Shqipëri-Kosovë, dy vende sovrane, një komb i vetëm - Gazeta Express
string(49) "shqiperi-kosove-dy-vende-sovrane-nje-komb-i-vetem"

Shqipëri-Kosovë, dy vende sovrane, një komb i vetëm

OP/ED

Gazeta Express

05/11/2024 13:38

Shkruan: Gjeneral Piro Ahmetaj

Paraprakisht, më duhet që të falënderoj përzemërsisht median brenda dhe  jashtë vendit për publikimin (25 vitet e fundit) të dhjetëra vlerësimeve strategjike në fushën e reformave të sistemit të mbrojtjes dhe zhvillimit të interesave mbarëkombëtare, me fokus situatën e sigurisë të pasçlirimit të Kosovës nga pushtimi serb (06/1999); progresin dhe sfidat për ndërrimin e paqes së qëndrueshme si dhe agjendën e integrimit euroatlantik (NATO/BE) të vendeve të rajonit të Ballkanit. Edhe mbas daljes në rezervë, në kapacitetin (forumin) e Ekspertit të fushës së SK, rajonit dhe NATO-s, jam përpjekur për të përfaqësuar sa më me dinjitet interesat mbarëkombëtare në: “10-ra konferenca të Këshillit të Atlantikut, Institutit të Luftës dhe panele të ekspertëve/kolegëve të sigurisë në Uashington, USA; Bruksel, Qendrën Marshall, Gjermani, Kolegjin e NATO-s Romë, si dhe 3 Samitet e fundit të Aleancës Euroatlantike, Madrid – 2022, Vilnus – 2023, Uashington – 2024, etj.”!

Lexo Edhe:

I. KONSIDERATA TË PËRGJITHSHME:

Përtej profecisë “si mallkim” të Nolit mbi shtazërinë e luftës mes vedit (për kolltuqet e politikës dhe llokmat e pusht-etit), nuk mund të mohojmë, “përkundrazi përulemi” për të rënët, luftëtarët dhe sakrificat sublime të shqiptarëve në shekuj, por edhe për patriotët vizionare, penat e forta, si dhe përpjekjet konstante për kohezion, që veçmas apo së bashku mbeten të skalitura në memorien e nderit të historinë sonë mbarëkombëtare. Gjithsesi, nuk mund të krenohemi as me patriotizma folklorike, as me “histori legjendare”, as me paranojën se “fajin e kanë gjithmonë bota”, anglo-amerikanët, francezët etj.. Kjo pasi, megjithëse me histori, gjuhë, kulturë, rreziqe dhe interesa të përbashkëta, fatkeqësisht Shqipëria dhe Kosova mbeten ende të ndara. Nuk kam thënë/them kurrë të “qurravitemi, as të dorëzohemi dhe as te nxjerrim sytë e njëri-jatrit”. Në të kundërt, e përsëris që gjaku, sakrificat, përpjekjet, arritjet (qoftë edhe modeste) si dhe problematikat ose “mësimet e nxjerra” duhet të na shërbejnë si bazë për jetësimin e një koncepti, projekteve si dhe një matrice të përbashkët mes 2 vendeve. Pa bërë kurrsesi gjykatësin e protagonistëve të historisë së palavdishme, por as profetin e ardhmërisë së ndritur, në vijim gjeni një përmbledhje gjeostrategjike, duke përsëritur edhe më fortë rekomandimin për të hartuar, nënshkruar dhe jetësuar një strategji historike mes RSH dhe Kosovës: “Dy vende sovrane, një komb i vetëm”. Për më qartë, aplikimin e parimit bazë (artikullit-5) të NATO-s: “Çdo sulm ushtarak ndaj tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, konsiderohet edhe si sulm ndaj sovranitetit të RSH dhe anasjellas. Kështu, edhe kundërpërgjigja do të jetë e përbashkët, proporcionale dhe shkurajuese”! Kjo platformë/përqasje, që mund të tingëllojë shumë e fortë, mbetet një e drejtë legjitime për të aplikuar një koncept të avancuar “smart” mbi mbrojtjen e sovranitetit si dhe zhvillimin e interesave kombëtare duke garantuar faktorët ndërkombëtarë se kjo qasje nuk mbart asnjë “kërcenim” ndaj vendeve të rajonit. Në të kundërt synon kontribute shtesë për zhvillimin e masave të mirëbesimit reciprok, bashkëjetesës paqësore mes popujve, stabilitetin demokratik dhe agjendën integrimit euroatlantik. Për më tepër, që kjo paketë mbetet e hapura ndaj çdo vendi të rajonit (përfshi Serbinë) për t’u përballur dhe adresuar bashkërisht sfidat ndaj terrorizmit, krimi të organizuar, trafiqeve, emergjencave civile dhe politikën e sigurisë së BE-së (ESDP). Në shtesë të sa paranojave bollshevike të E.Hoxhës, ende nuk arrij të (mirë)kuptoj pse dhe kush (në fakt kurrkush) i ka ndaluar qeveritë (me kollaro demokratike) mbas ‘91, që ende nuk ka një akademi shkencash, sistem shëndetësor, mbrojtje kibernetike, ambasada të përbashkëta etj.. Gjithsesi, duhet mbajtur në konsideratë që partneriteti strategjik (2-Shtete 1-Komb i vetëm) mes RSH dhe Kosovës tejkalon mandatet e disa qeverive si dhe paranojën turkoshake të përjetësisë së (mbi) Pushtetit.

II. PAKETË ME 10 PROJEKTE TË PËRBASHKËTA

Projekti nr.1: Krijimin e një Instituti të përbashkët të Studimeve Strategjike për zhvillimin e SSK, SU, PAZh, standardizimin, doktrinave, rregullave të angazhimit etj., eksperiencë që duhet të institucionalizohet me një MoU.

Projekti nr 2. Projekt-Pilot, ose shembullor për modernizimin e sistemit të mbrojtjes civile me koncept, paketë ligjore, kapacitete, rregulla angazhimi, strukturë të përbashkët të Komandim-Kontrollit (C2) si dhe një matrice me masa të përshkallëzuara dhe përgjegjësi respektive. Ndërsa mbështetur edhe në eksperiencën e Italisë, Sllovenisë, Austrisë etj., në vartësi të qendrës mbarëkombëtare të Emergjencave Civile (QKEC) të këtë 3 njësi/Br. logjistike (force provider), 6 Baza Territoriale dhe 12 Degë të Mbrojtjes Civile të shtrira në të gjithë territorin e RSH dhe Kosovës.

Projekti nr.3: Sistem të përbashkët për arsimimin, trajnimin/stërvitjen e personelit ushtarak dhe civil për FA të 2 vendeve. Synimi i këtij projekti: “Një Kolegj/Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes (KLSM), një akademi oficerësh, nënoficerësh, një shkollë trupe, një poligon stërvitje si dhe program të përbashkët Master dhe Doktoraturë.

Projekti nr.4: Njësi/Ekipe përbashkëta për në operacione ndërkombëtare të drejtuara nga NATO, BE, OKB apo koalicione, përfshirë stërvitje të përbashkëta fillimisht në nivel toge e kompanie, stërvitje të shtabeve në qendrën e simulimit si dhe certifikimin sipas standardeve të Aleancës.

Projekti nr.5: Task force e përbashkët, për mbështetjen Kosovës në 5 fushat e Planit të Veprimit për Anëtarësim në NATO (Politika, Ekonomia, Kuadri Ligjor, Financat dhe Informacioni); për pjesëmarrjen në iniciativat rajonale, si në SEDM/SEEBRIG, A5; në “Balkan Battle Group të BE”; Qendrat e Ekselencës së NATO-s etj..

Projekti nr.6: Inteligjencën dhe sigurinë e informacionit të klasifikuar, me qëllim zhvillimin e kapaciteteve si dhe rregulla të përbashkëta angazhimi të inteligjencës, të domosdoshme për parandalimin e akteve terroriste, krimit, destabilitetit të shoqërisë demokratike etj..

Projekti nr.7: Struktura, plane, masa dhe procedura të përbashkëta/koordinuara prokurimesh për blerjen e armatimit, pajisjeve dhe sistemeve madhore, të bazuara në standardet e NATO-s, në mënyrë që FA të dy vendeve të jenë të ndërveprueshme.

Projekti nr.8: Mirëmbajtjen e armatimit, pajisjeve dhe sistemeve ushtarake si dhe një infrastrukturë e përbashkët për të shkatërruar municionet dhe armatimet e dala/tepërta jashtë përdorimit të FA.

Projekti nr.9: Vëzhgimit dhe policimit të hapësirës ajrore mbetet një nga projektet/sfidat më të vështira dhe më të kushtueshme për secilin nga 2 vendet tona. Prandaj, Shqipëria dhe Kosova do duhet të angazhohen bashkërisht (MoU për t’u bërë pjesë me MoU e programeve rajonale (psh., me Kroacinë). Me mbarimin e misionit të KFOR, ende përgjegjës për hapësirën ajrore të Kosovës, Shqipëria duhet të mbështesë përfshirjen e Kosovës në iniciativën BRAD apo iniciativa të tjera.

Projekti nr.10: Ngritjen e një kapaciteti portualo-detar të Kosovës “në ujërat e thella të Adriatikut (RSH)”, të dedikuar për të mbështetur veprimtaritë ekonomike, por edhe të dislokimit strategjik të forcave ushtarake në operacionet ndërkombëtare etj.. Për modalitetet, procedurat, bazën ligjore, vendndodhjen dhe aspekte të tjera do të duhet paraprakisht vullnet politik.

III. MESAZHE PËRMBLEDHËSE:

Qëllim i Platformës historike (2-shtete 1- Komb) si dhe paketës me 10 projekte të përbashkëta: “Zhvillimin e kapaciteteve, strategjive, doktrinave, standardizimin, planifikimin, prokurimet, emergjencat civile, arsimimit, stërvitjeve, pjesëmarrjes në misione kombëtare dhe ndërkombëtare, mirëmbajtjen, rreziqeve kibernetike, policimin ajror, situatat renegate etj.”. Ndërtimi i kapaciteteve më vete (nga RSH/Kosova), në optikën profesionale është thjesht mision i pamundur. Duke qenë kështu, do ishte njëherësh edhe vijimësi e gabimeve historike, strategjike dhe gjeopolitike njëherësh.

As draft-platforma, as 10 projektet e përbashkëta nuk janë kurrsesi përpjekje për të “shpikur rrotën dhe as thirrur Eureka”, pasi suksesi në këtë fushë me sensitivitet të lartë kombëtar, kërkon mentalitet të ri, besim reciprok, lidershipit të fortë dhe kohezion të shoqërive të dy vendeve. Për më tepër, kjo platformë dhe 10 projektet do të duhen të konsultohen dhe harmonizohen me përpjekjet dhe qëndrimin zyrtare të SHBA: “Kosova, mbetet modeli kur komuniteti ndërkombëtar drejtuar nga SHBA, angazhohet për ruajtjen e interesave dhe vlerave të përbashkëta! NATO do të duhet të qëndrojë në Kosovë deri sa FSK të ketë legjitimitetin dhe aftësitë për të marrë përgjegjësitë për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe sigurisë së vendit”. Përsa “merakun e sforcuar diplomatik”, konfirmoj se kjo përqasje është aplikuar me sukses edhe nga shumë vende psh., nga vendet e Beneluks-it, (Belgjikë, Holandë, Luksemburg); vendet Baltike (Lituani, Estoni dhe Letoni, si Kolegji Mbrojtjes (BALDEFCOL), Grup-Batalioni Përbashkët (BALTBAT), Policimi i Përbashkët Ajror (Baltik Air Policing); vendet Nordike (Norvegji, Finlandë, Suedi); Sllovenia me Hungarinë, pa përmendur qasjen e dy vendeve të NATO-s (Turqisë dhe Greqisë) në raport me sovranitetin e Qipros, pra ndaj një vendi anëtar të BE-së! Përtej “armatosjen deri në dhëmbë” të Serbisë; (keq)shpërdorimin e Beogradit për agjendën e Rusisë-Putiniste si dhe zgjimit (apo blerjen) e aleancave historike; besoj edhe më fortë se paqja mbetet misioni i vetëm, në interes të bashkëjetesës paqësore, sigurisë së jetës, pronës, mirëqenies së qytetarëve si dhe ardhmërisë euroatlantike të 6 vendeve të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, pra Shqipërisë, Kosovës, MV, Malit të Zi, Serbisë dhe Bonjë-Hercegovinës. Ndërsa, aktorët dhe strategët/kolegët në rajon, Uashington, Bruksel etj., do t’i sugjeroja që perspektivën e paqes, statuskuosë dhe interesave gjeopolitike në Ballkan, do duhet ta parakushtëzojnë jo me rikthimin e garës se armatimeve, por me “imponimin” e dy Masave të Mirëbesimit Reciprok, nëpërmjet të cilave Beogradi Zyrtar: “(1) do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake (Tanke, Mig -29, Rafale, raketa ruso-kineze etj.) deri në masën që të mos kërcënojë fqinjët (posaçërisht Kosovën); (2) nuk do të vendosen as instalime, as aktivitete ushtarake (20 km distancë ajrore dhe 5 tokësore), në kufijtë ndërshtetërorë, të monitoruara nga USA/NATO/ BE, si faktor kritik për paqen në rajon. Po ashtu, do t’i këshilloja vëllazërisht faktorët politik të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare që: “rrokullimën pasluftës së Rusisë-Putiniste, riciklimi i aleancave historike si dhe kërcënimet e Beogradit ndaj integritetit të Kosovës”, t’i adresojnë me përgjegjësi të lartë shtetërore për të ndërtuar “Shqipërinë dhe Kosovën Demokratike”, përtej prezencës së NATO-s (që nuk mundet të jetë e përjetshme…), ku mbi të gjitha, qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe në faktorizimin të rolit të Kombit (Shqipërisë & Kosovës) nga konsumatorë në “Komb leader” për paqen, stabilitetin demokratik dhe për integrimin në NATO/BE.

Së fundmi, shpresoj që edhe ky produkt, të kontribuojnë sadopak, për të përditësuar “opinionin strategjik, zyrtar dhe publik” në rrafshin mbarëkombëtar, rajonal dhe jo vetëm. Ndërsa përtej paragjykimeve (nga cinik që përdredhin jo vetëm të ndenjurat), më duhet të ririkonfimoj se, mbetem i përkushtuar për të kontribuar me eksperiencë dhe përgjegjësi shtesë në mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare si dhe për forcimin e partneritetit strategjik me USA/NATO!/ Gazeta Panorama