Ekipet e shpëtimit në qytetin gjerman Görlitz kanë vijuar kërkimet për tre persona të zhdukur, pasi një ndërtesë u shemb të hënën në mbrëmje pranë kufirit me Poloninë.
Sipas policisë, dyshohet se shembja mund të jetë shkaktuar nga një shpërthim gazi. Për shkak të rrezikut nga rrjedhjet, punonjësit e emergjencës po punojnë me kujdes gjatë kontrollit të rrënojave dhe sigurimit të zonës.
Fillimisht u mendua se deri në pesë persona mund të kishin mbetur nën rrënoja, por më vonë u konfirmua se numri i të zhdukurve është tre. Kërkimet me qen nuhatës nuk dhanë rezultat, ndaj ekipet kanë nisur edhe heqjen e rrënojave me makineri të rënda dhe mjete dore.
Një dëshmitar, familjar i dy prej personave të zhdukur, tha se kishte dëgjuar një shpërthim të fortë ndërsa ndodhej pranë një supermarketi dhe, kur është kthyer, ka parë ndërtesën të shembur.
Ndërtesa e dëmtuar ishte një godinë e vjetër në stilin vilhelminian dhe përdorej si apartamente me qira për banim dhe turistë, transmeton Oranews.
Görlitz, një qytet me rreth 57 mijë banorë në lindje të Gjermanisë, njihet edhe për qendrën e tij historike që shpesh përdoret si vend xhirimi për filma ndërkombëtarë.