Një zbulim i madh shkencor po hap rrugën drejt trajtimeve më të sigurta dhe më efikase kundër kancerit.
Ekspertë nga Harvard Medical School dhe Massachusetts Institute of Technology (MIT) kanë zhvilluar qeliza të reja “vrasëse natyrale” (CAR-NK), të afta të luftojnë kancerin dhe të minimizojnë rrezikun e efekteve anësore të rënda.
Si funksionojnë qelizat CAR-NK
Qelizat natyrale “killer” (NK) janë pjesë e sistemit imunitar dhe kanë aftësinë të shkatërrojnë pushtues pa pasur nevojë për “trajnim” paraprak për të njohur kërcënimet.
Ngjashëm me terapinë CAR-T, që tashmë përdoret gjerësisht në trajtimin e disa llojeve të kancerit, CAR-NK janë qeliza të modifikuara gjenetikisht për të synuar direkt qelizat kancerogjene.
Por ndryshe nga CAR-T, qelizat CAR-NK kanë rrezik të refuzohen nga sistemi imunitar i pacientit. Për këtë arsye, studiuesit në Boston krijuan një version të ri të CAR-NK, i cili arrin të shmangë këtë problem falë një modifikimi shtesë gjenetik.
Rezultatet e studimit
Në testet laboratorike, minjve të infektuar me tumore iu injektuan këto qeliza të reja CAR-NK. Rezultati ishte befasues:
Qelizat e modifikuara qëndruan në trup për tre javë dhe arritën të eliminojnë pothuajse plotësisht kancerin.
Ndërkohë, minjtë që morën qeliza NK natyrale ose CAR-NK standarde i humbën ato brenda dy javësh dhe tumoret vazhduan të përhapeshin.
Për më tepër, këto qeliza të reja rezultuan më pak të rrezikshme sesa terapia CAR-T, e cila shpesh shoqërohet me sindromën e çlirimit të citokinave (CRS) – një efekt anësor serioz që mund të shkaktojë dëmtime të shumë organeve.
Çfarë thonë shkencëtarët
“Ky proces na mundëson një inxhinierim me vetëm një hap të CAR-NK, të cilat mund të shmangin refuzimin nga sistemi imunitar dhe njëkohësisht të vrasin më mirë qelizat e kancerit – duke qenë më të sigurta,” – u shpreh Prof. Jianzhu Chen, bashkautor i studimit dhe profesor biologie në MIT.
Studimi, i botuar të mërkurën në revistën Nature Communications, përdori minj me sisteme imunitare të ngjashme me ato njerëzore dhe u përqendrua tek limfoma – një lloj kanceri i gjakut që prek sistemin limfatik. Vetëm në SHBA, limfoma prek rreth 90 mijë persona çdo vit dhe shkakton 20 mijë vdekje.
Pritshmëritë për të ardhmen
Ekipi beson se ky zbulim mund të shndërrohet në një alternativë më të mirë për terapinë CAR-T. Aktualisht, CAR-NK janë duke u testuar në prova klinike për trajtimin e limfomës dhe disa kancereve të tjera.
Studiuesit paralajmërojnë se modifikimi gjenetik i përdorur është relativisht i thjeshtë, gjë që mund të bëjë të mundur krijimin e qelizave “gati për përdorim” për pacientët sapo të diagnostikohen – pa pasur nevojë për javë të tëra për përgatitje, siç ndodh me terapitë tradicionale.
Po ashtu, ekipi po punon me një kompani bioteknologjike për të testuar CAR-NK edhe në trajtimin e lupusit, një sëmundje autoimune që prek mbi 1.5 milionë amerikanë dhe shkakton sulme të sistemit imunitar ndaj indeve dhe organeve të shëndetshme. /GazetaExpress/