Shërbimi Korrektues mohon që i dënuari me 18 vjet për vrasje të shokut po poston fotografi nga burgu - Gazeta Express
string(100) "sherbimi-korrektues-mohon-qe-i-denuari-me-18-vjet-per-vrasje-te-shokut-po-poston-fotografi-nga-burgu"

Shërbimi Korrektues mohon që i dënuari me 18 vjet për vrasje të shokut po poston fotografi nga burgu

Gazeta Express

06/12/2019 17:28

I dënuari me 18 vjet e gjashtë muaj burg për vrasjen e shokut, Liridon Uruqi, po vazhdon që të publikojë fotografi nëpër rrjete sociale, pavarësisht se tash e një vit gjendet prapa grilave. Fotografi të tilla ai ka postuar gjatë gjithë vitit. Një të tillë, ai e ka publikuar sot gjatë ditës me deputetin Daut Haradinaj, të cilën e ka fshirë më pas. Express ka kontaktuar me zyrtarë të Shërbimit Korrektues, të cilët kanë treguar se si po postohen këto fotografi

Arjeta Shabani

Lexo Edhe:

Mbrëmja e 28 korrikut të 2018’ës u kthye në tragjedi për familjen Arifi nga Bresalci i Gjilanit. Po atë natë, atyre iu vra djali i vetëm i familjes, Fatlindi.

Atij, ia mori jetën një plumb në kraharor, i shkrepur nga shoku i tij, Liridon Uruqi. Trupi i pajetë Fatlindit ishte gjetur vetëm 100 metra larg shtëpisë së tij.

Për kryesin e vrasjes që kishte tronditur tërë Kosovën, Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë vendim të mërkurën. Ai është dënuar me 18 vjet e gjashtë muaj burgim.

Por, ndonëse Uruqi zyrtarisht gjendet në vuajtje të dënimit në Gjilan, ai po vazhdon që të publikojë fotografi në rrjete sociale, jashtë grilave.

Sot, gjatë ditës, ai ka publikuar një fotografi në Instagram nga Zvicra, dhe një tjetër në Facebook, me deputetin e AAK’së, Daut Haradinaj.

Fotografia e publikuar sot

Postime të tilla ai ka bërë gjatë gjithë vitit, ndonëse në burgje nuk lejohet përdorimi i telefonave.

Por, në Shërbimin Korrektues të Kosovës e mohojnë që këto fotografi të jenë postuar nga Uruqi.

Zëdhënësi i ShKK’së, Florent Gashi i ka thënë Gazetës Express se këto postime janë bërë jashtë institucioneve korrektuese.

Deklaron se gjatë bastisjes në dhomën e Uruqit nuk është gjetur ndonjë pajisje telefonike.

“SHKK bënë bastisje të rregullta në hapësirat ku janë të vendosur të burgosurit, përfshi edhe dhomën e personit në fjalë. Gjatë bastisjes nuk është gjetur ndonjë pajisje telefonike ose ndonjë pajisje tjetër me të cilën mund të këtë bërë postimin e këtyre fotove”, ka thënë Gashi.

Në këtë institucion thonë se ai gjendet në vuajtje të dënimit në institucionet korrektuese, pa e përmendur qendrën. Por, Express merr vesh se ai po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.

Ndryshe, për vrasjen e 22-vjeçarit, Liridon Uruqi ishte ngarkuar fillimisht me tri vepra penale, “Vrasje e rëndë”, “Kanosje” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Mirëpo, prokurori Agron Uka kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, sipas së cilës, nga “Vrasje e rëndë”, i pandehuri akuzohej për “Vrasje të rëndomtë”.

Uka i ka thënë Gazetës Express se rikualifikimi i lëndës është bërë për shkak se nuk ka pasur prova se janë kanosur apo ndjerë të rrezikuar edhe personat e tjerë që kanë qenë prezentë në natën e vrasjes.

“Lënda ka kaluar nga vrasje e rëndë në vrasje të  rëndomtë. Pas sugjerimit të Gjykatës së Apelit, është vërtetuar se nuk është rrezikuar jeta e njerëzve të tjerë të pranishëm, sepse vrasja e rëndë nënkupton kur rrezikohet jeta e një grumbulli të njerëzve. Kur i kemi pyetur dëshmitarët, ata kanë thënë se nuk kanë qenë të kanosur dhe të rrezikuar nga i dyshuari. Prandaj, që të ekzistojë vepra penale “Vrasje e rëndë” duhet të ekzistojë rreziku edhe tek të tjerët, pra kjo bie poshtë sepse të tjerët nuk janë rrezikuar. Në këto situata kemi ardhur te rikualifikimi i veprës “Vrasje e rëndomtë”, ka thënë Uka.

“Kualifikimi juridik është se vrasja është bërë me dashje direkte, qëllimi i tij ka qenë që ta privojë nga jeta tashmë të ndjerin Fatlind Arifi. Pra ekziston elementi vulotiv, vullneti, është e pakontestueshme se vullneti ka ekzistuar. Sepse në momentin kur ai ka manipuluar me armë, që e ka mbajtur në atë pozitë, kjo s’është vrasje aksidentale”, ka theksuar Uka për Expres

Sipas Ukës, në natën tragjike, Liridon Uruqi kishte konsumuar substanca narkotike, por që nuk është vërtetuar se ato kanë ndikuar në veprimin e tij.

“Atë natë kanë konsumuar marihuanë, mirëpo ekzaminimi psikiatrik, në seancë dhe në ekspertizë thotë se lidhur me kryerjen e veprës penale, i akuzuari ka qenë i freskët kur e ka marrë këtë veprim, nuk ka ndikuar në aspektin psikofizik sasia e tre tymave që ta marrë një veprim të tillë”, ka thënë Uka.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ramiz Azizi, të akuzuarit Liridon Uruqi, i ka shqiptuar të mërkurën dënimin prej 18 vjetësh burgim, për veprën “Vrasje e rëndomtë”, kurse 1 vit burgim për armëmbajtje pa leje. Në kohëzgjatjen e dënimit hyn edhe periudha prej kur Uruqi ka qëndruar në paraburgim.

Gjykata Themelore në Gjilan, në prill të këtij viti e kishte dënuar Liridon Uruqin me 25 vjet burgim.

23 vjet burgim i ishin shqiptuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërkaq 2 të tjera për veprën penale “Kanosje” dhe 1 vit burgim për “Armëmbajtje pa leje”.

Pas kësaj, ndaj Uruqit ishte shqiptuar dënim unik prej 25 vjetësh burgim efektiv.

Nga këto tri akuza, Uruqi e kishte pranuar vetëm atë të armëmbajtjes pa leje, ndërkaq ishte deklaruar i pafajshëm për veprën “Vrasje e rëndë” dhe “Kanosje”.

Më pas, avokati i Uruqit ishte ankuar për masën e shqiptuar. Arsyetimi i mbrojtjes ishte se vrasja kishte ndodhur aksidentalisht dhe se nuk ka pasur dashje nga ana e të akuzuarit.

Kërkesën e mbrojtjes e kishte aprovuar Gjykata e Apelit me 12 shtator të këtij viti, duke e rikthyer lëndën në rigjykim./Gazeta Express