SHBA po punon që Kosova të kalojë nga konsumuese në eksportuese të sigurisë, të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e vet - Gazeta Express
string(125) "shba-po-punon-qe-kosova-te-kaloje-nga-konsumuese-ne-eksportuese-te-sigurise-te-marre-me-shume-pergjegjesi-per-mbrojtjen-e-vet"

OP/ED

Gazeta Express

21/04/2026 17:13

SHBA po punon që Kosova të kalojë nga konsumuese në eksportuese të sigurisë, të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e vet

OP/ED

Gazeta Express

21/04/2026 17:13

Muajin e kaluar u bënë 27 vjet që kur NATO-ja, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë, ndërhyri për ta ndalur katastrofën humanitare në Kosovë.  Disa muaj më vonë, në qershor 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë për të ndihmuar për t’i dhënë fund dhunës, për mbrojtjen e civilëve dhe për t’i vënë themelet e një të ardhmeje paqësore.  Që atëherë, Forca e Kosovës e NATO-s (KFOR) është bërë ndër institucionet më të besuara në Kosovë.  Prania e saj ka penguar dhunën, ka siguruar paqe për komunitetet dhe ka krijuar hapësirën e nevojshme të sigurisë për zhvillimin e institucioneve demokratike dhe të një shoqërie civile dinamike.  Profesionalizmi dhe sakrificat e amerikanëve dhe aleatëve që kanë shërbyer nën flamurin e KFOR-it kanë shpëtuar jetë dhe kanë ndihmuar në lehtësimin e arritjes së përparimit në rajon.

Shkruan Ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker

Sot, Shtetet e Bashkuara po punojnë bashkë me Kosovën që ajo të kalojë nga konsumues i sigurisë në eksportues të saj, ndërsa vendi merr gjithnjë e më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e vet.  ShBA-ja mbështet fuqimisht transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në forcë mbrojtëse territoriale shumetnike nën kontrollin civil.  Vazhdimi i bashkëpunimit të fortë që kemi ndërtuar mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it është thelbësor për këtë përpjekje.

Bashkëpunimi i fuqishëm në fushën e mbrojtjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është qendror për këtë vizion.  Kosova i ka rritur shpenzimet për mbrojtje, duke synuar të arrijë standardin botëror prej 5% të PBB-së për siguri dhe mbrojtje, që përbën angazhim serioz për mbështetje në forcat e veta.  Stërvitjet e përbashkëta me forcat amerikane dhe aleate, si në rastin kur Kosova ishte nikoqire dhe pjesëmarrëse në ushtrimin „Defender Europe 25”, po përmirësojnë ndërveprueshmërinë dhe gatishmërinë.  Programi i Partneritetit Shtetëror me Gardën Kombëtare të Ajovës është shembull parësor i bashkëpunimit të qëndrueshëm dhe praktik.

Po ashtu, Kosova po ndërmerr hapa të rëndësishëm përtej kufijve të saj.  Pjesëmarrja në përpjekjet ndërkombëtare për paqe dhe siguri, përfshirë kontributin në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gazë dhe rolin e saj si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, tregojnë se Kosova i merr seriozisht përgjegjësitë e saj si kontribuuese për stabilitetin rajonal dhe global.

Qëllimet e Shteteve të Bashkuara mbeten të qarta: ne, në mënyrë të palëkundur, jemi të përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe duam të shohim të ardhme ku Kosova njihet si partnere e besueshme që promovon paqen, sigurinë dhe përparimin.  E ardhmja e Kosovës qëndron në integrimin më të thellë me bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë bashkëpunimin e vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të NATO-s.  Për ta arritur këtë, Kosova duhet gjithashtu të adresojë çështjet e saj të brendshme, përfshirë sigurinë për të gjitha komunitetet brenda kufijve të saj.  Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, stabiliteti i vazhdueshëm rajonal dhe bashkërenditja e ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n janë thelbësore për stabilitet të qëndrueshëm./KP/

Advertisement
Advertisement
Advertisement