Shoqëri e frikësuar - Gazeta Express
string(19) "shoqeri-e-frikesuar"

Shoqëri e frikësuar

Gazeta Express

06/09/2020 18:59

Dritan Dragusha

Në procesin e zhvillimit të shoqërive ka lloj-lloj interpretimesh dhe praktikash që jo gjithherë mund të njëjtësohen. Në këtë pikë, nuk mund të njëjtësohet edhe ndjenja që shoqëritë e caktuara kanë mbi lirinë. Për këtë fenomen ka trajtime përgjat gjithë historisë njerëzore. Një ndër teoritë kritike bashkëkohore mbi fenomene të ndryshme sociale dhe mbi shoqërinë në tërësi, është kritika që vjen nga Shkolla e Frankfurtit. Teoricienë të ndryshëm të kësaj rryme kanë trajtuar karakterin e shoqërisë perëndimore, ku për bazament kishin edhe raportin e këtyre shoqërive me lirinë. Në shumicën dërmuese të këtyre studimeve del se liria është një nga femomenet shumë komplekse si për kah ballafaqimi me të, po ashtu edhe për kah kompleksitieti i saj për trajtim. Një raport i tillë është identifikuar në procesin e linjave psikoanalitike dhe psikologjike. Pothuajse, i gjithë ky raport psiko-analitik intensifikohet në një tension dikotomie të vazhdueshëm mes racionales dhe të pavetëdijshmes. Mbase një proces i tillë si rezultat do ta prodhojë edhe frikën nga liria, e cila pastaj gradualisht do ta lindë nevojën për nënshtrim.  

Lexo Edhe:

Pra, dëshira për të qenë të lirë dhe liria si realitet shpeshherë prodhojnë efektin e kundërt, sepse liria si ide njëmend krijon vektorë të cilët na vënë në lëvizje, mirëpo, liria si realitet praktik prodhon situata konkrete, përgjegjësinë e të cilave shumica e njerëzve janë të frikësuar ta marrin përsipër. Pra, shumica e njerëzve e dëshirojnë lirinë, shpesh pa e pasur idenë se çfarë në të vërtetë po kërkojnë, qoftë për arsye keqkuptimi ose injorance. Prandaj, kur liria nga ideja bëhet realitet, fillojnë të shpërfaqen probleme fundamentale mes njeriut dhe lirisë, sepse njeriu tani mendon se me lirinë ka të drejtë të sillet si të dojë, pa e vrarë mendjen se mund t’ia shkelë lirinë tjetrit, kurse liria praktikisht si attachment të saj ka përgjegjësinë. E gjithë kjo marrëdhënie do të prodhojë (me shumë gjasa) një sjellje shoqërore çorientuese, anarkike, e që do të përcillet me efekte traumatike.

Pra, shoqëritë që kanë kaluar nëpër një traumë kolektive (siç jemi edhe ne), do t’a kenë shumë të vështirë gjendjen post-traumatike nëse nuk do të ketë një trajtim të thellë dhe të sinqertë të gjendjes së saj. A ka ndodhur një trajtim i tillë në shoqërinë tonë? Jo! Dhe kjo mund të ketë shumë shpjegime, por diçka është mëse e rëndësishme në këtë mes: duke qenë që për një kohë të gjatë ishim të nënshtruar, nuk kemi qenë të ngarkuar me aktin e përgjegjësisë, sepse lirinë e kishim të pranishme vetëm në rrafshin metafizik dhe kjo gradualisht ka ndikuar tek ne që edhe mos ta njohim këtë sferë empirikisht. Gjendja nën pushtim krijoi te qytetari një papërgjegjësi ndaj sferës publike (shpeshherë me qëllim), sepse një sferë e tillë ishte e uzurpuar dhe për ne nuk përbënte asnjë lidhje emocionale, mbase, në fakt, në forma të ndryshme edhe mund të kemi qenë kundër saj, sepse publikja në atë kohë sillej armiqësisht me ne. Shtetin, nën të cilin mbaheshim dhunshëm, nuk e perceptonim, nuk e ndjenim si diçka që na përkiste, sepse nuk ishte i yni. Një shprehje e tillë refuzuese ndaj shtetit gradualisht erdhi e u bë mendësi, pjesë e kulturës sonë. Nënshtrimi i gjatë krijoi te shoqëria jonë sjellje gati anarkiste. Paradoksalisht frika u bë udhërrëfyesi ynë. Gjithçka peshohej në ballafaqim me këtë ndjenjë. Kështu peshohej dikur, kështu peshohet edhe sot. Vitet e ’90-ta, sistemi paralel që u krijua, ndër të tjera u bë edhe vula e kësaj frike. Gjithçka dhe për çdo gjë artikulohej duke e pasë qoftë edhe në të pavetëdijshmen frikën. Pra, trauma jonë sa më shumë që shtrihej horizontalisht, aq më shumë thellohej në psikën tonë, saqë edhe sot e kësaj dite, kur tanimë jemi të çliruar dhe jemi shtet, kjo frikë na djek si një fantazmë.

Çlirimi ynë i vërtetë, pra, çlirimi shpirtëror dhe psikologjik nuk ndodhi atëherë kur pushtuesi u detyrua të largohej. Ai u largu, por mbrapa kishte lënë të rrënjosur thellë në psikën tonë ndjenjën e nënshtimit. Pas luftës trauma që kishim nuk po trajtohej për t’u shëruar, por po rishfaqej në një formë tjetër, në fakt tani po rimodelohej. Dukej sikur toka nën këmbë rrëshqitëte vazhdimisht. Edhe shpresa se bashkësia ndërkombëtare (që ishte/është e pranishme që nga paslufta) do t’na i zgjidhë problemet që kishim sa vinte dhe zbehej. Mospasja apo mos konsolidimi i përgjegjësisë si mind-set kulturorë ka rrënuar të gjithë aparatin social dhe jo vetëm. E gjithë kjo mund të paraqitet si simptomë e një procesi të gjatë nënshtrimi, por duhet ta kemi parasysh se kur qe shansi që ne ta heqim nga supet këtë ndjenjë të frikës, ne vetëm sa na u perkeqësua gjendja, sepse politikanët tanë si formë për arritjen (apo mbajtjen) e pushtetit na e imputuan armikun e dikurshëm si pjesë e pandashme e jetës sonë. Kështu që, e gjithë politika kosovare u katapultua në pozitat e pushtetit duke proklamuar mundësinë e rikthimit të Serbisë, dhe në emër të kësaj politika vendore ka pasur raste kur është kthyer vetë në dhunuese. Shpresa që dikur kishim ndërtuar për veten, për vendin, për të ardhmen tonë, për lirinë, po na përplasej për fytyre në formën më të vrazhdë manipulative. Ky manipulim i shpërfaqur nga politika vendore ka bërë që shoqëria kosovare të kalojë në një frikë neurotike siç do të thoshte Freud-i, dhe na vë para një enigme që qëndron në faktin se e humbasim plotësisht nga pamja lidhjen midis frikës dhe rrezikut kërrcënues. Pra, ne nuk e dimë pse kemi frikë, sepse na është mjegulluar rreziku potencial.  

Një gjendje e tillë ka prodhuar edhe një formë të shprehjes me karakter histerik në raport me veten tonë, me shtetin në përgjithësi. Atë që e krijuam me shumë mund, e shpërfillim me shumë lehtësi. Madje mendojmë dhe punojmë që sa më shpejt ta zhbëjmë. Vuanim për ta fituar, por tani që e kemi, vuajmë që ta prishim. Kjo ikje jonë nga përgjegjësitë që liria na i solli, tregon keqkuptimin tonë që kemi me lirinë dhe që kjo pastaj si rrugë do ta ketë arratisjen e përhershme nga vetvetja. Na është krijuar bindja se jetojmë në një përkohëshmëri të përjetshme. Liria që kishim fituar (liria nga)nuk qe e mjaftueshme që ne të ecim përpara. Ne na duhet guximi që ta ushtrojmë lirinë për, sepse vetëm atëherë ne do të fillojmë të çlirohemi nga ndjenja e frikës. Për aq kohë sa nuk e kuptojmë dhe nuk e përbrendësojmë njëkohësisht se liria dhe shteti që kemi janë mundësia jonë e vetme për të ecur përpara, për t’u zhvilluar dhe, në fund, për t’u çliruar nga ankthi i frikës që kemi, ne si individë, shoqëri dhe shtet, nuk do të dukemi dhe nuk do të jemi normalë. Nën mbretërinë e gjatë të frikës edhe liria fillon të bjerret gradualisht.