Festa e tifozëve në Times Square të New Yorkut është shndërruar në një përleshje masive mes mbështetësve të Algjerisë dhe Argjentinës, vetëm pak orë para ndeshjes mes dy kombëtareve në Kupën e Botës.
Ajo që nisi si atmosferë festive në një nga sheshet më të njohura të Shteteve të Bashkuara, përfundoi në tensione dhe përplasje fizike mes dy grupeve të tifozëve. Sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa persona u përfshinë në sherr, ndërsa të pranishmit u përpoqën të largoheshin nga zona.
Tifozët algjerianë pretendojnë se u provokuan nga disa mbështetës argjentinas me thirrje raciste dhe islamofobike. Nga ana tjetër, tifozët argjentinas kanë hedhur poshtë këto akuza, duke pretenduar se ishin mbështetësit e Algjerisë ata që e nisën të parët përplasjen.
Ky incident konsiderohet si sherri i parë masiv mes tifozëve në këtë Botëror dhe vjen në një kohë kur qytetet pritëse po përpiqen të ruajnë atmosferën festive të turneut.
Përplasja ndodhi në të njëjtin vend ku, më herët, tifozët brazilianë dhe marokenë ishin parë duke festuar së bashku në mënyrë paqësore, duke krijuar një kontrast të madh me skenat e tensionuara mes algjerianëve dhe argjentinasve.
Autoritetet amerikane pritet të shqyrtojnë pamjet dhe rrethanat e incidentit, ndërsa organizatorët e Botërorit do të kenë një sfidë shtesë për të garantuar sigurinë e tifozëve në ndeshjet e ardhshme. /GazetaExpress/