05/2026 10:24

Shtetformimi maqedonas dhe ingjinjeringu politik ndaj shqiptarëve

Maqedoni

Gazeta Express

25/05/2026 10:24

Në periudhën e ASNOM-it, shqiptarët u përjashtuan sistematikisht nga procesi real i shtetformimit, ndërsa pas pavarësisë u përballën me margjinalizim institucional. Faza aktuale rrezikon t’i reduktojë ata në një subjekt formal, pa peshë reale kushtetuese. Pikërisht këtu qëndron thelbi i projektit që shumë shqiptarë e perceptojnë si “Maqedoni Evropiane pa shqiptarët”. Çdo përpjekje për relativizimin e statusit kushtetues të shqiptarëve në emër të “kompromiseve evropiane” rrezikon të prodhojë jo integrim, por krizë të re

 Nga Prof.dr Skender Asani

Në historinë bashkëkohore të Ballkanit, vështirë se mund të gjendet një paradoks politik dhe historik aq kompleks sa ai i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut: një popull që, në momentet vendimtare të formësimit të shtetit, luajti rol thelbësor në mbijetesën dhe legjitimitetin e tij, ndërkohë që paralelisht u përball me procese sistematike të margjinalizimit, asimilimit gradual dhe zbehjes së identitetit të tij politik, kulturor dhe gjuhësor. Historia e Evropës Lindore njeh shumë raste të “spastrimit të heshtur” të realizuar përmes manipulimeve demografike, juridike dhe kulturore, ndërsa rasti i shqiptarëve në Maqedoni përfaqëson një nga format më të ndërlikuara të këtij fenomeni, të maskuar nën retorikën e stabilitetit shtetëror, integrimit euro-atlantik dhe ruajtjes së unitetit kombëtar.

Ky realitet historik duhet të kuptohet përmes tri fazave themelore të shtetformimit maqedonas: periudha e ASNOM-it dhe krijimi i Republikës Federale të Maqedonisë, periudha e pavarësisë pas shpërbërjes së Jugosllavisë, si dhe etapa bashkëkohore e rikonfigurimit të shtetit përmes diskursit të “Maqedonisë Evropiane”. Në secilën prej këtyre fazave, shqiptarët fillimisht u përdorën si element legjitimues i shtetit, për t’u trajtuar më pas si pengesë ndaj homogjenizimit kombëtar të tij.

Në fazën e parë, me formimin e Maqedonisë së ASNOM-it, u shpall një shtet kombëtar maqedonas mbi një realitet demografik që nuk përputhej me idenë e homogjenitetit etnik mbi të cilin ndërtohej narrativa shtetformuese. Përfshirja e shqiptarëve në strukturat e para shtetërore nuk buronte nga një ideologji autentike multietnike, por nga nevoja politike për të siguruar legjitimitetin federal në Jugosllavinë e pasluftës. Në këtë kontekst historik, Nexhat Agolli, ministër në administratën e parë federale, u shfaq si figurë paradigmatike që e kuptonte shtetformimin si proces të barazisë reale ndërmjet popujve përbërës. Përmes angazhimit për hapjen e shkollave shqipe, institucionalizimin e gjuhës shqipe në administratë, themelimin e gazetës Flaka e Vëllazërimit dhe përfshirjen e shqipes në radio-televizionin shtetëror, ai promovoi një model federal ku shqiptarët do të njiheshin si popull shtetformues dhe jo si komunitet i toleruar.

Megjithatë, ky vizion binte ndesh me projektin e homogjenizimit etnik të autoriteteve të reja maqedonase. Eliminimi politik i Nexhat Agollit dhe përndjekja e Qemal Agollit nuk përfaqësonin vetëm sulm ndaj individëve, por shkatërrimin e konceptit të shqiptarëve si bashkëthemelues të shtetit. Zhdukja e figurave shqiptare me orientim shtetformues hapi rrugën për realizimin e projektit të ASNOM-it përmes konsolidimit artificial të shumicës maqedonase me anë të proceseve të ndërlikuara të inxhinierisë demografike dhe identitare.

Në këtë periudhë, shqiptarët ortodoksë të Rekës, Ohrit, Manastirit, Prilepit dhe Krushevës iu nënshtruan proceseve të konvertimit identitar në maqedonas, ndërsa shqiptarët katolikë u përballën me presione të ndryshme kulturore dhe institucionale me synim asimilimin. Ata që refuzonin ndryshimin identitar shpesh detyroheshin të shpërnguleshin drejt Kroacisë, Kosovës dhe rajoneve të tjera. Paralelisht, elita kombëtare-demokratike shqiptare me orientim perëndimor u godit sistematikisht. Burgosjet dhe eliminimet e vitit 1946 kundër Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare synonin shuarjen e një alternative politike që e konsideronte identitetin shqiptar pjesë integrale të qytetërimit perëndimor evropian.

Për të fragmentarizuar më tej identitetin shqiptar, u krijuan kategori artificiale identitare si “maqedonas të besimit mysliman”, ndërsa slogani propagandistik “turk  alhamdurila” u përdor për të transformuar administrativisht shqiptarët në turq. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë shqiptare emigroi drejt Turqisë si pasojë e presioneve ekonomike, administrative dhe politikave të vizave. Edhe fatkeqësitë natyrore u instrumentalizuan politikisht. Tërmeti i Shkupit i vitit 1963 nuk mbeti vetëm tragjedi humanitare, por u shndërrua në moment kyç për rikonfigurimin demografik të qytetit dhe shtetit. Mbi 20 mijë shqiptarë u zhvendosën nga Shkupi drejt Kosovës, ndërsa shumë të tjerë emigruan në Turqi dhe Kroaci. Synimi themelor i këtyre proceseve ishte dobësimi i gjuhës shqipe si bosht i identitetit kolektiv shqiptar dhe forcimi gradual i shumicës maqedonase në funksion të projektit kombëtar të shpallur nga ASNOM-i.

Faza e dytë fillon me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë. Në këtë periudhë, shqiptarët mbrojtën shtetin e ri në një moment kur ekzistenca e tij ishte e pasigurt. Kjo mbështetje nuk ishte rastësore, por buronte nga bindja e elitës politike shqiptare se një Maqedoni e pavarur mund të ndërtohej mbi parimet e demokracisë multietnike dhe në përputhje me interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon. Megjithatë, pas konsolidimit të shtetit, shqiptarët u përballën me një realitet krejt tjetër. Në vend të ndërtimit të një republike të përbashkët, filloi institucionalizimi gradual i segregacionit politik dhe kulturor.

Gjuha shqipe u privua nga statusi i plotë zyrtar, regjistrimi i emrave shqiptarë hasi pengesa administrative, numri i paraleleve shqipe në arsim u reduktua, ndërsa koncepti i “paraleleve të përziera” u përdor si instrument për zbehjen e identitetit gjuhësor. Në planin simbolik, flamuri shqiptar u trajtua si kërcënim për shtetin, ndërsa tekstet shkollore dhe enciklopeditë prodhuan narrativa që thellonin distancimin historik dhe kulturor të shqiptarëve. Në fushën e sigurisë dhe politikës, procese të organizuara dhe incidente të fabrikuara kontribuan në rritjen e tensioneve ndëretnike dhe krijimin e një klime të përhershme pasigurie.

Presioni i vazhdueshëm çoi drejt konfliktit të vitit 2001, i cili përfundoi me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dokumenti që ndali luftën dhe hapi rrugën e aspiratave euro-atlantike të shtetit. Megjithatë, kontradikta historike qëndron në faktin se deformimi i saj nisi pothuajse menjëherë pas nënshkrimit. Në vend që deri në vitin 2004 të realizohej implementimi i plotë, marrëveshja u shndërrua në një cikël të pafund kompromisesh dhe interpretimesh selektive, duke humbur gradualisht karakterin e saj transformues. Marrëveshja që duhej të garantonte barazinë kushtetuese u reduktua në instrument administrativ për menaxhimin e pakënaqësisë shqiptare, pa materializuar frymën e saj reale.

Faza e tretë lidhet me zhvillimet politike pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024 dhe me artikulimin e një diskursi të ri nacionalist nga Hristijan Mickoski. Ky projekt, në thelb, synon ridizajnimin e shtetit në emër të integrimit evropian, duke reduktuar njëkohësisht rolin kushtetues të shqiptarëve. Shqiptarët paraqiten jo si partnerë shtetformues, por si element negociues në raport me kompromiset rajonale dhe ndikimet ndërkombëtare. Nuk është rastësi që sulmet e para politike dhe juridike u drejtuan pikërisht ndaj përdorimit institucional të gjuhës shqipe. Dobësimi i statusit të saj synon krijimin e një paradigme të re kushtetuese, ku integrimi evropian paraqitet si i penguar nga tensionet etnike, duke transferuar presionin ndërkombëtar mbi faktorët politikë shqiptarë që të pranojnë marrëveshje të reja në emër të stabilitetit.

Në këtë kontekst, protestat e studentëve shqiptarë marrin një domethënie që tejkalon kërkesën akademike për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet juridike. Ato përfaqësojnë një formë rezistence simbolike ndaj një projekti që perceptohet si degradim gradual i statusit kushtetues të shqiptarëve. Për këtë arsye, këto protesta nuk kufizohen vetëm në sferën arsimore, por shndërrohen në mbrojtje qytetare të barazisë politike dhe identitare. Çdo përpjekje për ta kontrolluar ose delegjitimuar këtë revoltë studentore, e cila tashmë është shndërruar në pakënaqësi publike, nuk mund të reduktohet në interpretimet e ngushta politike që kryeministri Hristijan Mickoski përpiqet ta paraqesë si çështje universitare. Përkundrazi, energjia e këtij mobilizimi pasqyron akumulimin e një frustrimi kolektiv ndaj proceseve që perceptohen si rikthim i ideologjive ultra-nacionaliste dhe si tentativë për margjinalizimin kushtetues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në këtë perspektivë, mesazhi politik që del nga kjo klimë është se stabiliteti i shtetit nuk mund të ndërtohet mbi margjinalizimin e njërit prej popujve të tij përbërës. Edhe angazhimi i Denion Meidanit merr rëndësi të veçantë, pasi diplomacia e tij aktive ka kontribuar në ndërkombëtarizimin e çështjeve që lidhen me cenimin e frymës së Marrëveshjes së Ohrit. Në këtë kuptim, çdo tentativë për ta larguar atë nga roli i tij diplomatik në Shkup do të perceptohej jo vetëm si dobësim i mbështetjes ndërkombëtare për implementimin konsekuent të marrëveshjes, por edhe si sinjal i rrezikshëm për relativizimin e çështjes shqiptare përballë presioneve të reja politike. Një zhvillim i tillë mund të hapte një cikël të ri pasigurie politike dhe tensioni etnik, me pasoja të drejtpërdrejta për stabilitetin e brendshëm dhe orientimin euro-perëndimor të shtetit.

Në periudhën e ASNOM-it, shqiptarët u përjashtuan sistematikisht nga procesi real i shtetformimit, ndërsa pas pavarësisë u përballën me margjinalizim institucional. Faza aktuale rrezikon t’i reduktojë ata në një subjekt formal, pa peshë reale kushtetuese. Pikërisht këtu qëndron thelbi i projektit që shumë shqiptarë e perceptojnë si “Maqedoni Evropiane pa shqiptarët”. Për këtë degradim dhe cenim të Marrëveshjes së Ohrit, të rrezikuar nga projekti i udhëhequr nga Hristijan Mickoski, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi qarqet nacionaliste maqedonase, por edhe mbi disa faktorë politikë shqiptarë që, për interesa të ngushta politike, pranuan projekte që dobësonin statusin kushtetues të shqiptarëve. Po aq përgjegjësi mbajnë edhe segmentet e elitës politike shqiptare që nuk e kuptuan deri në vitin 2004 esencën reale të marrëveshjes, duke e transformuar atë në një proces të pafund kompromisesh dhe negociatash, çka dobësoi integritetin e saj kushtetues.

Kompromiset që gradualisht zbehën karakterin obligativ të marrëveshjes krijuan një gjendje ku popullsia shqiptare filloi të humbasë besimin dhe shpresën tek Marrëveshja e Ohrit si garanci e barazisë dhe stabilitetit. Për këtë arsye, dhe në përputhje me mekanizmat ndërkombëtarë për mbrojtjen e marrëveshjeve strategjike në Ballkan, të mbështetura nga Bashkimi Evropian dhe Donald Trump, çdo figurë politike që minon ose relativizon marrëveshje që kanë garantuar paqen dhe stabilitetin ndëretnik duhet të përballet me pasoja politike dhe diplomatike. Në të kundërt, degradimi i vazhdueshëm i marrëveshjes rrezikon të prodhojë jo vetëm krizë të besimit institucional, por edhe kërkimin e alternativave të tjera politike nga një popullsi që ndien se themeli i barazisë së premtuar po shpërbëhet gradualisht.

Historia e Ballkanit ka dëshmuar vazhdimisht se paqja e ndërtuar mbi pabarazi është vetëm shtyrje e konfliktit. Për pasojë, çdo përpjekje për relativizimin e statusit kushtetues të shqiptarëve në emër të “kompromiseve evropiane” rrezikon të prodhojë jo integrim, por krizë të re të legjitimitetit shtetëror. Nëse Evropa dhe partnerët e saj perëndimorë synojnë vërtet ndërtimin e një Maqedonie autentikisht euro-atlantike, ajo nuk mund të ndërtohet mbi dobësimin e identitetit të popullit të dytë shtetformues të vendit. Një shtet që e percepton barazinë si kërcënim dhe jo si themel të stabilitetit, rrezikon të mbetet i bllokuar në ciklin e krizave të trashëguara nga historia e tij.

Advertisement
Advertisement
Advertisement