Shtetet e Bashkuara të Amerikës po largohen nga politika e ndërtimit të shteteve dhe ndërhyrjeve të drejtpërdrejta në Ballkanin Perëndimor, duke u fokusuar tashmë në stabilitet, partneritete strategjike dhe interesa të përbashkëta ekonomike. Kjo thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit drejtuar Kongresit mbi politikën amerikane ndaj rajonit.
Në pjesën që i kushtohet Kosovës, raporti thekson se forcat amerikane vazhdojnë të jenë pjesë e misionit të NATO-s, KFOR, i cili konsiderohet kyç për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë. Po ashtu, SHBA-ja vazhdon të mbështesë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale dhe multietnike.
Raporti nënvizon se SHBA-ja do të vazhdojë të inkurajojë Kosovën dhe Serbinë për të avancuar në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, me synim arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dyja palët.
Në dokument thuhet se “epoka e ndërtimit të shteteve nën udhëheqjen amerikane ka përfunduar” dhe se politika e re amerikane në Ballkanin Perëndimor nuk synon më “shpëtimin apo rindërtimin”, por stabilitetin dhe partneritetet me përfitim të ndërsjellë.
Administrata amerikane synon të fuqizojë aktorët lokalë që vetë të zgjidhin sfidat e tyre, ndërsa SHBA-ja do të ofrojë mbështetje vetëm aty ku përfshirja amerikane konsiderohet e nevojshme dhe në interes të saj strategjik.
Raporti vlerëson se investimet amerikane në rajon gjatë dekadave të fundit kanë sjellë rezultate konkrete dhe kanë krijuar marrëdhënie të forta me të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Përveç stabilitetit rajonal, SHBA-ja identifikon si prioritete kryesore edhe luftimin e ndikimit rus dhe kinez, forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, investimet në energji dhe infrastrukturë, si dhe luftën kundër krimit të organizuar.
Në raport thuhet se rajoni mbetet me rëndësi të drejtpërdrejtë për interesat ekonomike dhe të sigurisë së SHBA-së, ndërsa aktorët “keqdashës”, si Rusia dhe Kina, po përpiqen të shfrytëzojnë korrupsionin dhe paqëndrueshmërinë për të rritur ndikimin e tyre.
Sa i përket Bosnje e Hercegovinës, SHBA-ja riafirmon përkushtimin ndaj Marrëveshjes së Dejtonit, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, duke kërkuar shmangien e veprimeve destabilizuese dhe përçarëse.
Raporti vë theks edhe te bashkëpunimi ushtarak me vendet e NATO-s në rajon, duke përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa paralajmërohet vazhdimi i bashkëpunimit të sigurisë edhe me Serbinë “në mënyra që avancojnë interesat amerikane”.
Në aspektin ekonomik, SHBA-ja synon zgjerimin e pranisë së kompanive amerikane në Ballkanin Perëndimor, duke mbështetur projekte infrastrukturore strategjike, energjinë dhe tregtinë. Raporti përmend edhe interesimin amerikan për gazin natyror të lëngshëm, energjinë bërthamore dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë si alternativa ndaj varësisë nga gazi rus.
Ndër projektet prioritare përmenden gazsjellësi Jugor mes Kroacisë dhe Bosnjës, interkonektori i gazit Serbi–Maqedoni e Veriut, zhvillimi i hidrocentraleve në disa vende të rajonit, si dhe lidhjet energjetike të Ballkanit Perëndimor me tregun evropian.
Raporti përfundon duke theksuar se SHBA-ja do të vazhdojë programet për kontrollin e armëve, trajnimet ushtarake, operacionet paqeruajtëse dhe largimin e minave në Ballkanin Perëndimor, por me fokus në rezultate konkrete dhe interesa të drejtpërdrejta amerikane. /n1