Shkruan Berat Buzhala: Zgjidhja për LDK-në, pushteti të ndahet mes Kujtimit, Lumirit dhe Lutës - Gazeta Express
string(88) "shkruan-berat-buzhala-zgjidhja-per-ldk-pushteti-te-ndahet-mes-kujtimit-lumirit-dhe-lutes"

Shkruan Berat Buzhala: Zgjidhja për LDK-në, pushteti të ndahet mes Kujtimit, Lumirit dhe Lutës

OP/ED

Gazeta Express

28/12/2020 14:38

(Vijon nga pjesa e parë) – Atëherë, çfarë duhet të bëhet? Ose, më mirë të themi, çfarë nuk duhet të bëhet? Gjëja e parë është që të braktiset kursi aktual, pa provuar të gjendet ndonjë fajtor. Aktualisht, dy gjëra janë tepër të rëndësishme: pozita e kryetarit të partisë dhe nominimi i kryeministrit. Kryetarit aktual, z. Mustafa, mund t’i duket e rëndësishme vetëm e dyta, por tashmë simbolika e pozitës së kryetarit është më e rëndësishme sesa pesha e kandidatit për kryeministër. Mustafa mund të thotë që ai po e ruan LDK-në nga përçarjet e mëtutjeshme, se ai as nuk e ka penguar kryeministrin e deridjeshëm në pavarësinë e tij e as nuk do ta pengojë të ardhshmin, por as kjo nuk ka rëndësi më.

Berat Buzhala

Lexo Edhe:

Më e rëndësishme se çfarë mendon Mustafa është çfarë mendojnë votuesit. Këta të fundit, përveç një grushti militantësh, situatën po e shohin më ndryshe. Qëndrimi për një kohë të gjatë i Mustafës në atë pozitë e ka komprometuar pozitën. Inskenimi i fundit me Vjosa Osmanin do të duhej ta kishte përmbyllur këtë cikël. Prandaj, çdo nominim i ardhshëm i kandidatit për kryeministër nga LDK-ja, me Mustafën si kryetar të LDK-së, është i paqëndrueshëm. Tashmë është shumë vonë që LDK-ja të organizojë zgjedhje të brendshme për ta zgjedhur kryetarin e ri, por një dorëheqje e Mustafës dhe caktimi i një ushtruesi të detyrës së kryetarit deri në zgjedhjet e ardhshme të brendshme do t’i jepte Lidhjes Demokratike të Kosovës një impuls të ri në këto zgjedhje. Mustafa këtë zhvendosje nuk do të duhej ta kuptonte si marrje të përgjegjësisë për dështimin, por si një kontribut të tij për të arritur maksimumin në këto zgjedhje.

LDK-ja duhet të kuptojë që zyrtarët e këtij subjekti që ishin në pushtet në vitin e fundit, qoftë edhe për arsye taktike, duhet t’ia hapin krahun atyre që nuk ishin në qeveri ose atyre që nuk mund të konsiderohen nga publiku si të kontaminuar nga forcat e PAN-it. Nuk ka plumb magjik për këtë situatë, por ka shtigje të reja dhe të paprovuara. Duke e ditur situatën brenda partisë, bie fjala, çdokush do të pajtohej, e edhe baza, që një akademik të shkonte nga pozita e kryetarit të partisë dhe një akademik të vinte në pozitën e ushtruesit të detyrës. Isa Mustafa do të mund ta bënte rokadën me Kujtim Shalën. Të gjithë në LDK e dinë që Kujtimi është zyrtari i fundit ambicioz në LDK. Ai është i vetmi që ka refuzuar të marrë detyra të larta, të nominohet për kryeministër ose për kryetar të partisë, kur të gjithë të tjerët po shtyheshin me bërryla. Megjithatë, meqë po flasim për pozitën e ushtruesit të detyrës, që thjesht dhe vetëm do ta çonte partinë në zgjedhje, pas zgjedhjeve të përgjithshme, Kujtimi nuk do të kishte arsye që t’i ikte kësaj përgjegjësie. Ai është i pranueshëm prej të gjitha strukturave dhe mjaft i dashur dhe i kërkuar nga votuesit e LDK-së. Instalimi i tij, qoftë edhe për disa muaj në krye të partisë, do të jepte një sinjal që partia ka nisur një rrugë të re të reformave me një njeri të duhur, që para së gjithash e mban LDK-në në kursin e saj historik, që partia më e vjetër në Kosovë është themeluar dhe udhëhiqet prej profilesh intelektuale “par excellence”. Kujtimi këto kredenciale i plotëson më mirë se çdokush tjetër. Në momentin që ky problem hidhet pas shpine, LDK-ja futet në një trajektore të re politike. Vëmendja e publikut kthehet drejt saj, gjë që është domosdoshmëri në prag të zgjedhjeve. Duke i pasur në mendje shifrat që i japin sondazhet, se kush do të jetë parti e parë në zgjedhje, atëherë nuk po besoj që ka në LDK ndonjë që seriozisht mendon që ky subjekt mund t’i fitojë zgjedhjet. Kjo është e pamundur edhe nëse ata e nominojnë Angela Merkelin. Kështu, emri i kandidatit për kryeministër, gjithashtu, do të duhej të ishte një ndërmarrje e përbashkët për ta instaluar në krye të listës personin që mendohet që e ndal trendin negativ. Ndoshta kjo do të ishte e mirëseardhur, por e vështirë. Sidoqoftë, e shton ndonjë votë në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Një gjë të tillë nuk ka gjasa teorike ta bëjë establishmenti i LDK-së që ishte pjesë e qeverisë Hoti e as vetë Hoti. Kjo tashmë dihet. E dinë të gjithë. E tregojnë sondazhet. E tregojnë bisedat në rrugë. E dinë edhe zogjtë e malit.

Atëherë, kush do të ishte ai?

Janë dy emra potencialë, që po besoj se shumica prej jush i keni në mendje, madje edhe ju në LDK, por për arsye të ndryshme nuk dëshironi t’i përmendni. Janë Lumir Abdixhiku dhe Lutfi Haziri.

Lumiri e ka përparësinë enorme për shkak të mënyrës se si kishte vendosur të mos bëhej pjesë e Qeverisë Hoti, ndonëse në atë kohë ishte konsideruar si një veprim egoist, sepse askush, e as Hoti ndoshta, nuk kishin qenë të lumtur për prishjen e “martesës” me LV-në. Personalisht nuk kam qenë aspak i lumtur me mënyrën se si Lumiri i kishte bishtnuar prishjes me LV-në, por është çmenduri të luftohet kundër realitetit. Realiteti është ky: Lumir Abdixhiku është lëvizja më e mirë taktike e kësaj partie. I ri, energjik, i reprezentueshëm dhe pa afera korruptive. Unë jam i bindur që edhe në sondazhe të brendshme partiake, ai do të ishte bindshëm kandidati më i preferuar. Këtë e kanë treguar edhe zgjedhjet e vitit të kaluar. Lumiri, në Prishtinë, pas Vjosa Osmanit, ka qenë kandidati më i votuar. Në shkallë të Republikës, ai ka marrë më pak vota sesa bartësja e listës, se Kujtim Shala dhe për disa qindra më pak se Anton Quni.    

Në anën tjetër, Lutfi Haziri, në kombinim me Kujtim Shalën si u.d., është kandidaturë mjaft serioze për të parandaluar rënien e mëtutjeshme të LDK-së. Luta është elektoralisht i përshtatshëm, kurse, sikurse Lumiri, ai nuk ka qenë shumë miqësor me kryeministrin Hoti dhe me qeverinë e kaluar. Ka mundësi që nuk po mundem ta nënvizoj mjaftueshëm faktin që unë kam qenë i bindur dhe vazhdoj të jem i bindur që Hoti dhe Mustafa e kanë bërë gjënë e duhur, kur kishin vendosur që ta shporrnin Albinin nga ndërtesa e Qeverisë, mirëpo kjo tash është jorelevante. LDK-ja duhet të shikojë alternativa të tjera. Ajo ishte një lëvizje e domosdoshme që shkonte në kundërkohë me pritjet e qytetarëve. Por iku kjo. LDK-ja nuk duhet të bjerë viktimë e kësaj situate. Lutfi Haziri do të mundë të ishte pra një zgjidhje interesante. Anamorava do t’i jepte përkrahje djalit të saj, kurse pjesët tjera të Kosovës në Lutfi Hazirin e shohin lidhjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës që nga koha e presidentit Rugova.

Sigurisht që gjëja më e bukur për LDK-në në këto zgjedhje do të duhej të ishte një bashkëpunim i ngushtë i Kujtim Shalës, Lutfi Hazirit dhe Lumir Abdixhikut. Brenda kësaj treshe do të mund të gjendej formula për t’u mbijetuar zgjedhjeve. Në anën tjetër, këta do të duhej ta trajtonin me delikatesë, me besnikëri dhe pa hakmarrje pjesën tjetër të partisë, që mund të gjendet në kampe të tjera.

Të gjithë e dimë se çfarë viti ishte ky që po ikën. Ndoshta me profit prej tij po dalin vetëm Jeff Bezosi, Mark Zuckerbergu, Elon Musku…. dhe Albin Kurti. Ne të tjerët kemi humbur në të gjitha anët. Dikush humbi njerëz, dikush financa, dikush njerëz dhe financa…, kurse LDK-ja humbi edhe votues. E nisën me Llapin, mirëpo kjo mund të jetë një humbje simbolike përballë tornados që pritet të vijë. Në tetor të vitit të kaluar, askush nuk e kishte parë këtë situatë duke ardhur, mirëpo sot askush nuk mund të thotë që nuk po e sheh. Nesër do të jetë shumë vonë. LDK-ja i duhet Kosovës.