Shtet i ndihmave sociale - Gazeta Express
string(24) "shtet-i-ndihmave-sociale"

OP/ED

Gazeta Express

07/07/2022 14:30

Shtet i ndihmave sociale

OP/ED

Gazeta Express

07/07/2022 14:30

Qeveria e Kosovës vazhdon të shpërndajë miliona euro ndihma sociale, por nuk ka një strategji se si t’i qaset problemit të papunësisë. Shteti është bërë sinonim i ushqyerjes së parazitizmit, ndërkohë që parullat e thata politike nuk mungojnë.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Nuk janë të rralla lajmet që vijnë nga Qeveria e Kosovës, e që kanë të bëjnë me vendimet për shpërndarje parash për qytetarët e Kosovës. Në masë të madhe, këto para dedikohen për skema sociale. Ka ndodhur më shumë se një herë që pagesat për këto skema janë dyfishuar, me arsyetimin se duhet ndihmuar këto kategori.

Në Kosovë ndihmë sociale marrin më shumë se 25 mijë familje, me mbi 100 mijë anëtarë. Mitrovica ka numrin më të madh të familjeve përfituese të skemës sociale, ndërsa në komunën e Obiliqit çdo i gjashti banor është përfitues i kësaj skeme.

Pavarësisht premtimeve dhe parullave politike, qeveria ka bërë pak, shumë pak për të adresuar çështjen e punësimit të qytetarëve. Në maj të vitit 2021, Albin Kurti kujtonte, si kryeministër, dy premtimet kryesore të fushatës zgjedhore.

“Ne kemi fituar me dy fjalë kryesore dhe ato janë drejtësia dhe punësimi. Nuk do të lejojmë që të jetojë asnjë qytetarë me varfëri ekstreme. Mërgatën do ta bëjmë pjesë të zhvillimit ekonomik”, thoshte ai.

Megjithatë, gati një vit e gjysmë në qeverisje, gjendja sa i përket varfërisë nuk ka ndryshuar.

Në programin qeveritar të koalicionit qeveritar VV-LDK, punësimi po ashtu thuhej se do të ishte prioritet.

“Qeveria synon ngritjen e punësimit të grupeve të cenuara, me theks të veçantë të papunët afatgjatë, të rinjtë, gratë, personat në varfëri dhe ata në zonat rurale. Po ashtu, në prioritet do të jetë përmirësimi i shërbimeve të punësimit, me qëllim rritjen e efektshmërisë së masave aktive të tregut të punës”.

Megjithatë, gjendja vazhdon të jetë thuajse e njëjtë. Eksponentë qeveritarë dhe të partisë në pushtet kanë përmendur si sukses punësimin e mijëra vetave deri më tash. Por, e vërteta është se shumica dërmuese e tyre janë formalizuar në treg, pra nuk punojnë më “në të zezën”. Punësimet e reja mbeten më shumë synim dhe asnjë strategji nuk është prezantuar se si do të mund të realizoheshin ato.

* * *

Përderisa punësime të reja nuk ka dhe mijëra të rinj presin viza punë për të migruar në Perëndim – kryesisht në Gjemani – ndihmat sociale nuk kanë të ndalur. Ushqyerja e parazitizmit vazhdon. Përtej rasteve ekstreme që vërtet kanë nevojë, disa mijëra qytetarë të Kosovës presin t’i marrin ndihmat sociale dhe të jetojnë me to pa u përpjekur të gjejnë një vend pune ose pa e ndjerë interesimin e shtetit që ata të hiqen nga skemat sociale. Në këtë mënyrë, shteti ndan miliona çdo muaj për raste sociale, ndërkohë që ata nuk provojë të gjejnë kurrfarë pune.

Sipas profesionistëve të fushës, shteti duhet që përfituesit e skemës sociale t’i shtyjë drejt tregut të punës, duke i aftësuar gjatë kohës që ndihmohen financiarisht. Pra, sipas tyre, shteti duhet të krijojë kushte që këta persona të angazhohen në punësim sa më shumë, përderisa paraprakisht përgatiten për tregun e punës. Por, një gjë e tillë nuk po ndodh dhe gjithçka po vazhdon me të vjetrën.

Në prill, kryeministri Kurti me ministrin e tij Hekuran Murati prezantuan me krenari masat mbështetëse për qytetarët: dyfishim të asistencës sociale për një muaj, njëqind euro shtesë për të gjithë pensionmarrësit, për 300 mijë punëtorët e sektorit privat, për 80 mijë punëtorët e sektorit publik dhe për 80 mijë studentët. Në këtë mënyrë, qeveria shpenzoi mbi 100 milionë euro ndihmë të njëhershme, por që nuk zgjidhi problemin e çmimeve të larta dhe vështirësive të tjera, me të cilat po përballen qytetarët tash sa muaj.

Me një strategji tjetër, këto miliona do të mund të shfrytëzoheshin për një zhvillim më të qëndrueshëm dhe qytetarët do të mund të përfitonin për një periudhë më të gjatë.

* * *

Sipas një analize të Bankës Botërore, të publikuar marsin e sivjetmë, Kosovës i duhet t’i reformojë programet për mbrojtje sociale, në mënyrë që të reduktohet varfëria. Vendi ka gjithsej 15 skema sociale e pensionale, nga të cilat përfitojnë mbi 400 mijë qytetarë. Për financimin e tyre, nga buxheti i shtetit ndahen mbi 500 milionë euro çdo vit. Buxheti i Kosovës për vitin 2022 është 2.7 miliardë euro. Përveç qytetarëve të papunë dhe me vështirësi sociale, nga skemat sociale përfitojnë edhe familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës, pensionistë të moshës etj.

Alternativa për të ndryshuar gjendjen ekzistuese ka, vetëm se qeveria duhet të planifikojë dhe të veprojë. Sipas vlerësimit të ekonomistëve, zgjidhje afatgjate mund të jetë punësimi i një anëtari të familjes me asistencë sociale. Institucionet duhet të gjejnë forma që bizneset që i pranojnë në punë ata, të subvencionohen ose ose të lirohen nga tatimet apo nga instrumentet e tjera fiskale. Qeveria duhet të veprojë urgjentisht.