Shkruan: Fadil Sahiti
Një nënë e vërtetë e lë fëmijën e saj të shkojë sepse do që fëmija të jetojë. Ajo e bën këtë në emër të dashurisë së sinqertë për fëmijën.
Zhurmë dhë hallakamë gjithandej. Në këtë zallamahi shoqërore dhe politike, që i ngjan një ahengu të shthurur, ku nuk dihet kush ha dhe kush paguan, është e vështirë të thuash diçka të re dhe të mençur. Duket se ne jemi shoqëria me problemet më unike, më komplekse që njerëzimi është përballur ndonjëherë.
Por a është e vërtet kjo? Ne nuk jemi shoqëria me problemet më unike në botë; ato janë të zgjidhshme. Unike tek ne është kasta politike. Një grup njerëzish, të djathtë dhe të majtë, që kanë të njëjtin thelb identifikues: interesin e tyre personal dhe grupor. Ata kurrë nuk kanë pasur interes t’i shërbejnë këtij populli, të zgjidhin problemet e tij. Dhe, kjo mund të jetë tipari ynë identifikues dhe unik si shoqëri.
Vetëvendosje ia ka dalë ta marrë pushtetin me sakrifica të mëdha. Por, kur e mori, e përdori vetëm për interesat e veta, më saktë, për promovimin e vetëm një personi dhe një grupi të vogël përreth tij. Pushteti u ka rënë n’krye dhe nuk e njohin racionalitetin. Edhe pse kanë 51% të fuqisë vendimmarrëse, kjo nuk u mjafton. Duan më shumë. Nuk kanë më frikë nga asgjë, përveç një gjëje: përgjegjësisë për të qeverisur mirë dhe drejt. Frika e tyre është e bazuar. Në katër vjet, e kanë kuptuar se çfarë përcakton paaftësinë e tyre për të qeverisur. Por ata gjithashtu e kanë kuptuar se nuk janë në rrezik. Po përballen me një opozitë që është gjithashtu e paaftë, e pareformuar. Prandaj, sa më shumë kriza, aq më i gjatë do të jetë pushteti i tyre.
Situata e opozitës është shumë më serioze. Ata nuk kuptojnë diçka të thjeshtë, i kanë humbur zgjedhjet qendrore disa herë radhazi dhe nuk e dinë pse, ose nuk duan ta dinë. Janë formacione politike krejtësisht paradoksale, me struktura të vjetra njerëzore dhe programe politike më bashkëkohore. Ata nuk e kuptojnë se zgjedhjet nuk fitohen më me të njëjtët njerëz që kanë kalëruar mbi intelektin dhe emocionet tona për 25 vjet. Sloganet “liria ka emër” ose “ne jemi partia e institucionalistëve” nuk funksionojnë më. Shumë prej tyre janë arsimuar në shkolla perëndimore dhe, çuditërisht, nuk e kanë kuptuar se ka një ndryshim të madh midis formës dhe përmbajtjes. As sloganet dhe as diplomat akademike të fituara jashtë vendit nuk funksionojnë. Vetëm përveshja e mëngëve dhe përballja me problemet reale të këtij populli funksionojnë. Dhe kjo duhet bërë me “gjak të ri”, me mendje të kultivuara dhe me përkushtim të sinqertë.
Nuk e kuptoj pse opozita nuk heq dorë? Pse nuk i jep Kurtit një udhëheqës sipas shijes së tij? Çfarë do të ndryshonte nëse do të kishim një udhëheqëse si Vjosa, kur e dimë që Kurti në fakt ka pushtet politik?
Po sikur të shkojmë në zgjedhje të reja, cila do të ishte oferta e PDK-së, LDK-së, një ofertë që do t’i bënte këta njerëz të ndryshonin mendje? Me të njëjtët njerëz? Me të njëjtat slogane? Vështirë të besohet ndryshimi.
Në këtë qorrsokak politik, lëvizja më e mençur e opozitës do të ishte t’i hapte rrugën Albinit, ta linte të gjente një president sipas shijes së tij. Kështu bëri me Vjosën, e cila vetë pranoi formën në vend të substancës. Asaj i pëlqeu emri i madh (presidente), e jo shërbimi për popullin. Katër vjet mund të mos jenë të mjaftueshëm për një reformë themelore, por opozitës i duhet kjo kohë. Një kohë që e bën të kthehet tek vetja. Përndryshe, me ose pa Vjosën, me ose pa Hashimin, Albini do të fitonte përsëri votat. Dhe mund ta imagjinoni se çfarë na pret: asgjë e re, një krizë e vjetër me një “outfit” tjetër.
Dua ta përfundoj editorialin me historinë biblike të dy nënave që zihen për një fëmijë dhe gjykimin e mbretit Solomon. Duke mos e kuptuar se kujt i përket fëmija, mbreti vendos ta ndajë fëmijën në dy pjesë për të dyja gratë. Nëna e vërtetë nuk e pranon këtë dhe thotë: “Ju lutem mos e ndani, jepjani tjetrës, lëreni të jetojë!”. Pra, nëna e vërtetë zgjedh ta humbasë fëmijën, por t’i shpëtojë jetën, sepse dashuria e sinqertë është sakrificë.